Abdullah Haxhi Veliu i lindur më 18 shkurt 1896, para 115 vjetëvë, në Preshevë.
Abdullah Haxhi Veliu rjedh nga një familje e pasur tregëtarësh të Preshevës. Edhepse ishte tregtar, për Abdullah Veliun, popullata e Preshevës dhe më gjerë, sidomos Malësia e Preshevës gjithmonë foli fjalë të mira. Abdullahu Veliu, jo vetëm që ishte humanist, ndihmonte popullatën e varfër, ai ndihmoi edhe Lëvizjen kombëtare. Bile ishte atdhetar i devotshëm për çështjen shqiptare.
Abdullah Haxhi Veliu ishte themelues i Lëvizjes Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim të Trojeve Shqiptare, e cila u themelua më 1941, në Shkup. Abdullahu ishte një krerë nacionalist, intelektual i kohës dhe figurë e nacionalizmës shqiptare, e cila gëzonte autoritet të madh tek popullata shqiptare në Preshevë dhe më gjerë.(Qerim Lita, e njëjta, f. 205)
Sipas disa informatave dhe dëshmitarëve thuhet se Abdullah Veliu i mbante lidhjet e Komitetit të NDSH në rajonin e Preshevës me Shaban Efendinë e Kumanovës.
Për punën e palodhshme atdhetare të Abdullah Veliut mori vesh edhe policia bullgare. Andaj më gusht të vitit 1942, ajo e arrestoi Abdullah Veliun me 28 qytetarë të tjerë të Preshevës, tregtarë dhe personalitete të tjera, më me ndikim në radhët e shqiptarëve. Atëherë Nijazi Kurbalia punonte sëbashku me Abdullah Veliun dhe kryente rolin e tregtarit, por edhe mbante lidhjet në mes të anëtarëve të Lëvizjes Kombëtare. Me të marrë vesh për burgosjen e Abdullah Veliut, ai shkon në shtëpinë e Shaban Efendisë, për të intervenuar që të lirohet nga arresti Abdullahu. Shaban Efendia e merr shumë seriozisht këtë punë, mirëpo për shkak se vet nuk mundi të shkonte në Shkup, ai e luti Mulla Dullën e Kumanovës të shkojë deri në Shkup, për të intervenuar te Hamit Kokollari, konsul i Ambasadës së Shqipërisë në Shkup. Më vonë, sigurisht me intervenimin e tij u liruan të arrestuarit sipas listës së Shaban Efendisë.
“…Shaban Efendi në shtabin e Sylë Hotlës i dërgoi njerëzit e tij më të afërt, siç ishin : Azem Hoxha, Mulla Hajdari, Adem Shiti, Abdullah Veliu, Refik Tairi, Mulla Xhaferi etj.”(Qerim Lita, e njëjta, f. 149). Këtu vërtetohet dhe qëndron rëndësia e atdhetarizmit të Abdullah Veliut.
Në informatën e UDB-së së Bujanocit, gjerësisht përshkruhet aktiviteti politik i Abdullah Veliut, veç tjerash thuhet :”Gjatë kohës së reaksionit shqiptar nga shtatori deri në pjesën e dytë të nëntorit të vitit 1944, ai u dallua si nacionalistë me vet faktin që ishte në reaksionin shqiptarë. Ai nën flamurin e reaksionit shqiptarë doli mbi Preshevë, në fshatin Buhiç, që ta presë ushtrinë shqiptare…Gjatë kohës së okupacionit ka udhëtuar për Shkup. Qëllimi i udhëtimit nuk na është i njohur. E dimë vetëm atë se gjatë kohës së okupacionit në këto ka ekzistuar Lëvizja e Bashkimit të këtyre viseve me Shqipërinë.”(Qerim Lita, e njëjta, f. 209)
“Në shkurt të vitit 1945, pas LDB në Preshevë qëndronte një atmosferë e pa durueshme, në realitet flitej e bisedohej se Presheva kujt do t’i bashkangjitet, do të mbetet me Maqedoni apo do ta marre Serbia. Kështu këto brenga i pati edhe Hafëz Luta me Hafëz Beqirin, të cilët shkuan në shtëpinë e Ymer Efendiut dhe në prani të tij kërkuan nga Ali Aliu që t’i mundësojë një takim me Abdullah Krashnicën. Pos këtyre, në këtë bisedë ishte prezent edhe Abdullah Haxhi Velia. Në bisedë i pari e mori fjalën Hafëz Beqiri, i cili tha se njerëzit nuk dojnë të mbesin as me Maqedoni, po as me Serbi, por dojnë ti bashkangjiten Kosovës. Mirëpo sipas kujtimeve të Ali Aliut, Abdullah Krashnica nuk i dha kurrfarë garance lidhur me fatin e Preshevës. Kështu edhe mbaroi ai takim i shkurtit 1945.” (Skënder Latifi, Përtej ferrit(Bisedë me Ali Aliun), Prishtinë, 2008)
“Atëbotë, vila ishte ndërtesa më e bukur e lagjes tonë. Kishte dhe shtëpi tjera, të larta e të ndritshme, por përtej mureve të tyre s’ kishte ndodhur asgjë që të konsiderohej historike. Me vilën ndryshonte puna. Ajo s’ ishte “ historike”sepse ishte e bardhë dhe dykatëshe, por sepse pronari i saj, Abdullah agë Velia, e kishte pagëzuar me emrin e gocës së madhe, Letafetes. Kjo kishte ndodhë në kohën e Kralit, kur Mbretëria Serbe bënte gjithçka që t’ i dëbonte shqiptarët nga Presheva dhe aga Abdullah, si shqiptar që ishte, duhej t’i shiste arat e të ikte në Turqi. Por ai nuk luajti nga vendi dhe atë kryeneçi shqiptare e pagoi me lloj lloj gjobash.
