Lajme

“SHËRBESTAR I SHQIPTARISË SKENDER KADRI – PRESHEVA”

Përkundër 102 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë,  rreth 100 vjetorit të luftës së Parë Botërore dhe 70 vjetorit të përfundimit të luftës së Dytë Botërore, ende shumë prej arsyeve dhe qëllimeve nuk janë zbardhur për shkakun dhe synimet e promotorëve të këtyre njarjeve. Si rezultat i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, shumë prej trojeve shqiptare dhe vendbanimeve që kryekëput banoheshin nga shqiptarët u lanë jashtë kufijve administrativë që u caktuan nga qarqe të huaja të njohura për ne. Pasojë e kësaj ishte se, më shumë se gjysma e territoreve të shqiptarëve që ishin ndarë në katër vilajete mbetën jashtë juridiksionit shtetëror të Shqipërisë, dhe bënin pjesë kryesisht në ish – Jugosllavi, Greqi, etj. Situata e re e krijuar solli mjaft reaksione zinxhirore me rezultate fatale sidomos për popullin shqiptar që bënin pjesë jashtë shtetit administrativ shqiptar. Filluan menjëherë shpernguljen si pasojë e trysnimeve dhe pasigurisë, instalimit të regjimeve dhe pushtetarëve të rinj që kryesisht mbanin qëndrime jo dashamirëse për popullin shqiptar. Këto dhe shumë arsye të tjera të ngjashme, ndikuan që një pjesë e madhe e shqiptarëve të shpërnguleshin në Turqi, Egjipt dhe shtete të tjera evropiane, por edhe brenda kufijve administrativ të Shqipërisë.  Situata e shpërnguljes-emigrimit të shqiptarëve nga trojet e tyre po vazhdon edhe sot, mirëpo jo përmes luftës fizike, por përmes faktorëve të tjerë, ku më kryesorët ai I sigurisë, social e ekonomik.

Për ribashkimin e trojeve të shqiptarëve, ndaljen e gjenocidit nga sisteme e regjime të ndryshme, parandalimin e shpërnguljes-emigrimit, zhvillimin dhe ngritjen e pozitës shoqërore e arsimore të shqiptarëve, pengimin e asimilimit dhe humbjen e  trashëgimisë e vlerave kulturore shqiptare, kontribuan shumë shërbestar  atdhedashës. Me rrethanat e reja që u krijuan nëpër trojet shqiptare, kërkohej veprim, maturi e guxim për iniciativa sa do simbolike të kenë qenë ato. Me krijimin e qeverisë së parë shqiptare, pas shpalljes së pavarësisë, plaku i mençur dhe diplomati Ismail Vlora bëri një kabinet qeveritar gjithëpërfshirës duke përfshiu patriotë nga të gjitha viset shqiptare dhe nga të gjitha përkatësitë fetare. Përveç angazhimeve të tjera, shumë prej ministrave  në këtë qeveri kishin detyrë të kujdeseshin edhe për shqiptarët e mbetur jashtë kufijve administativ. Pjesë e shpalljes së pavarësisë ishte edhe atdhetari ynë nga fshati Rahovicë   Durmish Osman Presheva .  Mirëpo, ngjarjet që pasuan me shpërthimin e luftrave botërore, shumë prej planeve dhe iniciativave pë ribashkimin e trojeve shqiptare nuk patën sukses. Me pushtimin e Shqipërisë në vitin 1939, ndryshoi ecuria e zhvillimit dhe konsulidimit të shtetit jo edhe aq stabil e të forcuar në të gjitha strukturat.

Në prill të vitit 1939 Italia e okupoi Shqipërinë. Okupimi ishte rezultat i ultimatumit me të cilin Shqipërisë iu imponua bashkimi me Italinë, pas së cilës fshihej qëllimi i bashkangjitjes së Shqipërisë me Italinë. Mbreti Zog e refuzoi ultimatumin, dhe kjo i dha arsye Musolinit që ta sulmojë Shqipërinë. Më 7 prill të vitit 1939, afër 40.000 ushtarë italianë u zbarkuan në limanet kryesore të Shqipërisë: në Durrës, Vlorë, Sarandë dhe Shëngjin. Rezistenca e ushtrisë shqiptare të papërgatitur dhe të armatosur dobët, u mposht shpejt dhe në ditën e ardhshme ushtria fashiste marshoi në Tiranë. Pastaj rodhën ndryshime apo lëvizje të mëdha politike e ushtarake. Më 16 prill u thirr “Kuvendi kushtetues” i improvizuar i cili e pezulloi dinastinë mbretërore shqiptare dhe kushtetutën, duke e shpallur “bashkimin” e Shqipërisë me Italinë nën kurorën e perandorit italian Emanuelit III. Në të njëjtën ditë u formua edhe qeveria kuislinge shqiptare në krye me Shefqet Vërlacin. Plejad e tërë shërbetorësh punuan që në forma e situata të ndryshme gjatë viteve t’i ofronin qëndrimet për idealet e qarta dhe të pastra për bashkimin e tokave shqiptare në një shtet administrativ. Këto qëllime kishin edhe dy lidhjet e Prizrenit, ajo e Pejës dhe shumë takime, kongrese e mbledhje legale e ilegale si brenda Shqipërisë ashtu edhe jashtë saj. Brezat vijnë e shkojnë, disa të drejtë e disa të shtrembër, por atdhetarët nuk përulen dhe me flakën e kuqe gjithmonë ndezur na thanë: nga kjo anë është rruga.

