Vendimi i Qeverisë së Serbisë për ndalimin dhe shqyrtimin e të gjitha vendeve të punës nëpër institucionet publike lokale me qëllim të kursimit të buxhetit shtetëror, ka shkaktuar probleme sidomos në Luginë.
Administratat komunale në Preshevë dhe Bujanoc, po përballen me ndalesën e lidhjes së kontratave të reja të punës, ndërkohë që nevojat për nëpunës në të gjitha sektorët janë të mëdha. Kjo dukuri ka ndikuar që pushtetet lokale të reagojnë për heqjen e ndalesave ligjore në themelimin vendeve të reja të punës.
Kryetari i Komunës në Preshevë, Shqiprim Arifi, ndalesat ligjore për themelimin e vendeve të reja të punës në administratat komunale i cilëson jo të drejta. Ndërkohë që sipas tij kërkesat për shërbime në të gjitha sektorët e administratës janë të mëdha.
Arifi, ka fajësuar edhe qëndrimin për bojkotim të regjistrimit të popullatës, rezultat që është marrë si bazë për përcaktimin e shërbyesve nëpër administratat komunale. Ndërkohë ai është optimist që rezultatet e vlerësimit të popullatës të realizuar gjatë vitit të kaluar, do të ndryshojnë edhe kufizimet në fuqi.
Lugina e Preshevës, prinë me numrin më të vogël të të punësuarve në sektorin publikë në tërë Serbinë. Mos ndryshimi i masave restriktive qeveritare për themelimin e vendeve të reja të punës, ndikon negativisht edhe në funksionimin normal të administrative komunale vlerësojnë udhëheqësit e tyre./B.Rexhepi-RTK/