Shkruan: Nehat Hyseni
Lugina e Preshevës përfshinë tri komunat e banuara me shqiptarë në Serbi: Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, me 1250 km2 dhe reth 60.000 shqiptarë të mbetur aktualisht, nga mbi 100.000 që ishin dikur, që pas Luftës së vitit 1999 dhe konfliktit të armatosur të UÇPMB-së në Luginë të vitit 2000-2001, mbeti nën Serbi.
Derisa Kosova, falë bombardimeve të vendosura dhe të suksesshme të NATO-s, në krye me SHBA-në dhe vendet demokratike botërore, si dhe luftës së armatosur dhe qëndresës heroike të popullit të Kosovës, ia doli që ta heq qafe regjimin antishqiptar e primitiv të Serbisë, që e kishte okupuar dhe terrorizuar,masakruar e diskriminuar atë që nga vjeshta e vitit 1912.
Kështu, u krijuan në realitetete shoqërore e politike, me kushte diametralisht të ndryshme midis Kosovës, e cila ishte çliruar nga Serbia dhe Luginës së Preshevës, e cila kishte vazhduar të mbetet nën thundrrën e egër antishqiptare të Serbisë.
Madje, egërsia dhe urrejtja shekullore e regjimit serb ndaj shqiptarve, ishte shtuar edhe më tepër, duke e shfryrë tërë mllefin e tyre të tërbuar antishqiptar, në këta pak shqiptar të Luginës që fatëkeqësisht, iu janë nënshtruar terrorizmit shtetëror, ushtarak, policor, administrativ e kulturor të përmasave gjenocidale, duke i shndërruar ata në komunitetin, aktualisht më të diskriminuar në Europë.
Pasojat nga ky realitet i hidhur, mbase edhe i trishtueshëm, janë katastrofale!
Shpërngulja masovike e shqiptarve nga kjo trevë, ka marrë përmasa biblike dhe fshatra të tërë janë boshatisur e janë shkret shtëpitë, pronat dhe varret e tyre stërgjyshore.
Mungesa e investimeve shtetërore, si dhe pamundësimi i zhvillimit të papenguar e normal të biznesit privat, përveç atyre që i janë lojal dhe servilë, në mënyra të ndryshme, sekrete dhe demagogjike regjimit serb.
Arsimi shqip mezi funksionon, pa tekste dhe mjete mësimore.
Bankat komerciale, shumica prej tyre janë mbyllur në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, duke e vështirësuar edhe më tepër qarkullimin e lirë të parasë dhe duke e reduktuar skajshmërisht zhvillimin ekonomik.
Gjykatat janë mbyllur në këto komuna dhe janë transferuar në Vranjë.
Simbolet kombëtare shqiptare nuk shikohen me sy të mirë nga regjimi serb.
Gjuha shqipe nuk respektohet fare në organet shtetërore të Serbisë në Luginë.
Gjithashtu, struktura nacionale e të punësuarve në organet shtetërore len shumë për të dëshiruar, etj., mos t’i numërojmë me radhë, sepse është e pafund lista e formave dhe llojeve të diskriminimit të shqiptarve në Serbi.
Në këtë gjendje dhe situatë të papranueshme të kësaj pjese të gjeografisë shqiptare, nevoitet më shumë se kurdoherë më parë ndihma dhe bashkëpunimi i ngushtë vëllazëror i shqiptarve të kësaj pjese të Shqiptarisë me Republikën e Kosovës dhe Shqipërinë.
Ky bashkëpunim, mjerisht, është larg, madje tepër larg nga nevojat dhe mundësitë reale për një gjë të tillë.
Mbase është koha që, udhëqja e re e dalur nga zgjedhjet e 24 prillit 2016 të bëj një kthesë vendimtare në këtë drejtim!
Sepse, “biznespolitika” e kaluar mbështetej kryesisht në matrapazllëqe kankulanteske dhe mafioze në vizitat Shqipërisë dhe Kosovës, për interesa të firmave sponzoruese të Ragmi Mustafës & company.
Prandaj, ata mjaftoheshin me fotografimin dhe me paraqitjen në televizion dhe media të tjera, duke thurur disa fjali të rrejshme “patriotike” dhe pastaj uleshin e bënin biznesin prej së mbari me institucionet respektive në Tiranë e Prishtinë, për llogari private.
Fodëllëku dhe arroganca e paturpësia e tyre ogurzezë, shkonte deri aty sa që ata nuk gjetën asnjë fjalë falënderimi për mbështetësit dhe protestuesit kosovarë për Luginën e Preshevës, por iu shtruan drekave luksoze të forcave politike kosovare që e kishin lënë Luginën jashtë dialogut të Brukselit dhe agjendës politike të qeverisjes dhe performansës së tyre politike.
Kjo pafytyrësi e pashembulltë politike e (anti)kombëtare e një pjese të lidershipit të Luginës së Preshevës, nuk guxon të përsëritet!
Prandaj, bashkëpunimi i Luginës së Preshevës me Kosovën dhe Shqipërinë, pikësëpari duhet mbështetur në kornizën dhe parimet e interesave gjithëkombëtare, duke respektuar spektrin e gjithëmbarshëm politik të tyre, opozitën dhe shoqërinë civile e institucionet kulturore, arsimore, administrative, sportive, etj., e jo vetëm mazhorancën qeverisëse, siç veprohej deri më tani.