Kyetari i qeverisë bullgare së bashku me ekipin e tij zhvilloi një takim në Romë me Mosolinin dhe kontin, ku biseduan lidhur me ndarjen e  territoreve të pushtuara. Për këtë qëllim u formua një komision qeveritar bullgaro-italian për caktimin e kufijve. Ky komision filloi punën gjatë vitit 1942, takimin e parë e patën në Tiranë, ndërsa të dytin në Shkup më 7 shtator 1942. Por, pas caktimit të kufirit në terren, erdhi deri te një incident i rëndë në mes ushtrisë bullgare dhe italiane në vijën kufitare mbi fshatin Zhelinë, ku pati disa të vrarë nga të dy palët. Ky kufi i caktuar nga pushtuesit italo-bullgarë, kurrë nuk do të pranohet nga forcat nacionaliste shqiptare, në krye me komandantin e njohur të Pollogut Xhemë Hasë Gostivarin, që më vonë me formimin e aradhave të para të ushtrisë së ”Ballit Kombëtar” të udhëhequra nga ky komandant do të jetë, territori më i sigurtë në aspektin e shtetësisë, të ashtuquajtur ”Shqipëria e lirë”. Balli udhëhiqej nga Mitat Frashëri nga Tirana, dhe antarët e tij I thëriste si shërbëtor e disa raste edhe shërbestar të shqiprisë, po ashtu në raste të tjera edhe si ballista. Nga atmosfera e re e krijuar në fushën e pollogut, një pjesë e madhe e qyteteve shqiptare dhe teritore të gjëra ishin nën menaxhimin dhe kontrollin e Ballit.

Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve, pjesë e madhe e ajkës së intelektualëve shqiptarë në krye me Mithat Frashërin themeluan Nacionalizmën e Parë, organizatën “Balli Kombtar”.Ishte e nevojshme që të themelohet një organizatë e tillë si qëllim kryesor që kishte mbrojtjen, bashkimin dhe lartësimin e Shqipërisë etnike. Këta synonin të ishin organizatorë dhe rregullatorë të çështjes shqiptare. Në 41-shën u riformua Fronti Nacional ”Balli Kombëtar” dhe siç e përmendëm edhe më lartë në këtë lëvizje ishin shumica e pjesës intelektuale, personalitete të njohur që nuk e kursyen as veten e fëmijët e tyre, bënë ç’mos të mos i nënshtroheshin armikut shumë të fuqishëm italo-bullgar dhe prej veprimit  të brendshëm komunist, pjesë e të cilë ishin jo edhe pak shqiptarë.  Ky veprim i brendshëm komunist e çonte popullin në gojë të një sistemi absolutist. Pasi ky sundim i ri 50 vjeçar nuk ndryshoi fare nga sundimi i vjetër jugosllav, vetëm e ndërroi emrin në sundim ”proletar komunist-titist”.

Si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve politike e ushtarake, u krijuan mundësi të reja veprimi për realizimin e qëllimeve të popullit shqiptar. Por, nuk shkoi gjatë dhe shqiptarët u gjenden të ndarë në dy tabore kundërshtare, normalisht të nxitura nga qarqet e errëta antishqiptare, që synonin që Shqipërinë ta shihnin si vasalë të shteteve sllave. Edhe pse në këtë situate, ndikimi i pushtetit të strukturave të monarkisë shqiptare nuk qe i vogël. Një ndikim të tillë kishte edhe Ministri i shtetit për tokat e liruara (Fejzi Alizoti), ku jo drejtpërdrejt kishte të  bënte me personalitetin tonë, por ishte bashkëpuntor i atyre që ishin zgjdhur prej tij, në territoret, ku vepronin forcat shqiptare e që njiheshin edhe si territore me rrugë më të sigurta e qarkullim të lirë. Komandant i përgjithshëm ishte Xhemë Gostivari, ai bashkëpunoi me mjaft komandantë e personalitete të shquara shqiptare. Ndërsa në anën e Kërçovës, ushtarakisht ka bashkëpunuar me Mefailin e Madh dhe Mefailin e Vogël, Skender Preshevën e Afmet Haxhisadikun, ndërsa në Strugë me rrethinë Komandant Xhema ka bashëpunuar me: Nazim Tateshin, Faik Dobovjanin, Murat Labunishtën e shumë të tjerë V.Xh.  Përmes këtyre funksionarëve shtetëror “qeveria shqiptare” deshironte të administronte dhe kontrollonte trojet shqiptare që ishin nën pushtetin italian apo atyre ku ishin tërhequr bullgarët. Përmes këtij ministri, monarkia shqiptare “qeveria shqiptare” lëshonte dekrete përmes të cilëve emëronte prefektët dhe funksionarët e tjerë nëpër bashkitë dhe komunat e liruara. Në fillim të luftës së Dytë Botërore, situata politike dhe ushtarake dita- ditës bëhej shumë e ndërlikuar në fushën e Pollogut. Qarqet sunduese bullgare asesi nuk mund të pajtoheshin me caktimin e kufijve, pasi me këtë ndarje fusha e Pollogut i takonte Italisë, e jo Bullgarisë, e cila ëndëronte krijimin e Bullgarisë së Shën Stefanit, të krijuar nga diplomacia ruse më 3 mars 1878, ku nën patronatin e saj bënin pjesë pastër territore shqiptare nga Shkupi deri në Elbasan. Poashtu duhet theksuar se edhe emisarët sllavo -maqedonas që jetonin në këto treva edhe pse në një numër simbolik, nuk pushonin me protesta e memorandume, duke bërë publike kërkesë se me ”vullnet të vetin dëshirojnë të hynë nën sundimin bullgar”. Por, veprimtaria e patriotëve shqiptarë ishte shumë më specifike, por e organizuar mirë nga veprimi i hapur, antishqiptar, të sllavëve të vendit, që ishin të ndarë në dy formacione: njëri formacion përkrahte qarqet fashiste bullgare dhe rryma e dytë proserbe ishte e lidhur ngushtë me ideologjinë komuniste, që në atë kohë koordinohej nga politika hegjemoniste serbe, me qendër në Beograd.

