Lajme

Tragjedia e përmbytjeve në Shkup: Hoxha i Hasanbegut kërkon hapjen e 30 varreve

“Të hapen mbi 30 varre në Hasanbeg të Shkupit.” Kjo është porosia që u ka dhënë hoxha i Hasanbegut banorëve të këtij vendi pas përmbytjeve nga rreshjet e shiut që vërshuan në thuajse tërë Shkupin gjatë ditës së djeshme.
Njëri nga anëtarët e shoqatës humanitare “NUN”, Jetish Sulejmani, ka njoftuar portalin tesheshi.com se kjo shoqatë tanimë ka filluar aktivitetin e saj për shpërndarjen e mjeteve të nevojshme për banorët e lagjes “Hasanbeg”.
“Këta banorë janë në një gjendje të jashtëzakonshme. Shoqata ‘NUN’ që nga mëngjesi ka filluar bartjen e gjërave të nevojshme, si çizme gome, batanije, shatorë për fjetje dhe produkte ushqimore, si bukë, ujë i pijshëm, qumësht, etj.,” deklaroi Jetish Sulejmani.
Sipas tij, edhe përkundër faktit që kanë ndaluar rreshjet e shiut, kjo lagje vijon të duket si një lumë apo liqen, me ç’rast ekipet e emergjencës janë në kërkim e sipër të viktimave të reja, ndërsa hoxha i kësaj lagje ka porositur hapjen e 30 varreve.
“Hall, hall…, gjendje e mjerueshme duket i gjithë Hasanbegu. Nuk ka shtëpi që nuk është goditur nga fatkeqësia natyrore. Mund ta imagjinoni ashtu siç rrëfenin banorët e kësaj lagje: një veturë e cila ka qenë e parkuar është bartur nga uji plot 800 metra. Ndërsa të gjitha shtëpitë e ndërtuara nga një kat i ka mbuluar uji deri në kulm. Po ashtu, një shoku im që e ka motrën e martuar në pjesën e Kamnikut në Hasanbeg, e që tashmë ka ndërruar jetë si pasojë e përmbytjeve, më tha se ka shumë viktima, aq sa një hoxhë ka paralajmëruar hapjen 30 varreve,” vazhdoi Sulejmani.
Gjithashtu portali tesheshi.com ka mësuar se ndër 20 viktimat, aq sa ka njoftuar zyrtarisht Ministria e Punëve të Brendshme, gjendet një çift i ri bashkëshortor nga familja Fejzullahu e Hasanbegut, së bashku me vajzën e tyre.
Ndryshe, të rreshurat e shiut do të fillonin me një intensitet të lartë që nga fillimi, dhe kanë zgjatur plot pesë orë pa ndërprerje, prej orës 18:00 deri në 23:00 të natës.
Përveç “Hasanbegut”, rreshjet e shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale edhe në fshatrat përreth Shkupit, në Haraçinë dhe Straçincë, fshatra këto të banuara kryesisht me familje shqiptare. Shumica i kanë lëshuar shtëpitë dhe me ndihmën e ekipit të Qendrës për Menaxhim me Krizat janë shpërngulur dhe kanë dalë nga ajo gjendje kritike.
Në orët e vona të natës, lagjen Hasanbeg e ka vizituar edhe kryetari i qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski. Megjithatë, ai, për dallim nga bashkëpartiaku i tij Nikolla Gruevski, i cili para disa ditësh u prit me mirënjohje në Shipkovicën heroike të shqiptarëve, është fyer shumë rëndë dhe e ka braktisur këtë lagje si i padëshiruar nga banorët e saj. Banorët vlerësonin se pikërisht neglizhenca dhe pakujdesia e kësaj garniture politike në qeveri bëri që lagjet shqiptare të vuajnë për kanalizim, ndërsa pjesa maqedonase bën sehir teksa sheh përmbytjet e lagjeve shqiptare.
Nga dje, por edhe sot, të gjitha fshatrat nga Hasanbegu e më lart nuk kanë rrymë elektrike dhe valë
telefonike.
Ndërsa ministri i shëndetësisë, Nikolla Todorov, njoftoi se do t’i propozojë qeverisë që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në kohëzgjatje prej 15 ditësh.
Një përmbytje si të djeshmen nga rreshjet e shiut, Shkupi e nuk mban mend që nga 16 nëntori i vitit 1962. Në atë kohë lumi Vardar doli nga shtrati dhe vërshoi pothuajse në të gjitha vendbanimet në Shkup. Nga kjo katastrofë natyrore do të përmbyteshin mbi 5.000 shtëpi. /tesheshi.com/

Related Articles

Back to top button