LajmeVideo

Arifi, ura e mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe Serbisë (Video)

Dy shqiponjat, e zeza dhe e bardha, do të takohen edhe një herë në Serbi. Shqiptarët dhe serbët, politika dhe biznesi do të mundohen të ofrojnë duart e paqes dhe të interesit. Në një mënyrë si dëshirojnë ti shohë bota në një fluturim harmonik për ta krijuar një shtëpi me hapësirë për të gjithë. Por, e shkuara bëhet pengesë e madhe në mes dhe të gjithë presin si do të jetë takimi mes njerëzish që duhet të zgjidhin dhe të krijojnë një rrugë të re jo vetëm fizike. Një bashkëjetesë është e nevojshme për shpëtimin e florës dhe faunës së trazuar Ballkanike.

Pas takimeve të kryeministrit Edi Rama në Beograd, nën survejimin e dronëve të ndryshëm dhe reagimeve tradicionale ballkanase, kthimi i vizitës në stilin e luftës së ftohtë në Tiranë e kryeministrit serb, Alleksandar Vuciq, hapën vetëm shënimin historik në kalendar të realizimit të dy vizitave gati të pamundura.

Një pritje e gjatë dhe një injorim total i fqinjëve. Joe Bajden, zëvendës presidenti amerikan arrinë në Beograd. Administrata amerikane, e Bashkimi Evropian, si vëzhgues të përhershëm duken të shqetësuar se fqinjët e Evropës Juglindore kanë gjetur instrumentet e vjetra të fëmijërisë për ta bërë lojën e dikurshme nga e para. Kroatët me serbët janë armiq të rinj e të vjetër.

Disa nota proteste në javë kundrejt njëra tjetrës. Kroacia, tash një shtet i fuqishëm në rajon, anëtare e BE-së dhe NATO-s, me të drejt vetoje në Bashkimin Evropian dhe me plagë të hapura politike. Bosnja, një vend që përvec bllokimit të cdo procesi politik, përjetoi edhe referendumin për ditën e Republikës Serbe, gjë që nuk duket e tmerrshme si arsye, por e frikshme si ide për shumë njerëz.

Në ditën e fundit, por në vazhdimësinë e Uashingtonit, Biden solli idenë se më nuk ka fjalë. Kryeministri serb, Alleksandar Vuciq, i cili në zgjedhjet serbe fitoi bindshëm edhe një mandat, bëri të ditur lajmin se në fqinjësinë e mirë do të jetë edhe një herë në Beograd, Edi Rama, por edhe një tentim ekonomik.

Marko Savkoviq, është një nga organizatorët e forumit të sigurisë. I lodhur me sqarime me njerëzit, beson se bashkëpunimi është një gjë elementare që njerëzit duhet ta zhvillojnë. I ndodhur në mes udhëtimeve si pjesë e shoqërisë civile, në vendet ekzotike në fqinjësi dhe realitetin politik.

Ai thotë se ideja e takimeve të Beogradit, ku do të flasin Rama e Vuciq së bashku në hapje, është një hapësirë për diskutimin e fuqisë apo plogështisë së shoqërive për të tejkaluar pengesën e madhe që duket se i pengon të gjithë.

Por, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet Tiranë-Beograd, të cilat pak vite më parë dukeshin si vende tërësisht me kurrizin e kthyer nga njeri-tjetri, tani për Serbinë duket më i lehtë komunikimi. Në ajër është më shpejt, por në tokë, rruga kryesisht kalon nga Kosova. Autostrada e njohur si Rruga e Kombit, duket se do të jetë një projekt ku interesin e shohin edhe të huajt, një nyjë që në pak kilometrat e saj nga Nishi e deri në Kosovë, mund të lidhet me rrugën nga Turqia, Selaniku e rrugës drejt Bashkimit Evropian dhe Evropës Perëndimore.

Në zonën e armikut, nga të gjitha pikat e për secilin, duket se është e vështirë liria e lëvizjes edhe me rrugë të hapura, por me ide që limitojnë shpejtësinë si në rrugica të ngushta parahistorike. Presheva. Shqiptarët e Luginës së Preshevës, në jug të Serbisë, kanë bërë histori e përpjekje për të arritur të drejtat e tyre me armë e protesta e stres të vazhdueshëm për qytetarët.

Shqipërim Arifi, ka jetuar prej kohësh në Gjermani. Është kthyer në Preshevë për të garuar për kryetarin e këtij qyteti dhe si i ri qytetarët ia dhanë votën më shumë. më pak histori ndër shekullore, e më shumë punë. Takimin e sigurisë në Beograd dhe atë të Nishit sidomos, e shohin me ëndje. Nuk kanë qenë të ftuar, por besojnë se shqiptarët mund të përfitojnë në një vend ku papunësia është simbol i qytetit.

Shqipërim Arifi, Kryetar i Preshevës Ai thotë se për shqiptarët është shumë e rëndësishme të përfshihen në proceset ekonomike pasi kjo mund ta ndihmoj këtë vend të zhvillohet dhe jo vetëm për shkak të përkatësisë etnike, por edhe për mundësinë e ndihmës në procesin e zhvillimit të marrëdhënieve, shqiptarët mund të jenë urë lidhëse.

Qeveria e Serbisë, ka bërë përpjekje për të çuar mesazhe gatishmërie lidhur me marrëdhëniet në rajon. Një punë e vështirë para një opinioni që edhe më parë nuk ka ditur shumë për Kosovën dhe marrëdhëniet janë bazuar në forcat e rrëmbimit dhe mbi logjikën e së keqes.

E sfiduar nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, ngjarjeve të dhunshme në Beograd në protestat kundër saj, e pamundësisë për ballafaqim të mëparshëm me një politikë të zgjidhjeve dhe jo të mbylljeve, Serbia u tërhoq në zgjidhjet me dialog duke mos pranuar ofertat.

Demokratët në një sistem paraniak, humbën. Alleksandar Vuciq, dikur radikal, megjithatë bëri hapa që qeverisja e mëparshme u ikte me frikë. Por, ka sfida që duhen zgjidhur dhe përplasjet me vetveten nuk janë të rralla. Beogradi e ka ende sfidë komunikimin me Kosovën, një shtet që nuk ia njeh ekzistëncën, por duhet ta ketë më mirë me të. Drejtuesi i Forumit për Marrëdhënie Nderetnike, Nenad Gjurgjevic, është kritik kur flet për politikën. Në marrëdhëniet shqiptaro serbe sheh mundësi të shumta që janë penguar në të shkuarën.

Nenad Gjurgjevic, Forumi për Marrëdhënie Ndëretnike Gjurgjevic beson se përmirësimi i marrëdhënieve nuk mund të bëhet vetëm në dialog. Një institucion i përbashkët si qendër kulture do të tregonte se institucionet janë serioze.

Kosova e ndodhur në mes të presionit për njohje, shtetësisë, anëtarësimeve dhe lobimit ndërkombëtarë, një ekonomie jo shumë të zhvilluar dhe një fluksi emigrantësh drejt Evropës, është e detyruar të negocioj me Beogradin. Në shtëpi fryma nuk është shumë pro pozitivitetit me Serbinë.

Edita Tahiri, është marrë me politikë krahas Ibrahim Rugovës dikur në LDK, e më vonë në partinë e saj. E specializuar në dialog, një punë jo shumë e lakmueshme, beson se kritikët në Prishtinë nuk e kanë idenë e shtetëndërtimit. Dialogu me Serbinë ka arritur normalizimin dhe kthimin në Kosovë të disa fuqive sic janë pikat kufitare në veri dhe besimi tek shteti i Kosovës.

“Në Kosovë ka patur zëra pakënaqësie pasi Kosova nuk përfaqësohet në nivel politik në Forumin Ekonomik, gjë që fillimisht u kuptua si takim i dy kabineteve qeveritare, për të diskutuar për autostradën Nish-Prishtinë-Durrës, e që Prishtinën tingëllon sikur e rreshton në qytetet dytësore të një qendreje më të madhe”, ka thënë Tahiri.

Tahiri thotë se në Kosovë nuk ka frikë pasi i besojnë qeverisë shqiptare në Tiranë. Beson se takimi është në të mirë të paqes në rajon.

Shqipëria për serbët ka qenë gjithmonë vetëm një barsoletë komunizmi. Hijëzimi i Enver Hoxhes dhe në fillim të viteve 90 përfundon historia shqiptare për serbët. Por, për shumë shqiptarët janë shqipëtarë. Qeveria shqiptare dhe Edi Rama, retushoj portretin e ngrirë të marrëdhënieve, pavarësisht se Shqipëria nuk është përfshirë në luftë. Arsyet e ngrirjes ekzistojnë.

Ditmir Bushati, shef i diplomacisë shqiptare i cili ka qenë pjesë e takimeve në Beograd edhe më herët, thotë se do të diskutohet për mundësinë e investimeve të përbashkëta. Ai thotë se marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen dhe Shqipëria dëshiron të ketë lëvizje të lirë me karta ideniteti për qytetarët e të dyja vendeve.

Besimin e Prishtinës Bushati e konfirmon lidhur me raportet me Serbinë. Shqipëria, thotë ai, ka qenë e qartë sa i përket Kosovës.

Rreth 100 kilometra autostradë i mungojnë lidhjes nga Serbia në Kosovë për të lidhur korridoret më të rëndësishme të Evropës. Në Nish lidhet rruga për në Greqi, Bullgari, e Turqi.

Në anën tjetër Kroacia dhe Hungaria që çojnë në shumicën e vendeve dhe autostradave të Evropës. Por, shtetasit shqiptarë për të udhëtuar në Serbi duhet të kalojnë nga Maqedonia apo Mali i Zi pasi për të huajt Serbia kufirin me Kosovën nuk e konsideron kufi dhe vula në pasaporta nuk mund të ketë.

Por, ekzistojnë shkëmbime të rëndësishme tregtare. Ndryshe nga politika, ekonomia e sheh krejtësisht të kundërtën. Shifrat flasin se ata kanë të drejt të vejnë kushte. Marko Cadez, udhëheqës i Dhomës Ekonomike të Serbisë, thotë se biznesit nuk i intereson fare se kush me kë ka inat.

Cadez është i bindur se biznesi do të shkoj edhe më larg për tu përballur me sfidën e kompanive gjigande në tërë botën. Me Kosovën kanë miqësi.

“Ajo ku të gjithë në rajon njëzëri pajtohen është se bashkëpunimi nuk ka alternativë. Një mësim perëndimor i ambiceve të secilit vend të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, doplomim i cili do të mundësoj një zhvillim afatgjatë dhe ndërprerje të zinxhirit të së keqes dhe shpresës së përditshme se nesër do të jetë një ditë më e mirë. Por, ka shumë probleme për tu zgjidhur”, thotë Cadez.

Gjatë takimeve të Nishit Shqipëria dhe Serbia do të firmosin disa marrëveshje dhe do të themelohet Dhoma e shqiptaro-serbe e tregtisë. Tensionet politike ndër shtete në Ballkan zgjasin kohën e pritjes dhe radhët e qytetarëve të dëshpëruar. Shekuj tensione e luftëra për teritore, mosbesim, duket se i janë mërzitur perëndimit. Të gjithë së bashku dhe përnjëherë në progres. Një forcë magnetike që duhet triumfuar. Por, politikanët pajtohen shpesh dhe më pas, në kohën e lirë, status quoja vazhdon./TopChannel/Exlusive

Related Articles

Back to top button