Nëse do ta shisja votën me 11 dhjetor, ja cili mund të jetë çmimi
Shkruan: Hamdi Nuhiju
Me 31 gusht të vitit 2016, sipas Marrëveshjes së Përzhinos do të duhet mbajtur një takim i ri i liderëve të katër partive më të mëdha politike në vend, PDSH-së, BDI-së, VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së ku do të duhej dhënë vlerësimi përfundimtar nëse janë plotësuar kushtet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për me 11 dhjetor të këtij viti ose jo.
Paraprakisht, dy datat e caktuara të zgjedhjeve për zgjidhjen e krizës politike, ajo me 24 prill dhe me 5 qershor u anuluan ose u shtynë me arsyetimin se ende nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Insistimi për anulimin e zgjedhjeve ishte i LSDM-së. Anulimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për me 24 prill dhe me 5 qershor u bë ngaqë sipas LSDM-së opozitare Lista Zgjedhore ka shumë votues fiktiv të cilët duhet fshirë nga lista si dhe mungesa e rregullimit të sferës së medieve gjatë periudhës së kampanjës parazgjedhore dhe gjatë ditës së zgjedhjeve. Në këto dy pika u bënë hapa konkret, ku KSHZ-ja i krijoi dy lista, njërën me afër 40.000 votues fiktiv dhe në një listë të posaçme i vendosi 172.000 votues të cilët të drejtën e tyre të votës do ta realizojnë jashtë vendit.
Po ashtu u formua edhe një ad hok trup për medie që do të merret me vëzhgimin e medieve 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, si dhe u caktua që kryeredaktori dhe redaktori i redaksisë së informacionit në RTVM-në shtetërore të jetë nga radhët e opozitës maqedonase.
Vota shqiptare në Republikën e Maqedonisë ka humbur vlerën e saj, nga që vet votuesit shqiptar nuk jemi duke ditur se si ta ruajmë atë dhe kultivojmë me qëllim që ajo të mos shkoje huq. Nëse zgjedhjet do të mbaheshin me 11 dhjetor të këtij viti, votën time unë do t`ia jap atij subjekti politik i cili do t`i plotësonte disa kushte:
1. 70 % të rinjve të lagjes time t`ia afronin mundësinë për të punuar;
2. 90 % të rrugëve në lagjen time ta shtronin me asfalt, ujësjellës dhe kanalizim;
3. Të hapnin së paku dy kopshte për fëmijë dhe një mini park për lagjen ku jetoj;
4. Të rinovonin ambulancën dhe të ndërtonin një të re;
5. Të ndalojnë me ligj lëshimin e muzikës së lartë gjatë periudhës së verës dhe gjuajtjes me armë pas orës 22;
6. Të rinovohet shkolla fillore dhe të ndërtohet një shkollë fillore e re;
7. Fëmijët e kategorive sociale nga lagja ime të kanë mundësinë e shkollimit deri në studime të larta falas;
8. Të ndalojnë me ligj hapjen e kazinove dhe bastoreve në lagjen time;
9. Të ndalojnë me ligj hapjen e kafeneve afër shkollave e xhamisë në lagjen time;
10. Gjatë mandatit të tyre të shtojnë së paku nga 5 deri në 7 hektar tokë për varrezat e muslimanëve që bien në lagjen time;
11. Të subvencionojnë hapjen e qendrave sportive në lagjen time;
12. Të ndihmojnë hapjen e shkollave të gjuhëve të huaja në lagjen time;
13. Të kufizohet me ligj shpejtësia e veturave në Lagjen time në 30-50 km në orë;
14. Të japin garanci ligjore se asnjëherë nuk do të përsëriten ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit 2015;
15. Të subvencionojnë blegtorët e lagjes time;
16. Të ulin çmimin e druve për 50 % për familjet me të ardhura deri në 200 euro në muaj për lagjen time;
17. Të hapin një bibliotekë në lagjen time;
18. Të mundësojnë që pensionistët e Lagjes time të përfitojnë nga subvencionet e shtetit;
19. Të hapin një jetimore në lagjen time;
20. Për familjet e kategorive sociale të lagjes time, ta ulin çmimin e energjisë elektrike për 50 %.
Shkurtimisht këto janë kërkesat e mia për cilën do parti politike që e do votën time. Unë jam banor i Lagjes së trimave, dhe nëse i plotësoni këto 20 kërkesa, ju me 11 dhjetor do ta keni votën time.