Të përmbledhësh me pak rreshta gjithë ato ngjarje të shumta të asaj periudhe kohore duhet detajizim preciz dhe secila ngjarje kërkon qasje shkencore dhe ballafaqim me fakte historike. Këto ngjarje sidomos dy dekadat e fundit kanë filluar të dalin në dritë nga shumë historianë, shkrimtarë, hulumtues e patriotë. Kështu që nuk do të fokusohemi më gjërësisht në këto periudha kohore, por në rolin dhe rëndësinë e disa prej akterëve të asaj kohe. Nga praktika e tillë nxori në shesh mjaft patriotë e atdhetarë që ishin direkt apo indirekt të përfshirë në Ballin Kombëtar sepse të gjitha emërimet që bëheshin kryekëput, kishin të bënin me strukturat e Ballit. Fat për një përgjegjësi të tillë në këtë periudhë kohore pati edhe një personalitet i shquar nga Presheva që ishte Skender Hasan Kadriu. Ky ishte një personalitet mjaft aktiv gjatë periudhës së luftës së Dytë Botërore, por shumica e veprimtarisë së tij mbeti mister, ose ajo që doli shpesh herë binte ndesh me faktet historike. Por, sigurisht që me hapjene  dosjeve dhe hulumtimine  arkivave shumë prej ngjarjeve dhe personalitete të asaj periudhe kohore do ta marin respektin e merituar, sipas vlerave që u takojnë.

Vendlindja dhe prindërit
Skender Hasan Kadriu, i njohur ndryshe si Skender Presheva sidomos nga shqiptarët e Maqedonisë (me qëllim identifikimi me vendlindjen e tij), por njihej edhe si Skender Licka sidomos në Preshevë (sepse kishte edhe Skendera të tjerë, dhe shtesa e dytë ishte shkurtesa e nënës së tij). Nëna e tij ishte me kombësi joshqiptare dhe nga të gjithë familjarët njihej me emrin Licka. Emrin zyrtar nuk kemi arritur ta kuptojmë nga asnjë dokument që  posedojmë, por edhe të intervistuarit lidhur me këtë çështje nuk dinin më shumë. Skender Kadriu lindi në Preshevë më 22.12.1918, në një familje bujare e me respekt nga i gjithë rrethi . Babai i tij Hasan Kadriu – Leshi (arsyeja e kësaj nofke ishte se Hasani mbante mjekër të madhe), ishte me fis Sop, ndërsa ndarjes në mahalla siç njihen në Preshevë i takonin asaj të Shehhalilëve. Ky kishte dy gra, por jo njëkohësisht, sipas nipit të tij Agim Sinani ,ai me gruan e pare (Deskën) kishte edhe një vajzë.  Por si gruan ashtu edhe vajzën ua kanë eleminuar me metoda klasike të torturimit e helmimit gjatë burgimit të hershëm të Skenderit. Ndërsa pas kthimit, ai martohet me një vajzë nga Presheva (Sanijen), me të cilën krijuan familje e jetuan deri në pleqërinë e vonë së bashku. Ata kishin dy djem: Hasanin dhe Skyfterin.

