Ç’do të thot të jesh aktor sot në Preshevë
Të jesh aktor në Preshevë, vërtet është shumë vështirë, shkaku se nuk ka kushte, së pari të ndjehesh si aktor dhe me pas të vlerësohesh, e kam fjalën, nga organet të cilat vërtet duhet të krijojnë kushte për aktorët, regjisorët dhe për gjeneratat që vijnë pas. E vetmja që na jep forcë është ajo që të vlerëson publiku, me prezencën e tyre, kur ne krijojmë ato pak paraqitje sa kemi mundësi dhe mbështetje.
Në një ditë pushimi, me të hyrë në njërën nga kafenetë më të frekuentuara në qytetin e Preshevës, në një qoshe të lokalit takuam Gani Veselin, njërin nga aktorët preshevar. Nga lodhja e provave që kishte gjatë javës, ai gjendej në kafene që të relaksohej pak, – ani pse na tha se relaksim i vetëm për të është skena. Me një stil të veçantë, me mendje tek ushtrimet për shfaqjen, e me përsëritje të tekstit për rolin që ka marrë në projektin e ardhshëm, ai, deshëm apo nuk deshëm, shumë shpejt bie në sy. Shpeshherë stili i jetesës së tij duket i veçantë, mirëpo me të përfunduar projektet ku ai është i përfshirë, tregon jashtëzakonshmërinë profesionale që përfaqëson për çështje të zakonshme. Vetmia e tij krijuese e kudogjendshme përçon ndriçueshmërinë edhe për tjetrin, që pashmangshëm, është një ftesë për domosdoshmërinë e pranisë së vetëdijes kulturore për secilin.
Si është sot të jesh aktor në Preshevë?
Gani Veseli: Ne e dimë se jetojmë në një vend shumë të vogël, por megjithatë, asnjëherë s’na ka munguar krenaria dhe përpjekja që nga hiçi të krijojmë e të arrijmë qëllime të mira në lidhje me artin dhe kulturën. Të jesh aktor në Preshevë, vërtet është shumë vështirë, shkaku se nuk ka kushte se pari të ndjehesh si aktor dhe me pas të vlerësohesh, e kam fjalën, nga organet të cilat vërtet duhen të krijojnë kushte për aktorët, regjisorët dhe për gjeneratat që vijnë pas. E vetmja që na jep ndoshta forcë është ajo që të vlerëson publiku, me prezencën e tyre, kur ne krijojmë ato pak paraqitje sa kemi mundësi dhe mbështetje.
Kjo kategori, sa ka mbështetje institucionale në këtë qytet?
Gani Veseli: Ta them të drejtën me vite kam qenë kritik sa i përket mbështetjes së kësaj kategorie, shumë të ndjeshme dhe një profesioni që, ndoshta, nga 50 mijë banorë mund të gjesh pak që dinë ta bëjnë, sepse arti skenik nuk është literaturë e thatë, por ka të bëjë me shpirtin, ndjenjën dhe realitetin. Gjatë këtij procesi nuk ke kohë edhe të shikosh se si je me shëndet, prandaj për atë them se janë shumë pak që e dinë këtë punë dhe, pothuajse, aspak s’dinë ata që duhet të përkrahin këtë kategori. Me vite të tëra, sidomos nga viti 2004 e këndej, vazhdimisht kemi kërkuar të përkrahet dhe të mbështetet, sepse arti skenik ose, në përgjithësi artet e bukura, janë ambasadore të një vendi.
Mungesa e një teatri a e vështirëson punën tuaj?
Gani Veseli: E thashë edhe më herët se nga viti 2004 vazhdimisht kemi kërkuar që të themelohet Teatri, sepse ne jemi pa shtëpi dhe kam theksuar gjithnjë se kur prezantojmë nëpër festivale jemi i vetmi vend që nuk shkojmë me Teatër po si “Shtëpi e Kulturës”. Prandaj kjo është shumë e dhimbshme, është gjëja kryesore dhe faktori kryesor që na pengon tej mase për realizimin e projekteve dhe sigurisë së aktorëve që na duhen të qëndrojnë në Preshevë. Ne, po presim që ky vit të jetë viti i një ëndrre, që kaherë e kemi kërkuar, pra të nisin proceduarat për themelimin e institucionit të teatrit, tani më të biseduar si formë me drejtorin e posa emëruar të Shtëpisë së Kulturës. Ai, ka shprehur mbështetjen deri në finalizim të këtij institucioni, i cili të jetë si njësi punuese në kuadër të shtëpisë së kulturës. Mendoj se është viti i fundit dhe treni i fundit që të themelohet teatri, sepse të jenë të sigurt se themeluesit e këtij institucioni do të jenë figurat që do të përmenden gjithmonë.
