Lajme

Svinjishta, fshati serb në komunën e Preshevës që ka vetëm dy nxënës

Qendra për Hulumtime dhe Monitorim, në kuadër të projektit “Kthimi përmes integrimit”, të financuar nga Zyra e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, vizitoi fshatin Svinjishtë të Komunës së Preshevës.

Ky vendbanim numëron rreth 60 banorë, kryesisht të nacionalitetit serb. Banorët e Svinjishtës, janë të moshës së vjetër, me një numër simbolik fëmijësh. Shkolla e fshatit ka vetëm dy nxënës: një vajzë dhe një djalë.

Banorët e këtij vendbanimi e braktisin fshatin për shkak të kushteve të vështira ekzistenciale. Shtëpitë e banimit ishin në gjendje shumë të keqe, të ndërtuara me lloç e gurë, disa prej tyre janë të përfshira nga lagështia e brendshme (vllaga) dhe myku.

Ta vizitosh fshatin Svinjishtë, nuk është e lehtë, ngase rrugët janë të shkatërruara dhe të pakalueshme për qarkullim. Të moshuarit e Svinjishtës, thonë se këto rrugë janë ndërtuar në kohën e “Titos” dhe asnjëherë nuk janë prekur nga asfalti ose intervenuar në to.

Banorët theksojnë se një ndër problemet kryesore është rruga nga qendra e Preshevës e deri te fshati i tyre. “Rruga është dashur të përfundojë dhe të mbushet me zhavor, mirëpo ish pushtetarët vetëm i kanë marrë votat dhe na i kanë lënë premtimet.”- thonë me pezmatim banorët e Svinjishtës.

QHM ka hulumtuar këtë rast dhe konstaton se jeta e banorëve të Svinjnishtës është në rrezik. Transporti publik deri në fshat mungon. E vetmja rrugëdalje është që një pjesë të rrugës ta kalojë me taksi, ku është e nevojshme të paguhet rreth 1400 din – për të dalur (shkuar) deri në Preshevë, dhe kthimi i tyre nuk është i mundshëm për shkaqe ekonomike. Ata po ashtu thonë se nuk kanë as me çka të transportojnë, për shkak se nuk lëviz asgjë. Po ashtu edhe për mjek kur ka nevojë është vështirë, përndryshe mjekët nuk vizitojnë fshatin.

Svinjishta, ka problem edhe me ujësjellsin. Në këtë fshat, 3 shtëpi e shfrytëzojnë një bunarë, pa sistem shpërndarës të ujit (hidrofor). Mësuesi i fshatit, në shkollë e sjell ujin me shishe. Një pjesë e banorëve marrin ndihmë sociale e cila nuk u mjafton për ekzistencë, kështu që ata janë të detyruar të merren me shitjen e drurit, blegtori e bujqësi. Nga pushteti lokal dhe ai qendror, nuk kanë marrë donacione për zhvillimin e bujqësisë.

Banorët e Svinjishtës, përveç problemeve të shumta ekonomike, ata asnjëherë nuk kanë pasur probleme ndërnacionale, të cilën edhe ata vetë e pohojnë me admirim.

Related Articles

Back to top button