Arsimimi
Shkollimin fillor e kreu në Preshevë, ndërsa të mesmen në Shkup në medresën e madhe të Aleksandrit (sipas dëshmisë gojore të Ruzhdi Ymerit dhe Sadri Qazimit, vitin kur ishte në medrese ishte rreth 40/41), ku shumë prej veprimtarëve të asaj kohe dhe më vonë morën njohuritë e para nga mësimdhënësit dhe shokët për kauzën kombëtare dhe rrethanat aktuale politike të kohës.  Pas kësaj kohe, ai nuk mundi ta vazhdoj shkollimin e lartë për arsye të ngjarjeve të asaj kohe, por i vazhdoi ato pas mbarimit të luftës dhe një pauze të gjatë. Tek në vitet e fundit të 60-ta, ai e regjistrohet në shkollimin e lartë në Akademinë pedagogjike në Shkup. Në vitin 1970 ai fitoi titullin arsimtar i gjuhës frënge, profesion me të cilin punoi deri në pension. Sipas dëshmisë gojore të Skender Ymerit (arsimtar i gjuhës shqipe në pension nga fshati Rahovicë), lidhur me dëshirën e Skender Preshevës për studimet që kishte dashur t’i ndjek ishte: “ Më ka pëlqyer ta studioj gjeografinë, por e kam ditur se aty nuk dotë rrija pa përmendur tokat shqiptare dhe kështu sërisht do të gjendesha në burg, më ka pëlqyer ta studioj historinë se kam njohuri nga ky aspekt, por sërish këtu çështja shqiptare dhe do ta kisha përsëri në ndjekje regjimin, më ka pëlqyer gjuha shqipe për studim, por edhe aty nuk do të rrija pa i shpjeguar rilindasit tanë dhe këto gjëra bënin kërcënim për regjimin, kështu që vendosa ta studoj gjuhën frënge që të isha më neutral me nxënësit sa i përket çështjeve kombëtare”. Gjithashtu nga dëshmia gojore e Ali Aliut (veprimtar i asaj kohe nga Presheva), Skender Kadriu  së bashku me Selami Hallaçin kishin shkuar gjatë fillimit të luftës në Korçë për ta mbaruar seminarin për metodat e mësimdhënies së përgjithshme dhe gjuhës shqipe. Ky nuk ishte polyglot, por sipas Skender Ymerit ai njihte dhe komunikonte mire në gjuhën turke, italiane, gjermane ndërsa këto ballkaniket i komunikonte rrjedhshëm.

Aktiviteti në Kërçovë në pozita të rëndësishme
Si njeri vizionar e me pikpamjet e tij afatgjate në rrafshin e çështjes kombëtare, Skender Presheva ushtroi funksionin e tij politik dhe jo vetëm në Kërçovë të Maqedonisë, atë kohë si territor i liruar nga forcat e Ballit. Nga zhdërvjelltësia dhe kontaktet me miqtë që ishin të sfiduar me problematika të ndryshme të çështjes kombëtare, Skender Presheva u gjend në një qytet larg prej atij të vendlindjes për ta dhënë kontributin e tij të pakursyer për zhvillimin dhe ngritjen nivelit ekonimik, arsimor kulturor e social të atyre trevave.Në atë periudhë kohore, shumica e struktures udhëheqëse zgjidhej apo vendosej me dekret shtetëror nga monarkia e shtetit shqiptar ose prej struktures udhëheqëse të Ballit. Pastaj këta të zgjedhurit angazhonin njerëzit e tyre të besueshëm nëpër pozitat konkrete të pushtetit.

Skender Kadri - Presheva.AL
Skender Presheva gjatë kohës si profesor në vitin 1944