Presheva ka aktorë të suksesshëm edhe në rajon. Sa do të ndihmonte në promovimin e vlerave kulturore themelimi i një teatri në Preshevë?
Gani Veseli: Po. Është e vërtetë. Presheva ka aktorë e regjisorë të suksesshëm në rajon, po edhe ne që jemi këtu në Preshevë kemi qenë shpesh shembull jashtë Preshevës dhe kemi dhënë më të mirën. Madje, për çudi, ata që s’e kanë përkrahur në fillim artin skenik, më vonë janë ndierë krenarë me atë çfarë kemi bërë ne jashtë Luginës së Preshevës. Çdo aktor, regjisor, gazetar jashtë vendit tonë që bën më të mirën, është promovues i vlerave dhe një ambasador i padiskutueshëm.
Festivali “Ditët e Komedisë Shqiptare”
“Këtë vit Presheva merr pjesë me shfaqjen “Skicuesi”, me regji të Afeida Boriçit dhe me aktorët preshevarë: Gani Veselin, Gjelbrim Eminin dhe Artan Ibishin”.
Shumë shpejt fillon Festivali i Komedisë në Preshevë. Presheva si qytet me çka do të përfaqësohet?
Gani Veseli: Po sa i përket festivalit “Ditët e Komedisë Shqiptare” jemi në fund të përgatitjeve, sepse ky edicion, i 22-i me radhë, do të fillojë më 7 nëntor dhe do të mbyllet më 11 nëntor 2016. Këtë vit do të jenë 5 shfaqje nga të gjitha trojet shqiptare. Dihet se ky festival është garues dhe, normalisht, do të ketë juri profesionale e, njëkohësisht, do të ndahen 7 çmime. Edhe këtë vit Presheva merr pjesë me shfaqjen “Skicuesi”, me regji të Afeida Boriçit dhe me aktorët preshevarë: Gani Veselin, Gjelbrim Eminin dhe Artan Ibishin.
Përgatitjet për shfaqjen “Skicuesi” jeni duke i bërë me hapa gjigant. Është stimulim financiar apo thjesht ai profesional e shpirtëror?
Gani Veseli: Është e vërtetë se në kohë rekorde jemi duke përgatitur shfaqjen “Skicuesi”. Shkaku i vonesës së kësaj shfaqjeje ka qenë ndërrimi i drejtorit të ri, por me përkrahjen që kemi marrë nga drejtori i porsaardhur, me kënaqësi kemi marrë realizimin e këtij projekt. Dhe, assesi, s’ka qenë në diskutim stimulimi financiar, sepse të bësh një shfaqje do të thotë shumë më shumë se çështja financiare. Ndërkaq, mendoj se nga janari e tutje me dëshirë dhe përkrahje të të gjitha institucioneve prej kryetarit të komunës, kuvendit, këshilltarëve, si dhe drejtorit të kësaj shtëpie të bëhet hapi historik për themelimin e teatrit që i ka munguar qytetit të Preshevës.
Ju si aktor jeni pjesëmarrës me role të rëndësishme edhe në projekte tjera. Cilat janë projektet e ardhshme që do t’ju shohim juve edhe përtej Preshevës?
Gani Veseli: Është e vërtetë se kam qenë pjesëmarrës në projekte edhe jashtë Preshevës. Kjo ka qenë falë angazhimit dhe respektit qe i bej vetes së pari, profesionit tim dhe, patjetër se, edhe gjithë miqve dhe regjisorëve që i kam lënë përshtypje. Vitin që vjen pres që të angazhohem në një projekt në Maqedoni dhe në dy projektet në Kosovë. Për më shumë kam dëshirë t’ia lë kohës, sepse kam dëshirë që atë ditë kur të filloj çdo angazhim, mediet ta kuptojnë të parat. Për momentin jam i angazhuar këtu në Preshevë, sepse kemi tani shfaqjen “Skicuesi”, festivalin “Ditët e Komedisë Shqiptare” dhe pas festivalit mbetet të shihet se çfarë do t’i ofrohet qytetarëve të Preshevës nga Shtëpia e Kulturës “Abdullah Krashnica”.