Sa për fillim, të gjithë ata që kalonin atej pari, duke filluar nga bullgarët e Car Borisit e deri te partizanët e Marshal Titos, e përdornin vilën si kuvli të ushtarakëve të lartë. Sapo mbaroi Lufta e Dytë Botërore, vilën ”Letafet” e konfiskuan organet e pushtetit lokal dhe banesat e saj ua dhanë arsimtarëve të ardhur nga Vranja dhe Piroti. Më vonë, pas ikjes së këtyre të fundit, në katin e saj të poshtëm ia behën edhe ca familje shqiptare. Në mezin e tyre ishte edhe familja e Mark Gashit, referentit për arsim kulturë.”( Ramadan Rexhepi, Të regjura në llumin e kafesë.
Abdullah Haxhi Veliu tregtar i njohur në relacionin Preshevë-Selanik, e ngulfasin forcat komuniste pas triumfit në LDB, i marrin, i konfiskojnë, i nacionalizojmë shumë prona të tij.
Pas mbarimit të LDB, në Sekretariatin e Këshillit të Frontit të Rrehit, z Abdullah Veliu nga Presheva, zgjidhet nënkryetar, edhepse nuk ishte anëtar i Frontit, por pse gëzonte autoritet dhe popullaritetit në popullatën shqiptare.
“Abdullah Veliu ishte tregtar i madh, shiti një magazinë të madhe në Shkup për ta ndihmuar vendin, popullatën shqiptare. Presheva është e vogël, por ka njërëz të mëdhenj, Abdullah Veliun e tjerë. Ishte pronar i “Villa Letafet” që e ndërtoi Abdullahu i Haxhi Velisë që më vonë luajti rolin e shkollës së parë shqipe, ku Hilmi Qerimi (Recki), preshevarëve të vegjël ia mësoi alfabetin e Manastirit.” (Agron Boriçi, Sherri i Preshevës në derë të Stambolit, Preshevë, 2001, f.35)
Me Abdullah Veliun në Preshevë e rrethinë lind borxhezia e re, me te si pjesëtar i saj, borxhezia nuk kishte për qëllim gllabërimin dhe shfrytëzimin e popullatës, por ndihmën e e saj. Për këtë humanizëm, edhepse nga mësimet teorike thuhet se borgjezia asnjëherë nuk mendoi dhe praktikoi humanizëm nda popullatës, por tek Abdullah Veliu kemi virtytet e humanistit dhe ndihmëtarit të popullatës. Për këtë flasin shumë shembuj nga jeta e popullatës së Preshevës dhe Rrehinës. Shumë banorë të Malësisë së Preshevës tregojnë për ndihmat që u bëri Abdullah Veliu kësaj popullate, duke i dhënë hua në pare dhe mallra. Poashtu në bisedë më Haxhi Isa Latifin e ndjerë, mësova se në vitin 1945 e ndihmoi me 4.ooo dinarë familjen e Ramadan dhe Qemal Begajve të Abës Hazbije, të shkuar në Shkup, edhe ate për Ditën e Bajramit.
Për humanizmin e Abdullah Haxhi Velisë u vërtetua edhe autori i këtyre rreshtave. Më 1977 isha drejtues i Universitetit të Punëtorëve në Preshevë, në kuadër të cilit punonte edhe SHKA “Abdullah Krashnica”. Në kuadër të saj ekzistonte edhe Grupi i Valltarëve, të cilit për koncerte i duhej veshje kombëtare dhe plisat. Një ditë të vitit 1977, mora rrugën për Shkup dhe drejt e në Bit-Pazar për të blerë plisa. Në dyqanin e parë që hyra më priti shitësi me miredita. I tregova për blerjen e plisave dhe menjëherë ra pyetja nga të kemi bre djalë. U përgjigja nga Presheva. Po bash nga Presheva. Po, i thashë. Më tha : Burra të mirë ka Presheva. Nuk fola. Vazhdoi e tha, a e ke njohur Abdullah Veliun. Ia ktheva, po. Me admirim të madh tha : Tregtar edhe i ndershëm dhe tri herë e përsëriti. Më erdhi mirë, fjalë miradije. Pastaj pyeti për familjen, për dy djemtë e Abdullah Veliut. Ky ishte Ibrahim Meça, djali i Hetem Meçës, tregtar në Preshevë me Abdullah Krashnicën dhe atdhetar i njohur. E ndihmoi Lëvizjen kombëtare, por edhe Luftën Antifashiste në Preshevë.
Shkruar dhe përgatitur nga: Xhemaledin SALIHU-Preshevë