Edhe pse pak dokumentacion arkivor i kohës në gjuhën shqipe, megjithëatë arrihet që të dëshmohet si prej dokumenteve zyrtare të arkivit shtetëror shqiptar dhe nga arkivat e palës maqedonase, por edhe prej komisarëve e analistëve të kohës se Skender Presheva, kishte rol dhe pozita në administratën e asaj kohe të Kërçovës, e cila ishte pjesë e prefektures së Dibrës, ndërsa më vonë në prefekturën e Tetovës. Pra, emërimi me dekret bëhej për prefektin, ky pastaj zgjidhte nënprefektët që i bie që ata luanin rolin e kryetarëve të komunave kurse ai kryetarin e rrethit/qarkut. Kështu që Skender Presheva ishte nënprefekt, në disa dokumente si zëvendësprefekt, në disa të tjera si sekretar ndësa në disa të tjera si zëvendës I nënprefekit. Mirëpo, në njërin prej dokumenteve në gjuhën maqedonase të datës 29.06.1944 me titull “ Raport prej Jellica Najdeska –Alleksoska, sekretare e komitetit vendas Kërçovë  drejtuar komitetit të rrethit të Kërçovës”,  sqarohen rrethanat dhe ngjarjet e asaj kohe. Gjithashtu ajo thekson se më datë 27 qershor të këtij viti është ristrukturuar Këshilli komunal që kishte 12 anëtarë, ndërsa tash ka 9 anëtarë që kanë përgjegjësi dhe kompetencë të kujdesen për sigurinë dhe zgjedhjen e strukturave të udhëheqjes. Nga kjo kuptohet se ky Këshill si prefekt të Kërçovës kishte zgjedhur Skender Preshevën (pra në mbledhje e 27.06.1944 si nënprefekt emërohet Skenderi e jo si prefekt se prefekti i takonte Tetovës, se në atë kohë ky vend bënte pjesë në prefekturën e kësaj). Ndërsa në dokumentin e siguruar nga akrkivi i shtetit shqiptar të nënshkruar nga vet Skender Presheva, është në pozitën e nënprefektit. Dokumenti është i datës 27 kurse muaji nuk dëshifrohet nga vjetërsia kurse viti është 1944. Këtu Skender Presheva i drejtohet Ministrisë së brendshme, konkretisht Drejtorisë së personelit në Tiranë. Përmbajtja e dokumentit, e cila mban edhe vulën e prefektures flet për gjendjen aktuale të administratës së prefekturës dhe kërkesave për dërgimin e sekretarëve dhe sqarime të tjera të kohës.  Poashtu nga ky dokument vërehej se këta i takonin administratës së Shqipërisë sepse në krye të dokumentit është emblema e shtetit me mbishkrimin ’’Shteti Shqiptar Nënprefektuara e Kërçovës’’. Dokument tjetër mjaft i rëndësishëm për atë kohë gjithashtu i siguruar nga hulumtimet e Kastriot Dërvishit nga Tirana në arkivin shtetëror, ku Skender Presheva ceket si nënprefekt, kryefamiljar e 32 vjeçar (bazuar në datëlindjen zyrtare, ky në këtë kohë duhet ti kishte 26 vjeç, por aso kohe kanë ndodhur shumë gjëra të ngjashme). Dokumenti mban titullin “Lista e nënpunësve bashkë me pjesëtarët e familjes që kanë drejt të marrin bukë e që shërbejnë pranë kësaj prefekture”, vërtetuar (nënshkruar) nga Ethem Sylejmani në cilësinë zëvendësekretarit të nënprefekturës. Gjithashtu, aty përmenden edhe tre anëtarët e tjerë të familjes së Skenderit si shoqja, biri, nëna. Ndërsa në një dokument në gjuhën maqedonase i përkthyer nga ajo shqipe i datës 26.04.1944,  lëshuar nga institucionet e shtetit shqiptar konkretisht nga Komanda e Xhandarmërisë Shqiptare – komanda e rrethit të Xhandarmërisë Kërçovë. Lënda e dokumentit mban titullin “Shkresë nga Skender Presheva, zëvendësnënprefekt i nënprefekturës –  Kërçovë, për komunën e Kërçovës, përgjigje letrës nga Komanda e xhandarmërisë së rrethit”. Këtu bëhet njoftimi se emrat e muzeu objekti ku ka punuar - Skender kadri Preshevashitoreve janë në gjuhën italiane ose sërbe, e kërkohet të merren masat për përmisimin e kësaj gjendjeje.  Pavarësisht infrastruktures së kohës dhe zhvillimit ekonomik të asaj kohe, mundohej të funksiononte në kushte normale. Skenderi zyren e tij të punës e kishte në objektin e nënprefekturës që tashmë luan rolin e muzeut. Kjo dëshmohet nga fotografia e siguruar nga drejtori i muzeut të Kërçovës Ilmi Veliu. Për funksionin dhe rolin e Skender Preshevës mund të bisedosh me secilin nga banorët më në moshë të këtij qyteti të Maqedonisë që tash pas 70 vitesh udhëheqet nga një kryetar shqiptar prej asaj kohe, kur funksionimi i prefektures dhe nënprefekturës u shua, dhe pushtetin e morën komunistët e Jugosllavisë këto dhe shumë qytete të tjera shqiptare i qeverisnin sllavo-maqedonasit. Administrata e asaj kohe që ishte nën kontrollin e shtetit shqiptar,  përveç organizimit ushtarak për mbrojtjen dhe sigurinë e popullatës së këtyre trojeve, u angazhua dhe kujdes edhe për zhvillimin e ngritjen e nivelit të arsimit të popullatës së këtyre trojeve, ku hapën disa shkolla me mësimdhënës vendas e të ardhur nga Shqipëria. Poashtu punuan edhe për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe nxitjen e popullatës për zhvillimin e sektorit të bujqësisë e blegtorisë, që aso kohe ishin burim thuajse i vetëm mbijetese, përjashtuar tregëtinë dhe të punësuarve të pakët në strukturat administrative shtetërore. Në mungesë të dokumentacionit të kohës sidomos atë në gjuhën shqipe, sepse ai në maqedonisht mendoj se mund të jetë i ndikuar dhe përshtatur më pastaj sipas nevojave të qarqeve të ndryshme komuniste të kohës, burime të tjera zyrtare lidhur me angazhim e tij nuk kam arritur t’i  zbuloj. Dëshmi gojore nga njerëz e personalitete si nga Presheva e Kërçova ekzistojnë, që kryesisht janë pozitive lidhur me punët dhe aktivitetin e tij gjatë asaj kohe në atë nënprefekturë të prefektures së Tetovës e pjesë e administratës së shtetit shqiptar.  Në mungesë të dokumenteve arkivore konkrete të kohës së viteve 44 nuk mund ta shtjelljom gjithë aktivitetin e tij të detajizuar, por edhe vet suazat e punimit të paraqitur.

