Donacion nga Ambasada Norvegjeze dhe USAID-it për Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë!
Gjatë ditës së premte, drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, z.Reshat Ymeri priti në takime të ndara fillimisht përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë, me të cilët bisedoi rreth problemeve me të cilat përballet ky institucion.
Po në këtë ditë, drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në një agjendë të paracaktuar u takua me përfaqësuesit e Ambasadës Norvegjeze.
Sikur edhe përfaqësuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, edhe delegacionit të Ambasadës Norvegjeze z. Ymeri ia spjegoi gjendjen e rëndë në Shtëpinë e Shëndetit, e sidomos sa i përket mungesës së pajisjeve. Si rezultat i këtij takimi, nga përfaqësuesit e Ambasadës Norvegjeze, drejtorit iu premtua se në një të ardhme shumë të afërt, Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë do t’i sigurohet një donacion me vlerë prej 100.000 Eurove për sigurimin e pajisjeve të Rentgenit si dhe mamografit.
Duke ia shtuar këtyre edhe premtimin e USAID – it, me të cilët drejtori tash e sa ditë është në kontakte të vazhdueshme për pajisjen e Shtëpisë së Shëndetit me karrige të stomatologjisë, atëherë vlen të theksohet se për një periudhë të shkurtër Shtëpisë së Shëndetit do t’i sigurohen pajisje të cilat janë të domosdoshme për funksionimin normal të këtij institucioni.