Nga Rudina Xhunga
Shqiprimi është Kryetari i ri i Komunës së Preshevës. Ishte i ftuar i emisionit “Dritare” në Vizion Plus, javën e shkuar. “Ti mund të hash gjithçka, por ti nuk mund të dish gjithçka”, -më tha, gjatë publicitetit. I kuruar, i artikuluar, konfident, i padepërtueshëm, i sjellshëm dhe i kujdesshëm në arrogancën e tij. I ardhur nga Gjermania, ku ka jetuar 37 vjet, para tri vitesh ai arriti me gjithë familjen në Preshevë. Para një viti krijoi Partinë, para një muaji ndezi motorët e fushatës dhe fitoi. U bë kryetari moral i Bashkisë së Preshevës, për shkak të votave që mori dhe tanimë kryetari real, për shkak të kompromisit me një tjetër parti të madhe, atë që ai e kishte etiketuar si parti e njërit nga dy bosët e Preshevës. Ai kërkoi pikërisht votën kundër bosëve, kundër atyre që kanë gjithçka, kundër ish-kryetarit që drejtonte komunën si ndërmarrje private. Dhe në fund, mundi një bos dhe bëri kompromis me tjetrin, derisa ta mundë dhe atë. Por ndërkaq, preshevarët thonë, se ai simbolizon të renë, që solli qetësim ne lugine, pajtoi njerëzit qe për politikë të vrasin, pajtoi shqiptarët, që në zgjedhje, pranojnë të votojnë boshnjakë e serbë, por jo rivalin. Ndërsa preshevarë të tjerë , thonë për Shqiprimin se ka ardhur me paratë e turkut, se është paguar dhe paguan votues me donacione të Turqisë, edhe duke i specifikuar çfarë parash dhe të cilit fondacion. Shqiprimi e hodhi poshtë këtë në “Dritare”. Ai tha se paragjykohet, ngaqë është besimtar praktikues, si shumë shqiptarë të Luginës. Por partia e tij është sekulariste. Por jam shqiptar, shikoni ç’emër kam, tha Shqiprimi. Një tjetër parti që quhet “Besa” në Maqedoni, akuzohet se është ngritur dhe përdor donacionet e Turqisë. Edhe Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë, është akuzuar për lidhje me Turqinë, sidomos, kur mbrojti mbajtjen e shamive në shkolla. Në fakt problemi nuk është, kë dhe si të akuzojnë, problemi është kur dëgjon si mbrohen. Në emision, të gjithë të ftuarit, ishin kundër paragjykimeve për paratë e Turqisë dhe thanë se Turqia ka mbështetur xhami e shkolla shqiptare, me donacione. Pse ato duhen pranuar dhe financimet e partive jo. Pastaj më shpjeguan se gjithë Lugina është myslimane dhe nuk kisha të drejtë, kur shprehesha, se nuk ia vlen të çlirohemi nga diktatura e korrupsionit, për të shkuar te diktatura e fesë. Shqiptarinë e ka mbrojtur feja, thanë ata dhe thonë shumë të tjerë. Ky është një diskutim i gjatë, por jo urgjent. Urgjente është që shqiptarët e Preshevës, Malit të Zi, Maqedonisë, tani, kur Kosova po tërhiqet në punët e veta, të kenë një sy e vesh nga Shqipëria. Që t’i vëzhgojë, dëgjojë, t’i ndihmojë, t’i mbajë afër, t’i sugjerojë. Sepse, tanimë, nuk kam më dyshim, nëse nuk e bën Rama, do e bëjë Erdogani. Pushtimit të ëmbël të telenovelave bajate turke, nuk i rezistuam dot, por nëse humbëm në betejën e shijeve, të mos humbasim edhe betejën e shitjeve. Gjithë energjinë e harxhuar nga Rama, për t’u bërë aktor në politikën e jashtme, tanimë do të duhej ta kthenim në mundësi për t’u bërë faktor, me epërsinë e politikës mbarëshqiptare. Përndryshe, nuk i duhemi kujt, jemi thjesht vasalë, që nuk kemi ç’japim në shkëmbim, në një treg global, që kërkon treg dhe partnerë./dritare.net