LajmeOpinione

Çfarë nuk u tha për shqiptarët e Luginës në Beograd

Tashmë prej vitesh ndjek nga afër ngjarjet dhe gjendjen në tri komunat shqiptare në Serbi. E kam prekur nga afër atë gjendje dhe është diçka që dhemb. Dhemb fort dhe prej vërteti. Përtej përpjekjeve të shoqatave dhe individëve për të përmirësuar disi gjendjen, ecuria është shumë e ngadaltë, shpresa e zymtë dhe perspektiva e zbehtë.

Është hera e dytë që kryeministri i Shqipërisë viziton Serbinë në dy vitet e fundit dhe takon shqiptarë nga Lugina. Them Lugina pasi nuk do të doja të ndaja asnjë nga tri komunat shqiptare autoktone: Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. Dhe në të tilla raste pritshmëria është e madhe, sepse shkojnë nivele të larta politike dhe ekzekutive nga toka mëmë dhe njëkohësisht shpresohet se vetë kryeministri shqiptar që nuk nguron të flasë drejtpërdrejt kur ja do puna edhe për çështje të ashtuquajtura sensitive dhe me qëndrime ndryshe, do të merrej seriozisht me problemet reale të shqiptarëve. Përtej shfaqjes që nuk mungoi nga asnjë palë, keqardhje ishte se nuk u përmendën dhe as nuk u trajtuan në takimin me Kryeministrin shqiptar dhe atë serb problemet më madhore që kanë sot shqiptarët në ato troje.

Është e rëndësishme të theksohet se shqiptarët në Serbi nuk janë diasporë, që të flasësh me superlativa se u siguruan abetaret apo do të mundësohet ndërtimi i mjediseve sportive në shkolla. Sigurisht ato duhen, por nuk mjaftojnë. Shqiptarët sot në Luginë çështjen më të madhe të tyre kanë ekzistencën, e cila po ju shkërmoqet çdo ditë edhe më shumë në këto kohë moderne dhe kur integrimi në Bashkimin Evropian po përdoret si kryefjalë.

Shqiptarët në Luginë nuk kanë punë, papunësia është në nivele alarmante, deri në 80% kryesisht te të rinjtë dhe qeveria serbe nuk e ka në plan zhvillim ekonomik të Luginës; investimet në Luginë janë të papërfillshme, ndërkohë që sipërmarrësit shqiptarë dhe jo vetëm ata, pengohen për të investuar në komunat shqiptare, por lejohen në rajone të tjera mbi Nish; shqiptarëve po iu shuhen adresat e vendbanimeve, që është baras me fshirje dhe zhdukje identiteti, pasi ata nuk mund të marrin më dokumente themelore si certifikata lindjeje, nuk mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, e të tjera të drejta të njeriut që iu mohohen haptazi; shqiptarët janë etni në Serbi, një nga 18 etnitë që janë aty, të pestët për nga numri, por të parët për nga diskriminimi; shqiptarët nuk kanë universitet në Luginë, ndaj bijtë e tyre detyrohen të largohen nga vendlindja për të studiuar.

Ekzistenca e shqiptarëve në trojet e tyre autoktone është në rrezik nga shpërnguljet masive, pasi në Luginë nuk kanë mjete e burime jetese dhe popullata aty jeton kryesisht nga ndihma e familjarëve të tyre në diasporë. Investimi i rëndësishëm infrastrukturor që synohet të realizohet për të lidhur Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë mbeti në heshtje. Diskutime mbi ndërtimin e autostradës Durrës-Prishtinë-Nish në favor të shqiptarëve dhe të gjithë banorëve të komunës më të madhe në Serbi, atë të Medvegjës, pavarësisht etnisë së tyre nuk u përmend. Këto probleme madhore ekzistenciale munguan të trajtoheshin në Beograd.

Një tjetër element, që kaloi pa u vënë re ishte edhe konferenca e shtypit e Kryeministrit shqiptar me një kryetar partie (nga 10 parti që ka në Luginë), i cili nuk ka aktualisht de jure asnjë funksion vendimmarrës publik. Ndërkohë që në delegacion ishin të paktën dy drejtues komunash dhe deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë. Pse nga të dyja palët u krye kjo shmangie protokolli dhe mosrespektim funksionesh publike? Njëkohësisht në delegacionin shqiptar nga Lugina mungonin përfaqësuesit e shqiptarëve nga Medvegja. Kujt i shërben kjo mungesë? Mos vallë kemi të bëjmë me plane të mirëmenduara për të shuar shqiptarët në Medvegjë, numri i të cilëve sa vjen e bëhet më i vogël? Përse politika e Luginës i distancon ato? Përse drejtuesit politik shqiptar në Luginë nuk kërkojnë zgjidhjen e problemeve që ekzistojnë vërtet te shqiptarët? Vërtet mendojnë ata se disa foto me buzëqeshje të stampuar do të zgjidhin problemet jetësore të shqiptarëve në Luginë?

Takimi i Beogradit nuk shërbeu si ndihmesë për shqiptarët, por për kredite personale për pjesëmarrësit në të. Asnjë nga problemet e tyre jetike dhe themelore për ekzistencë nuk u trajtua. Shqiptarët autoktonë në Luginë u trajtuan thjesht si diasporë që kanë nevojë për abetare dhe jo si banorë legjitimë në trojet e tyre shekullore që kanë nevojë për të jetuar. I shëmtuar, ky qëndrim nga drejtuesit politikë të Luginës prezent në takim, por edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, që do të ishte e udhës pasi përbën detyrim kushtetues për të, që t’i trajtonte problemet objektive, me vlerë e rëndësi të madhe për shqiptarët e Luginës dhe jo t’i anashkalonte dhe t’i shiste sikur po marrin vërtet zgjidhje. Ndërkohë koha ikën dhe shqiptarët e Luginës ende vijojnë të përballen çdo ditë e më shumë me murin e lartë të indiferencës, lënies, pse jo dhe harresës.

Related Articles

Back to top button