6 studentë nga Presheva humbin të drejtën të regjistrohen në fakultetin e mjeksisë në Shqipëri
Shtatë të rinj nga Lugina e Preshevës kanë ardhur në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë, pasi sot do të zhvillohej shorti për të qenë pjesë e vitit akademik 2016-2017. Sëbashku me ta ishte edhe Kryetari i Kuvendit të Bujanovcit, Jonuz Musliu, i cili denoncon gjithë procesin e përzgjedhies.
Sipas tyre, problemi nis që me numrin e reduktuar të kuotave, pasi nga trevat, vetëm një nxënës ka të drejtën të hyjë në Fakultetin e Mjekësisë.
Sipas Musliut, në vitet e mëparshmë, situata ka qenë më ndryshe. Ka pasur kuota, por ato kanë qenë më të shumta, në të gjitha degët e mjeksisë. Ndërkohë të rinjtë thonë se vitin e kaluar kanë qenë shtatë kuota, ku katër prej tyre janë pranuar në fazën e parë me provim dhe tri të tjerët janë zgjedhur nga mesatarja.
Në një prononcim për dritare.net, Jonuz Musliu ka thënë se kjo situatë është e papranueshme dhe nuk mund të luhet me jetën e nxënësve të trevave.
“U zvogëluan kuotat pranuese për trojet, kjo gjë është shumë negative. Ne kemi kërkuar që të jetë me provim dhe jo me short. Me shortin mund të hyjë kushdo, është e gjitha me fat. Por dikush mund të jetë më i aftë se ai që hyn, kjo nuk është mënyra që duhet të ndiqet. Kemi ardhur në një gjendje të papranueshme, sidomos ne të Luginës së Preshevës, ku ata që janë ardhmja e vendit, varen nga fati.
Shqipëria duhet të jetë pranë shqiptarëve në të gjitha trojet. Kjo nuk është një lojë. Eshtë detyrim i Shqipërisë. Pse duhet që Shqipëria të privojë nga e drejta për arsim, shqiptarët e trojeve. Nuk duhet të vendosen, limite apo kuota, aq më keq me shorte.”
Për nxënësit nga Lugina e Preshevës, të vetmet vende në të cilat mund të kryejnë studimet për mjekësi, janë Tirana dhe Prishtina.
“Në Prishtinë situata është më ndryshe, pasi bëhet me provim dhe janë rreth tetë kuota pranuese.”-shton Musliu për dritare.net
“Është fat i keq pasi dhe në të ardhmen me siguri e njëjta skemë do të ndiqet. Do zgjedhin rrugën më të lehtë, atë me short. Nuk do të lodhet as Senati, as Rektorati, e as Ministria e Arsimit, që të vlerësojnë sipas dijeve që kanë nxënësit. “
Kryetari i Kuvendit të Bujanovcit, tha se nuk do të heqë dorë nga përpjekiet për të arritur një marrëveshje me institucionet përkatëse.
“Unë do të përpiqem të kontaktoj me Kryeministrin Rama, Ministren e Arsimit apo dhe me Kryeparlamentarin, që së paku të rriten kuotat. Nuk i kushton shumë Shqipërisë të ofrojë më shumë kuota për të pranuar nxënës të trojeve, pasi dhe Presheva ka nevojë për mjekë.”
Nga 17 studentë të Luginës së Preshevës që aspironin mjekësinë në Tiranë, numri i tyre u reduktua në shtatë. Janë shtatë studentë të ekselencës, të cilët presin që të vendosë fati, për të ardhmen e tyre.
Fati ishte me Lundrimin, 19 vjeçarin nga Lugina e Preshevës.
Të rinj të shqetësuar.
Ndërkohë në sytë e gjashtë të tjerëve dallohet zhgënjimi i thellë, teksa panë që i iku mundësia për tu shkolluar. E tillë është edhe Metija, e cila erdhi me shpresën se do të niste dhe ajo shkollën të hënën. Por pavarësisht se është me rezultate maksimale, ajo do të rrijë edhe një vit pa shkollë.
“Ne i sjellim diplomat e listat e notave, por ata as nuk i marrin parasysh fare. I lihet goglave të shortit nëse unë do të vazhdoj arsimin apo jo. Nuk e di se çfarë do bëj, do ngelem një vit pa shkollë, por dhe vitin tjetër nuk kam siguri.
Për të studiuar mjekësinë duhet të shkojmë në Beograd tani. Por më thoni ju si mund të shkoj unë atje, kur kemi frikë se nuk do të kthehemi gjallë. Ne nuk e kemi guximin, aq më tepër ne që jemi femra.”- shprehet Metija për dritare.net duke fshehur lotët.
Bashkë me të rinjtë kanë qenë edhe prindërit e tyre, të cilët kërkojnë një mundësi nga Shqipëria, për fëmijët e tyre.
“Këta që kanë ardhur sot janë nxënësit më të mirë, vajza ime ka qenë me të gjitha 10-ta. Ne kemi bërë kërkesë për të bërë një proces më të drejtë për përzgjedhien e tyre, por nuk na janë marrë parasysh. Nuk dimë çfarë të bëjmë më tepër, mua më dhemb shpirti kur e shoh vajzën time të qajë, e kur kujtoj netët e saj pa gjumë për të mësuar. Duhet që t’i jepet mundësia të gjithëve për tu arsimuar.”- shton babai i Metijes për dritare.net
Dritare.net “zgjedh” fituesin nga Presheva
Shorti i zhvilluar ditën e sotme në Fakultetin e Mjekësisë, vendosi fituesin e vetëm nga Presheva, për të vazhduar studimet në Tiranë. Gjatë procesit të përzgjedhjes ishte dhe dritare.net. Si media e vetme e pranishme, paneli i Fakultetit vendosi që zgjedhjen e fituesit ta bënim ne, në mënyrë që të evitohej çdo anshmëri. Në një kupë e cila përmbane shtatë emra në gogla, ne zgjodhëm një gogel, e cila kishte emrin e Lundrimit.
Djali nga Presheva, nuk e priste. Sapo dëgjoi emrin e vet, shkoi të përqafojë babain e vet.
Lundrimi fitoi mundësinë për të qenë pjesë e vitit akademik 2016-2017 për mjekësi në Tiranë. Por vitin e kaluar, 19 vjeçari qëndroi pa shkollë pasi nuk arriti të fitonte mjekësinë në Prtishtinë.
“Konkurrova në Kosovë, por atje provimi është shumë i vështirë dhe për pesë pika nuk arrita të bëhesha pjesë e Fakultetit. Prandaj kur lexova emrin tim, kisha një miks emocionesh. Ishte një gëzim shumë i shkurtër, pasi më erdhi shumë keq për shokët dhe shoqet e mija që nuk bëhen dot pjesë. Ne jemi të gjithë me nota maksimale, por ky sistem përzgjedhjeje na privon shumë. Kjo është një skemë e tmerrshme, duhet të bëhet patjetër me provim. Të gjithë që nuk do pranoheshin do ishin më të qetë, pasi do ishte më e drejtë dhe me meritë. Por unë falënderimin e kam për ju të dritare.net, pasi ishit ju fati im.”/dritare.net