Lajme

Në shtator pritet të hapet pika kufitare që lidhë Kamenicën me Medvegjën

Nën kryesimin e ministres për Dialog, Edita Tahiri, delegacioni i Kosovës ka zhvilluar takimin e radhës trepalësh të ndërmjetësuar nga BE për zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë, njofton kumtesa ministrore, transmeton Koha.net.

Temë qendrore e këtij takimi ishte shqyrtimi i progresit për procesin e ndërtimit të ndërtesave të përhershme të IBM-së.
Kryesuesi i BE-së, Bernd Thran, në takim theksoi rëndësinë e progresit të arritur, duke vlerësuar si një zhvillim shumë të rëndësishëm për rritjen e efikasitetit në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit.

Delegacioni i Kosovës prezantoi progresin e arritur në përmbushjen e obligimeve të saj, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin konstruktiv me UNOPS-in dhe zyrën e BE-së në Kosovë. .
Delegacioni i Kosovës konfirmoi se është hartuar plani i dinamikave të ndërtimit, është arritur pajtueshmëria për projektimin dhe janë diskutuar detajet e funksionimit sa më të përshtatshëm të pikëkalimeve kufitare sipas standardeve më të larta për autoritetet shtetërore që operojnë në pikë kalime kufitare.
Në takim u raportua edhe për hapat e bërë në hapjen e pikëkalimeve të reja kufitare, Kapi e Sfircës që lidhë komunën e Kamenicës me Medvegjën dhe Izvor në pjesën veriore, me ç‘rast të dy palët konfirmuan hapjen e këtyre dy pikë kalimeve të reja kufitare deri në fund të muajit shtator 2016.

Po ashtu u diskutuan edhe aspektet tjera që ndërlidhen më bashkëpunimin ndërkufitarë të policive, doganave dhe agjencive tjera që funksionojnë në kufirin në mes të dy shteteve, sidomos lehtësimi në qarkullimin e qytetarëve tanë gjatë sezonit së verës që e përdorin Serbinë si vend transit.

Related Articles

Back to top button