Haziri: Një milion euro po i investojmë në projektin e rrugës Gjilan-Bujanoc
Lutfi Haziri, kryetar i Komunës së Gjilanit, është shprehur të jetë tejet i kënaqur me punimet projektin e rrugës katër korsi Gjilan-Bujanoc.
“Rruga katër korsi Gjilan-Bujanoc (hyrje-dalje e qytetit) është investim i Komunës, me mbështetje të qeverisë. Është investimi më i madh që kap shifrën 1 milion euro, e që punimet janë duke shkuar shumë mirë”, ka thënë Haziri.
I pari i gjilanasve ka shfaqur shpresën se deri në vjeshtën e këtij viti, projektet e mëdha infrastrukturore do të marrin formë dhe dukje tjetër.
“Ne me Ministrinë e Infrastrukturës i kemi edhe 21 programe në hapje të ofertave, pra jemi në vlerësim. Besoj shumë që deri në vjeshtën e këtij viti, Gjilani në kuptimin e infrastrukturës, nëse i vendosim edhe hyrje-daljet e prezantuara ditë më parë nga ministri Zharku dhe Autostradën, do të filloj të marrin formë dhe dukje krejt tjetër”, ka potencuar kryetari i Komunës, Lutfi Haziri.
Projekti i ndërtimit të kësaj rruge, e cila nis nga kazerma e FSK-së, ka gjatësi prej 1260 metra, me gjerësi 27 metra dhe do të ketë brez të gjelbërimit, ndriçim, trotuare, staza për biçikleta dhe të gjitha kërkesat tjera urbane. /Lajmi.net/