Ngjarjet që pasuan dhe aktiviteti në Preshevë
Përjashtuar aktivitetin popitik e ushtarak gjatë kësaj kohe në këto troje shqiptare, anën tjetër të tokave shqiptare dhe shtetet e tjera ndodhnin luftra e ndryshime të mëdha si politike ashtu edhe ushtarake. Si rezultat i lëvizjeve të tilla edhe atdhedashësit e Preshevës dhe rrethinës nuk ndenjën duarkryq. Këta u organizuan dhe permes celulave të para ranë në kontakt me forcat e frontit nacional të Ballit. Ndër shërbestarët e parë të këtyre viseve ishin Ibrahim Kelmendi, Xheladin Kurbalia, Limon Staneci, Sylë Hotla e të tjerë. Këta kryesisht u organizuan për strukturimin e farmacioneve mbrojtëse për mbrojtjen dhe sigurinë e popullatës së këtyre anëve dhe bashkimin e tyre me pjesën tjetër të shqiptarëve. Poashtu, ata ngritën ndjenjat e atdhedashurisë dhe vetëdijsimin e popullatës kryesisht shqiptare për vlerat, kulturën e traditën e tyre dhe tendencat e komunistëve dhe forcave bullgare. Organizimi i tyre ushtarak e politik pati sukses,ku permes agjentëve e njerëzve me ndikim arritën që të hyjnë në qytetin e Preshevës, ku u pritën si çlirimtarë sepse aty kishin qëndruar forcat bullgare. Gjatë muajit shtator të vitit 1944, këto struktura organizuan takime të shumta me administratat e prefekturave që ishin konsiliduar më herët, dhe si rezultat i këtyre takimeve u propozua që si mbështetje direkte në organizimin e  strukturave u morën vesh që Skender Presheva ta ushtronte veprimtarinë e tij në Preshevë në rrethanat e krijuara, sepse kishte një përvojë në këtë aspekt krahasuar me disa prej tyre. Poashtu ai gëzonte respekt edhe te popullata vendase dhe kishte krijuar një autoritet të personalitetit të tij.

Me futjen e forcave shqiptare në Preshevë më 09.09.1944 dhe tërheqjes së forcave bullgare, ata krijuan një këshill që kishte anëtarë edhe nga popullata vendase sërbe që për qëllim kishte ruajtjen e  rendit publik. Territori ku shtrihej ndikimi i tyre ishte nga Kumanova në Bujanoc që si kufij natyralë kishte hekurudhën Nish-Shkup.Pas kësaj dite u strukuturua edhe administrate apo udhëheqja e prefektures – komunës së Preshevës, ku sipas Ali Aliut nënprefekt ishte Limon Staneci, e ai ishte sekretar i tij. Sipas punimit të Ramiz Abdylit të vitit 1977, më 15.09.1944, u formua Këshilli nacionalçlirimtar ku anëtarë u zgjodhën Ali Aliu, Isa Osmani, Mustafa Selimi, Qani Ramadani, e të tjerë, ku si kryetar Këshilli u zgjodh Skender Hasan Kadriu (Presheva). Ky ishte një sukses i forcave shqiptare sepse të dyja taborret e shqiptarëve arritën bashkëpunim dhe normalisht që kryetari i takonte atyre që posedonin pushtetin, pra forcave shqiptare të Ballit e jo atyre komuniste. Kjo ishte lëvizje e qëlluar politike e kohës, ku si person me autoritet e të respetkuar u zgjodh Skenderi. Edhe pse sipërfaqësisht dukej se shqiptarët ishin bashkuar, ana e atyre që përfaqësonin komunistët nuk e pëlqenin një gjendje të tillë, kështu që shfrytëzuan dobësitë e strukturave të kohës duke nxitur debate e mosmarrëveshje dhe rrjedhje të informacionit. Kështu që vie deri aty sa shkarkohet Skender Kadriu nga pozita që mbante dhe në vend të tij u emërua Adem Kamberi. Gjithashtu, njerëzit e komitetit vepruan sërish duke parë këtë situatë, shfrytëzuan respektin dhe autoritetin e Skender Kadriut që kishte te popullata dhe sërish insistuan që të kthehej në pozitën e mëparshme, një mënyrë kjo për ta fituar besimin te ky i fundit. Kështu që më 17.09.1944 një delegacion me anëtarë të Këshillit hyjnë në zyrën e komunës dhe kërkuan respektimin e vendimit politik për pozitën e kryetarit. Pas mjaft debateve dhe tensionimit të situates, Adem Kamberi pranon të tërhiqet me arsyen se nuk ishte e drejtë që njëkohësisht babai dhe biri të mbanin pozita të larta njëkohësisht. Nga kjo datë sërish Skenderi mori udhëheqjen e  komunës. Kjo gjë dëshmohet edhe nga vet dëshmitari i kohës Ali Aliu gjatë deklaratës gojore për ato rrethana dhënë pak vite para vdekjes.Gjatë tre mujorshit të çlirimit të Preshevës në vitin 1944 nga forcat shqiptare, u strukturua edhe pushteti politik. Në atë kohë kryetar apo prefekt siç njiheshin atë kohë u zgjodh Adem Kamberi, por pasi situata ishte e ndjeshme dhe kërkohej një maturi e strategji, ata mendua që prefekt ta zgjidhnin Skender Kadriun si njeri me autoritet te popullata dhe më si personalitet i formuar intelektualisht. Këtë dhënie të përgjegjësisë nga Adem Kamberi te Skender Kadriu e dëshmon edhe Ali Aliu në intervistën e tij gojore të filmuar.  Gjithashtu gjatë shumë javësh, forcat shqiptare menduan ta themelonin Komitetin e  rinisë, dhe sërish si kandidaturë më me kopromis u zgjodh ajo e Skender Kadriut. Ai këtë garë e fitoi me votat e popullit dhe autoritetin që kishte te ta e jo me ndihmën ose kundërshtimin e palëve.

