Në Preshevë nuk ka lindur foshnja prej 7.8 kg dhe as nuk është emëruar Erdogan
Disa portale fantome nga Lugina e Preshevës, e që ishte transmetuar nga mediet serbe, ditë më parë kishin raportuar për lindjen e një foshnje gjigande me peshë prej 7.8 kilogram dhe e njejta e emëruar si presidenti turk Erdoğan.
Presheva.com ka kontaktuar mjekët dhe mamitë që punojnë në maternitetin e Preshevës duke thënë se një foshnje me një peshë të tillë nuk ka lindur në Preshevë.
“Kjo nuk është e vërtetë. Foshnjet që kanë lindur deri tani në maternitetin e Preshevës janë të gjitha me peshë normale. Rreth 4 kilogram janë peshat mesatare që deri tani kemi lindur me sukses” ka thënë për portalin presheva.com njëra nga mamitë që ka qenë kujdestare për rastin në fjalë.
“Ne nuk kemi raportuar asnjëherë se kemi një foshnje me peshë rekorde, andaj nuk e di kush ka plasuar këtë lajm të pakonfirmuar zyrtarisht” ka shtuar ajo.
Materniteti i Preshevës punon tashmë një vit me orar 24 orë dhe janë lindur reth 100 foshnje.
Për dezinformata të tilla, materniteti do ta padisë në gjykatë gazetarin.
Edhe burime të tjera të portalit tonë thonë se një foshnje e tillë nuk ka lindur as në spitalin e Vranjës apo të Gjilanit që janë më afër Preshevës.
Foto që është publikuar në lajmin e trilluar është e vjedhur nga një portal turk:
http://www.anneoluncaanladim.com/3/bebegim-buyurken/510/premature-bebege-ozel-ilgi-sart
“Ky lajm është trilluar nga një gazetar Nefail Maliqi që jeton në Gjenevë dhe për të rritur numrin e vizitorëve, shpesh publikon lajme në dëm të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ai i trillon ato. Nuk ka të bëjnë aspak me realitetin. Lajme si “370 asker nga Presheva gati për t’u nisur në ndihmë presidentit Erdogan” aspak nuk i shërbejnë për të mirën e shqiptarëve të Luginës që kanë problemet e veta, e lajme të tilla vetëm se hutojnë popullatën duke shti panikë dhe pasiguri” tha një burim i cili njeh situatën e mirë mediale dhe politike në Preshevë.
Edhe mediet serbe tallen me lajme të tilla, duke shkruar se foshnjet trillohen, dhe se shqiptarët tashmë me pasardhës të Erdoganit, po për pak: