Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, sot filloi dita e parë e javës së planifikimit të buxhetit për vitin e ardhshëm kalendarik 2017.
Sot paradite u mbajtëm takimet me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme, si dhe pasdite me përfaqësuesit e institucioneve lokale që janë të themeluar nga komuna jonë apo që janë në mënyrë indirekte shfrytëzues të buxhetit tonë.
Gjatë takimeve të sotme, ne si ekzekutiv morëm inpute mjaft të dobishme rreth planifikimit të parasë publike për vitin 2017, dëgjuam për nevojat e përfaqësuesve të këtyre institucioneve, problemet financiare në të cilat kanë hasur më parë, dhe mënyra më e mirë e finansimit të tyre për një rezultat kualitativ të punës të cilin të gjithë e synojmë.
Parimisht u konkludua që në vitin e ardhshëm, shpenzimet e familjeve që paguajnë për dërgimin fëmijëve të tyre në kopshtin e fëmijëve të zvogëlohen.
Ashtu edhe siç kemi premtuar në fushatën parazgjedhore se do të investojmë në njerëz, këtë edhe bëmë sot, duke planifikuar rritjen e pozicionit të finansimit të arsimit ku do të parashihen mjete edhe për avancimin profesional të mësuesve dhe profesorëve të shkollave tona duke shkuar nëpër trajnime dhe seminare të ndryshme për qëllim të rritjes së kualitetit të mësimdhënies.
Natyrisht, u tregua nevoja e rritjes së stafit të mjekëve në Shtëpinë e shëndetit për ngritjen e cilësisë së shërbimeve ndaj pacientëve, ku u dakorduam që këtë pozicion ta rrisim në vitin e ardhshëm kalendarik.