Erdhën, erdhën shëndoshë e mirë, janë fjalët e nënave që me padurim pritën bijtë e tyre
Erdhën! Erdhën shëndosh e mirë! Fjalët që së fundmi dëgjojmë pothuajse në çdo shtëpi. Sa mall dhe lumturi përmbajnë këto fjalë, të cilat kryesisht i dëgjojmë nga gojët nënave të cilat me padurim kanë pritur bijtë e tyre, dhe tani nuk dijnë në ç’mënyrë më shum të ç’mallen me ata për të cilët kanë kthyer sytë nga dera, sa herë ka hyrë dikush brenda. Lumturia e tyre vërehet në sytë të cilat ndriçojnë që në momentin që kanë shikuar të dashurit e tyre në oborrin e shtëpisë.
Ata erdhën! Erdhën për të shijuar vendin të cilin mbajn si “wallpaper” në telefonat e tyre personal. Erdhën në këtë tokë për të cilin qan dhe ai i cili nuk ka dhënë frymën e parë këtu, por që patjetër dëshiron të jap të fundit. Do të kalojnë atë dy-tre javësh që kanë marrë leje për të vizituar të afërmit, nëpër dasmat e fisit e familjarëve të tjerë duke mos pasur kështu mundësi për të shijuar dheun e ëmbël të vendit për të cilin ndjejnë aq shum admirim.
Për këtë periudhë do i shohim gjithëkund. Nëpër kafene, e nëpër restorante, rrugëve të qytetit me veturat e tyre luksoze e me telefona e paraqitje me gjëra firmato, për të cilat kanë punuar gjatë gjithë kohës.
Megjithatë ata vijnë, dhe ne si çdo vit do i presim e do i përcjellim me dashurinë më të madhe të mundëshme, e me ngrohtësinë të cilën e fal vetëm foleja e kompletuar familjare. Mirësevini!