Kryetari Arifi uron besimtarët islam për Fitër Bajram
Të nderuar qytetarë të komunës së Preshevës, bashkatdhetarë dhe bashkëvendas të mi!
Me rastin e përfundimit të muajit të Ramazanit, muajit të përkushtimit dhe sakrificës fizike dhe shpirtërore, ku për një muaj treguat një nivel të lartë të përkushtimit, më lejoni të ju përcjell urimet më të sinqerta për festën e Fitër Bajramit, me dëshirën më të madhe që agjërimi, lëmoshat dhe të gjitha aktivitetet tuaja gjatë Ramazanit, të jenë pranuar nga ana e Zotit.
Përderisa agjërimi kërkonte këmbëngulje për një muaj rrjesht, pavarësisht kushteve atmosferike që mbretëruan në vendin tonë, këtë e dëshmuat më së mirë se jeni sfidues ndaj të brendshmes dhe të jashtmes, duke u kalitur si në aspektin fizik dhe atë shpirtëror, për t’u përballur më me lehtësi me sfidat e jetës gjatë periudhës tjetër të vitit.
Nesër është ditë feste, ditë së cilës i gëzohemi të gjithë. Le t’ia shtrijmë njëri-tjetrit dorën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, duke këmbyer vizita me të afërmit, duke lënë anash ndarsitë qofshin ME apo PA arsye .
Të përpiqemi të gjejmë sa më shumë arsye për të qenë më afër njëri-tjetrit, për të vazhduar bashkëpunimin edhe mëtej gjatë vitit. Na presin shumë punë për të bërë. Sigurisht, bashkërisht do të arrijmë më shumë.
Le të mbretërojë festa në familjet e çdonjërit, përfshirë dhe kategoritë sociale të vendit tonë, si skamnorët, jetimët, të sëmurët e vendit tonë.
Le të jetë ky Bajram i pëbashkët për të gjithë. Urime!
Me respekt,
Shqiprim Arifi – kryetar i komunës së Preshevës