Lajme

Bashkatdhetarët i përfundojnë pushimet, kthehen në vendet e tyre të punës

Një pjesë e mirë e bashkatdhetarëve, të cilët ishin kthyer për pushime në vendlindje, tanimë po kthehen në vendet ku punojnë dhe qëndrojnë përkohësisht. Ata me auto veturat e tyre private, por edhe me autobus të agjencive të ndryshme të udhëtimit dhe me aeroplan, kanë udhëtuar drejt vendeve ku punojnë dhe jetojnë përkohësisht, shkruan Presheva.AL

Një fluks tjetër më i vogël pritet, ndërkaq javën tjetër kur mendohet se do të kthehet edhe pjesa tjetër e mbetur, dhe kryesisht ata të cilët kanë mundësi të qëndrojnë pak më gjatë.. Koha e qëndrimit në vendlindje, sipas tyre ka kaluar shumë shpejt, ndërsa pjesën dërmuese të pushimit e kanë shfrytëzuar për të marrë pjesë në gëzimet familjare të familjarëve të tyre, por edhe duke punuar nëpër shtëpitë e tyre.

Ardhja e bashkatdhetarëve në vendlindje, si gjithmonë ka gjallëruar jetën në rajonin e Preshevës dhe Bujanocit, ndërsa ka kontribuar shumë edhe në zhvillimet ekonomike, sepse bashkatdhetarët ende vazhdojnë të derdhin kursimet e tyre në vendlindje, qoftë duke investuar për ndërtimin e shtëpive dhe objekteve të tjera, qoftë duke ndihmuar edhe ekonomitë familjare të familjarëve të tyre.

Ata tanimë me padurim do të presin muajt e verës, për të ardhur edhe njëherë në vendlindje, kur mund të qëndrojnë më gjatë dhe mund të çmallen, por edhe të përfundojnë ndonjë punë që kanë nisur më herët.

Shumica prej tyre, ndërkaq kërkojnë që në vendin e tyre të origjinës të ndryshohet mentalitet dhe të fillohet të punohet në dobi të zhvillimit të përgjithshëm, ashtu siç ka ndodhur në vendet ku ata kanë emigruar dhe janë duke jetuar dhe punuar./Presheva.AL/

Related Articles

Back to top button