Arifi sqaron opinionin për tekstet shkollore
Lidhur me nismën time rreth sigurimit të teksteve shkollore ne gjuhën shqipe për arsimin fillor dhe të mesëm, me qëllim të tejkalimit të barrierave të deritanishme, me përfaqësuesit e Ministrisë së arsimit kam negociuar përkthimin e teksteve shkollore vetëm për shkencat ekzakte, si matematikë, fizikë, kimi, biologji etj.
Ne paraqitjet publike të mia si në media por edhe në kuvendin komunal kam bërë shumë të qartë që iniciativa për sigurimin e teksteve shkollore me ministrinë e arsimit ka të bëjë vetëm me librat e shkencave ekzakte e në asnjë mënyrë të teksteve shkollore që lidhen me çështjet kombëtare, si gjuha dhe letërsia shqipe, historia, gjeografia, arti muzikor e figurativ etj., që përmbajtja e tyre është diskutabile dhe e papranueshme për nxënësin shqiptar të Luginës së Preshevës.
Lista që u është dërguar nga KNSH ministrisë së arsimit, është lista e lëndëve që KNSH mendon se nxënësit shqiptarë duhen t’i kenë në të ardhmen afatmesme e afatgjatë në bankat e tyre, e që nuk nënkupton se të njëjtat edhe do përkthehen bukvalisht nga gjuha serbe.
Për mua si kryetar i komunës së Preshevës është i papranueshëm përkthimi i librave nga gjuha serbe i teksteve të shkollore të lëndëve si historia, gjeografia dhe ato lëndë tjera që përmbajtja e tyre është diskutabile dhe e papranueshme për nxënësit tanë shqiptarë, por e pranueshme do të jetë ekluzivisht vetëm përkthimi i shkencave ekzakte, për të cilat kam inicuar marrëveshjen.
Botimi i teksteve me karakter kombëtar në ardhmen do të duhej realizuar nga ekspertët e fushave nga përfaqësuesit e ministrive përkatëse të Republikës së Shqipërisë e Serbisë, nën asistencën e ngushtë të faktorëve ndërkombëtar, ndërmjetësues së kësaj çështje ndër vite.