Pastaj, praktika e delegacioneve megalomane, që ishin joserioze, joproduktive dhe tragjikomike të liderucave të pafund, të çdo lagjeje, duke krijuar mishmash, huti dhe parada të budallallëqeve ordinere, siç ishte rasti i para dy-tre vjetësh me rastin e vizitës së tyre në Tiranë dhe në Beograd.
Si duhen organizuar vizitat në Tiranë, Prishtinë dhe Beograd, si dhe ambasadave të miqve tanë ndërkombëtarë?
Gjithësesi në mënyrë sa më efikase, produktive dhe fitimprurëse e të dobishme për shqiptarët e Luginës. Andaj, në delegacion duhet të jenë: kryetari i komunës së Preshevës, Bujanocit, si dhe zëvendëskryetari i komunës së Medvegjës, kryetari i KNSH-së, si dhe kryetari i Trupit Koordinues të Qeverisë së Serbisë, poqese zgjidhet në atë funksion kandidati shqiptar i Luginës.
Kjo do të thotë se delegacioni nuk do të ket më tepër se pesë anëtarë, e jo si dikur që arrinte deri në 13 e më shumë anëtarë, duke i shndërruar ato vizita në cirkus dhe duke u bërë gaz i botës.
Cila do ishte agjenda e bashkëpunimit të mirëfilltë, Luginë e Preshevës-Tiranë-Prishtinë?
Agjenda e bashkëpunimit të mirëfilltë, të sinqertë e vëllazëror, duhet të jetë e qartë, e fokusuar në problemet jetike të shqiptarve të Luginës së Preshevës, prioriteti i të cilës duhet identifikuar dhe përcaktuar saktësisht sipas rëndësisë, peshës dhe urgjencës së problematikës përkatëse, në sinkroni dhe sinergji e koordinim të plotë të lidershipit të Luginës.
Kurrësesi nuk duhet lejuar vizitat pa agjendë të paracaktuar, ku delegacioni zakonisht paraqitej si një orkestër i ç’akorduar, që prodhonte kakofoni shurdhuese e shterpe të defilimeve demagogjike të bashibozukëve të papërgjegjëshëm e analfabetë, të nivelit më të ullët të mundshëm e kompromitues të përfaqësimit të kësaj pjese të Shqiptarisë, siç ishte situata e vizitave reth Lapidarit të UÇPMB-së, marrjes së vendimit unik për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare, etj.
Atyre u nevoitej kohë maratonike që ta merr fjalën secili veç e veç dhe nuk linin hapsirë dhe kohë të nevojshme për këshillat e nikoqirëve.
Pastaj, kur ktheheshin nga ato takime, secili e interpretonte vizitën në mënyrë të ndryshme nga tjetri, duke e shtuar edhe më tepër konfuzionin dhe tensionet politike, si dhe pakënaqësinë dhe dëshprimin dhe zhgënjimin e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare me lidershipin e papërgjegjshëm, arrogant e demagogjik të Luginës.
Agjenda kryesore e vizitave të lidershipit të Luginës së Preshevës në Tiranë, Prishtinë, si dhe në Beograd dhe me ndërkombëtarët, duhet të përfshijë:
* Kërkesën unanime, të vendosur dhe të palëkundur për përfshirjen e çështjes së shqiptarve të Luginës së Preshevës në Dialogun e Brukselit, si të barabartë me atë të serbëve të Kosovës;
* Insistimin për realizimin e plotë të Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për Luginën e Preshevës, të 6 qershorit 2013;
* Fokusimin në problemet reale dhe konkrete të arsimit, shëndetësisë, zhvillimit ekonomik, punësimit, etj., si dhe me formimin e premtuar të Fondit për zhvillim të Luginës;
* Disiplinën dhe përgjegjësinë për artikulimin dhe prezentimin e problemeve, por edhe për zbatimin e suksesshëm të rekomandimeve dhe këshillave e detyrave që rezultojnë nga ato takime, për secilën çështje konkrete, si dhe për angazhimin e përgjithshëm të pushteteve lokale në këto tri komuna në realizimin e politikave përkatëse;
* Vend të rëndësishëm në ato takime duhet të ket edhe pozita e studentëve shqiptarë në Shqipëri e Kosovë, si dhe gjendja e shqiptarve të Luginës atje;
* Hapja e konsullatës shqiptare dhe të zyres së Kosovës në Luginë, do ishte “conditio sine qua non” (kusht i domosdoshëm) për zbatimin e politikave përkatëse dhe për ndihmë efikase të Shqipërisë dhe Kosovës për Shqiptarët e Luginës së Preshevës, etj.
Shpresojmë se po vijnë ditë më të mira të bashkëpunimit të mirëfilltë vëllazëror dhe të mbështetjes e ndihmës institucional e shtetërore të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për Luginën e Preshevës.
Pallavropolitika demagogjike e antikombëtare, si dhe mospërfillja, mossinqeriteti e mosbashkëpunimi i sinqertë e vëllazërorë midis Luginës së Preshevës dhe Shqipërisë e Kosovës, duhet të merr fund definivisht, duke ia hapur rrugën një etape të re të perspektivës së mirëfilltë e shpresëdhënëse të kësaj pjese të Shqiptarisë, për një të ardhme më të sigurtë dhe më të lumtur, në vatrat e tyre stërgjyshore, të trashëguara “den baba den”!