Këto dhe shumë lëvizje të tjera që rodhën arritën deri aty sa në fillim të muajit dhjetor të atij viti kishte urdhër nga Shtabi i Divizionit të Kumanovës që të formohet batalioni i Preshevës.  Ushtarët e  këtij batalioni ishin  të gjithë shqiptarë që përbënin katër çeta. Si mënyrë më e mirë për mbrojtjen e këtyre trojeve dhe ushtarëve që shërbenin këtu si kryetar shtabi, komandant  u zgjodh Skender Kadriu, si njeri me vizione strategjike, respekt dhe vlera të populli. Por, sipas Ramiz Abdylit , Komisar politk i këtij batalioni u zgjodh Muharrem Ibrahimi.Nga një raport të shtabit të Divizionit të Kumanovës, ku bazohet autori në fjalë ka hasur detaje se luftëtarët ishin vullnetarë dhe nuk kishin të bënin me partinë dhe se nuri i tyre në të gjitha çetat arrinte në 450 ushtarë. Mbështetur në dëshmitë e dëshmitarëve të atyre viteve e të përcjelluara edhe në brezat më të rinj, batalionit të Preshevës iu bashkuan shumë vullnetarë, ku gjithmonë sipas tyre numri i ushtarëve vullnetarë kishte arritur në 25500, këta ishin pjesa dërmuese e atyre që mbrojtn vijën e hekurudhës dhe vullnetarë të tjerë nga viset e Karadakut. Si rezultat i Skender Kadri - Presheva.AL1këtij shtimi të numrit nga Divizioni, kjo shndërrohet në brigadë.  Kjo brigadë dha kontributin e saj në Preshevë, Kumanovë e Bujanoc duke krijuar një stabilitet dhe ruajtjen e popullatës shqiptare nga terrori i pak muajve më parë që kishin përjetuar nga forcat çetnike e atyre komuniste sllavo-maqedonase. Duke pare fuqinë dhe rolin e kësaj brigade, Shtabi i përgjithshëm i Jugosllavisë vendosi që ta bëjë pjesë të brigadave të tjera të shqiptarëve nga Maqedonia e territoret tjera që atë kohë njihej si brigadë e 7 Shqiptare. Në fillim të vitit 1945, kjo brigadë dërgohet për luftim në Vojvodinë –Srem për eleminimin e forcave gjermane. Duke qënë njëri me strategji dhe largëpamësi, Skender Kadriu si komandant e kupton se të gjithë ushtarët e tij do të dërgohen në vijën e parë të frontit dhe nuk do të kthehej asnjëri i gjallë. Kështu që merr një vendim mjaft të rrezikshëm duke deklaruar para shtabit gjoja se ushtarët e tij ishin të prekur nga një sëmundje vdekjeprurëse (tuberkulozi-tifoja-mortaja), dhe se nuk janë në gjendje të aftë për mbrotje apo sulm. Në mungesë verifikimi dhe kushte lufte, Skenderi me gjithë ushtarët e tij kthehen nëpër shtëpitë e tyre.  Nuk shkon gjatë dhe një shqiptar nga komuna e Bujanocit e zbulon këtë gjë para autoriteve komuniste. Kështu që Skenderi merret dhe akuzohet për tradhti dhe pushkatimin e disa personave gjatë kohës sa kishte vepruar në Kërçovë.  Zakonisht atë kohë gjyqi  merrte vendim pa dëgjim aktakuze dhe vendoste për pushkatim. Kështu që disa prej shqiptarëve që kishin pozita dhe autoritet, shfrytëzuan  të gjitha mundësitë për ta bërë të mundur që gjyqi të organizoj në mënyrë të rregullt dhe të lejohej mbrotja e të akuzuarit. Kontribut në këtë çështja ka dhënë Selim Selimi, ku paraqet disa detaje në librin e tij, por edhe nëna e tij duke shfrytëzuar lidhjet familjare me autoritetet e kohës. E rëndësishme është që nga dënimi me pushkatim ai denohet me 20 vite burg.Të gjitha akuzat ishin të pabaza dhe këto i mohoi edhe ai vet gjatë mbrojtjes në seancat gjyqësore. Bile sipas dëshmitarëve të seancave të gjyqit, Skenderi shpesh linte pa argument, pra pa fjalë prokurorin për akuzat që i bënin. Ai ishte i ushtruar për situata të tilla dhe doli me sukses.

