APN – nevojë e natyrshme edhe për komunën e Bujanocit!?
Çarshia e Bujanocit, një kaza e vjetër e trashëgimisë kulturore, tashmë flet haptazi se subjekti i ri politik, Alternativa për Ndryshim, nga Presheva, së shpejti do t’i shtrijë krahët në Bujanoc, madje edhe në Medvegjë.
Ky subjekt politik, i cili gjatë zgjedhjeve të prillit, të këtij viti, bëri mrekullinë e ndryshimeve politike dhe institucionale, në Preshevë, duke marrë timonin udhëheqës të ekzekutivit dhe disa resorë të rëndësishëm pushteti, është duke i bërë përgatitjet për një shtrirje rajonale.
Caku i preferuar i Alternativës për Ndryshim, do të merret Bujanoci, i cila ka nevojë për një freskim gjeneral të politikës institucionale, e cila për shumë kë është bërë “demode” dhe e ngarkuar me provincializma gati primitiv.
Në këtë dhjetëvjeçarin e fundit në kreun udhëheqës të pushtetit lokal dhe resorëve të tjerë të qeverisjes lokale, po thuaj se gjenden të njëjtit figura politike të konsumuar tej mase, të cilat për ndonjë interes partiak ndërrojnë partitë si femrat garderobën. Aderimi i “hakerëve partiak” nga një parti në tjetrën dhe formimi i koalicioneve ad hoc, ka bërë që skena politike në Bujanoc, të kërkoj ndryshim, e ,ai, mund të vijë me Alternativën preshevare.
Shqiprim Arifi, kryetar i Komunës së Preshevës dhe njëkohësisht lider i Alternativës për Ndryshim, i edukuar në perëndim, duket se është i zhveshur nga komplekset lokaliste, qoftë nga pamja fizike e shpirtërore, ka grumbulluar rreth vetes kryesisht të rinjtë, të cilët nuk i kanë sherret e klasës së vjetër politike, për ta quar vendin përpara.
Prijësi i Alternativës për Ndryshim, zoti Arifi, gjithashtu, ka një karizëm politik, të cilin me mjeshtri arrin të shtrijë te shtresa më vitale e shoqërisë sonë, duke i favorizuar e stimuluar, ata, në rrugën e forcimit të një fryme të re politike, larg përçarjeve, hasmërive, sherreve dhe inateve provincial, të cilat shtrenjtë i kanë kushtuar Luginës së Preshevës.
Alternativa për Ndryshim, në Preshevë e së shpejti në Bujanoc dhe Medvegjë, ka gjetur partnerin strategjik Partinë për Veprim Demokratik, në rrugën e rritjes së saj politike e institucionale. Është interesi i PVD-së, që përmes Alternativës për Ndryshim, të krijoj një politikë stabile, efikase dhe të qëndrueshme në rajonin e Luginës së Preshevës.
Alternative për Ndryshim dhe PVD, bashkërisht, do t’i minimizonin veprimet çmendurake të disa partive hibrid, të cilat të shantazhuara nga qendra më të mëdha, e kanë sjell vendin para një ngërçi politik dhe para një kolapsi ekonomik.
Klasa e re politike në Bujanoc e mirëpret Alternative për Ndryshim, e cila edhe para ardhjes së zgjedhjeve të reja, do të bëjë ndryshime nëpër disa institucione, të cilat janë bërë peng i politikës dhe shoqërisë sonë.
Ardhjen e Alternativës për Ndryshim, në Bujanoc, nuk duhet marrë si një fobib, por si një relask politik.
Kujt i ka rënë të lexoj, apo të dëgjoj shprehjen “Hanibal ante portas” (Hanibali është pas portës), s’ka se si të mos i kujtohen nënat romake, të cilat për t’i vënë në gjumë fëmijët e tyre, e përsëritnin si refren këtë shprehje trishtues në vend të ninulave. “Por, ato harronin se me këto forma të frikësimit, nxirrnin në pah dy argumente me rëndësi për pasardhësit e tyre; dobësinë e prindërve për të mbrojtur dinjitetin e vendit dhe familjes në fushë-betejë dhe, së dyti, frikësimi dhe kërcënimi si metodë e paarsyeshme për të bërë dikë që t’u nënshtrohet rregullave artificiale” (Ramadan Aliti).
E titulli i këtij shkrimi: Alternativa për ndryshim “ante portas”, nuk ka të bëjë aspak me sintagmën “Hanibal ante portas”, përveç udhëheqësve të disa subjekteve politike, të cilat në mungesë të paaftësive për t’i zgjidhur problemet politike dhe shoqërore, ngritin Kulla letre në ajër dhe mundohen të kapen për fluska sapuni, për të qëndruar në pushtet, në favor të interesave të tyre të ngushta partiake, klanore e familjare.
Rinia e Bujanocit e zhgënjyer me ngecjet në arsim, kulturë, pastaj e irituar nga përçarjet partiake dhe qarkullimi në rreth të mbyllur të politikës lokaliste, s’ka se si të mos e pres me mirëseardhje Alternativën për Ndryshim nga Presheva.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc