Avokatja: Kemi dëshmi materiale kush e ka tradhtuar Grupin e Kumanovës
Avokatët e të akuzuarve për rastin e Kumanovës thonë se keqtrajtimi i tyre është një krim shtetëror pasi i njëjti kryhet nga Institucionet shtetërore. Avokatja Artene Iseni tha në “Rruga Drejt” se Prokuroria duhet të hetojë edhe atë se kush i solli dhe i tradhtoi në Kumanovë personat e akuzuar.
“Nuk kemi të bëjmë me keqpërdorim këtu kemi të bëjmë me dhunë fizike dhe psiqike por dhuna kur bëhet ndaj një personi me duar dhe këmbë të lidhura është krim, nëse ky krim bëhet nga ana e nëpunës të institucioneve shtetërorë është krim shtetëror. Në bazë të provave që i kemi grumbulluar qoftë verbale apo materiale, konsideroj se ekziston një dorë e largët e cila i ka nxitur i ka shti, i ka vendos në lajthitje, i ka tradhtuar këta djem kosovarë duke i keqpërdorur ndjenjat e tyre patriotike”, u shpreh Artene Iseni.
Ministri i Drejtësisë Valdet Xhaferri thotë se grupi i punës i ngritur nga zv/ministri i brendshëm Agim Nuhiu për këtë çështje punon në zbardhjen e plotë të keqtrajtimit të të akuzuarve.
“Zv/ ministri Nuhiu ka ngritur grup pune pjesë e së cilës janë edhe nga kabineti im, nga Ministria e Drejtësisë të cilët po shqyrtojnë të gjitha ankesat të cilët kanë ardhur dhe nga avokatët nga familjarët por edhe nga vet ata presona që tani janë në paraburgim”, tha Valdet Xhaferi, Ministër i Drejtësisë.
Mitasin Beqiri nga PDSH tha se përgjegjësi duhet të mbajnë edhe drejtuesit e burgjeve dhe gardianët.
“Përgjegjës për transport nga gjyqi në burg dhe nga burgu në gjyq janë gardianët e burgut se fizikisht qëndron në burg ata përgjigjen jo njësitë speciale, gardiani i burgut që ministri e propozon në qeveri ai dihet të mbajë përgjegjësi”, u shpreh Mitasin Beqiri, PDSH.
Në “Rruga Drejt” pos çështjes së keqtrajtimit të të akuzuarve në rastin Kumanova u diskutua edhe për proceset tjera si “Sopoti” dhe “Monstra” si dhe për politizimin e sistemit të drejtësisë në vend.