Mbajti afër 13 vite burg në Idrizovë, ku gjatë një viti ishte në vetmi pra në biruc i izoluar nga të tjerët. Bile për këtë gjë është rrefimi i djalit të tij treguar miqve të tij, kur thotë se disa vite pas lirimit nga burgu të babës filluam disa riparime të shtëpisë dhe papritmas u shfaq një mi, dhe ky kishte tentuar ta mbyste kur kishte reaguar ashpër baba (Skenderi) duke i thënë mos bir se ky ishte miku im gjatë një viti të të me të cilin bisedoja, se me atë pak ushqim që ma sillnin në vetmi një pjesë ia jepja miut që ishte e vetmja gjallesë me të cilën komunikoja. Me amnestinë e përgjithshme të Jugosllavisë përfitoi edhe ky, ku në vend që t’i mbante 20 vite burg, ai mbajti shumicën pra rreth 13 prej tyre. Pas daljes nga burgu nuk besonte më te njerëzit që e rrethonin dhe e kontaktonin, shumicën e ngjarjeve dhe përjetimeve nuk i rrëfeu as për familjarët më të afërt me arsyen se kishte frikë se mos ndokush i kërcënonte dhe nga presioni e tortura mund të nxirrte ndoj informacion dhe nuk dëshironte të shihte ngjarje të tilla për arsyen e tij.  Pas një kohe ai filoi të punojë në komunën e Preshevës si bashkëpunëtor në sektorin e mbledhjes së tatimeve, në zyre sëbashku me një çetnik. Ai këtë e përballoi por jo edhe tatimet e larta dhe shtepia e Skender Kadriut - Presheva.ALtë pa arsyeshme që vileshin nga popullata e varfër e këtyre trojeve kështu që u tërhoq nga aty ku pjesën tjetër të kontributit e dha në arsim, kryesisht për t’ua mësuar gjeneratave të reja gjuhën frënge. Kjo ishte shtëpia e tij e projektuar dhe ndërtuar prej tij dhe djemve të tij në rrugën e Gjilanit në Preshevë.Kontakti i tij me shërbyesit e tjerë shqiptarë nuk u ndërpre asnjëherë. Thuajse çdo muaj i vinin të fala dhe informacione nga miqtë nga Maqedonia konkretisht nga Kërçova dhe lidhjet e tjera me viset shqiptare. Pas daljes në pension ai ishte i izoluar sepse iu kishte marrë pasaporta nga UDB-ja dhe gjithmonë ishte nën percjellje. Por, me instruksionet e disa njerëzve nga jashtë dhe mbështetjen e punonjësve shqiptarë në administratën e policies, ai arrin të shpërngulet zyrtarisht nga Presheva për në Zarë të Kroacisë, ku nga aty përfiton pasaporten dhe i bashkohet djalit të tij Hasanit në Zvicër. Atje takon mjaft miq të vjetër dhe njerëz të administratës aktuale shqiptare si ambasadorë e diplomatë e struktura të tjera shqiptare. Pas një kohe, transferohen të jetojnë në Tiranë, ku djali i tij Hasani shtrin veprimtarinë e gjërë biznesore dhe sportive. Në vitin 1997 ndërron jetë në Tiranë, ku dhe varroset me nderimet më të larta nga shumë miq, veprimtarë, politikanë e ushtarakë të kohës. Pas një kohe tëshkurtër edhe djali i tij i madh Hasani humb jetën në një aksident, ndërsa djali i dytë Skyfteri një kohë jetoi në Prishtinë sidomos pas luftës kurse sipas njohurivve të familjarëve, ai tash jeton në Francë. Kontributi dhe angazhimi IiSkener Kadri Preshevës për kohën dhe rethanat në të cilat veproi është mjaft domethënës dhe kërkohet nderimi dhe respetkimi i figurës së tij. Sipasprof Ibrahim Kadriut nga Presheva kryetar i kuvendit për referendumin e “1dhe 2 Marit 1992”, në mbledhjene qendrore të kuvendit të  referendumit “1 dhe 2 Marsit”, mbajtur më 16 shkurt 1992, Skender Kadriu shpallet antarë nderi i këtij kuvendi prpozuar nga kryetari i kuvendit të referendumit. Gjithëashtu po sipas I.K. në njërën nga mbledhjet e shoqatës bamirëse bamirëse “Nënë Tereza” në Preshevë, Skenderin e shpallin antarë nderi i sh.h.b. “Nënë Tereza të Kosovës”.  Poashtu kërkohet edhe zbardhja e mëtejme e figurës së tij përms gjurmimit në arkivat e ndryshme të shteteve për zbardhjen e  së vërtetës së mohuar për këtë atdhetar preshevar.

Autor: Shkëlzen Limani

Literatura

  1. Abdyli, Ramiz: Presheva në lëvizjen nacionalçlirimtare 1941-1945, Prishtinë, 1977.
  2. Ali, Aliu: Intervist gojore, Prishtinë
  3. Dërvishi, Kastriot: Drejtor i arkivit shtetëror të Shqipëris, komunikim në distancë, tetor – nëntor 2014
  4.  Kelmendi, Prof. Ibrahim: Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë
  5. Kadriu,prof. Ibrahim, intervistë dhe bisedë rreth kujtimeve për Skender KadriunDhjetor 2014, Preshevë.
  6. Qazimi, Sadri: Presheva mbijetesa në sprovat historike dhe aktuale, Preshevë, 2010
  7. Sinani,Agim: Intervistë gogjore, tetor 2014, Preshevë
  8. Sinani, Kastriot: Intervistë gojore dhe dëshmi fotografish, nëntor 2014, Preshevë
  9. Selimi, Selim: Kohë esfidave historike shënime, kujtime dhe mendime, Preshevë, 1995
  10. Ymeri, Skender: Intervistë gojore, tetor 2014, fshati Rahovicë – Preshevë
  11. Veliu, Dr.sc. Ilmi: Nga Uskana e deri te Zajazi e KërçovaI-II”  Shkup,
  12. Dëshmi – vërtetim për marëdhënie të punës në komunën e Preshevës, shkollën fillore “Selami Hallaçi” dhe shkollën fillore “Migjeni” 2014.
  13. Fotografi e dokumente arkivore janë siguruar nga arkivet personale të K. Dërvishti Tiranë dhe Ilmi Veliut Kërçovë, si dhe nga K. Sinani.

Related Articles

Back to top button