LajmeOpinione

Duke pritur “Ndryshimin” dhe “Shpëtimin” e Preshevës

Shkruan: Nehat Hyseni

Koalicioni qeverisës APN-PVD, ose “Ndryshimi” dhe “Shpëtimi” instaluan një praktikë të re të raportit me publikun, që aplikohet gjithandej sidomos në në nivelin qeverisjes shtetërore, e më rallë në pushtetet lokale.

Kjo praktikë demokratike e llogaridhënies dhe transparencës më të përkushtuar ndaj publikut dhe votuesve, gjithësesi është përshëndetur dhe përkrahur nga populli i Preshevës, i cili në këtë veprim sheh një ogur të mirë dhe shpresëdhënës për një qeverisje të suksesshme të pushtetit vendor në mandatin 2016-2020.

Në konferencën për shtyp me këtë rast të kryetarit të komunës së Preshevës, Shqipërim Arifit, si dhe në emisionin releviziv të kryetarit të komunës së Bujanocit, Shaip Kamberit, vërehej qartë fryma e re e pushtetit vendor në këto dy komuna të banuara me me shumicë shqiptare, që aktualisht janë në Serbi. Sidomos binte në sy entuziazmi dhe dëshira e zjarrtë e këtyre pushtetarëve të ri në komunën e Preshevës për “hapjen e fabrikave” dhe vendeve të reja të punës, e që realisht, siç theksoi qartë kryetari i komunës së Bujanocit, z. Kamberi, se “detyrë e as kompetencë e pushtetit lokal nuk është hapja e fabrikave, por krijimi i kushteve administrative e politike për biznesin”.

Sido që të jetë puna, vërehej një dëshirë e zjarrtë e z. Arifi për “hapa spektakolarë” dhe për të treguar se “historia e vërtetë” fillon me te dhe asgjë e vlefshme nuk ka ndodhur në këtë komunë para tyre.
Andaj, nuk mund të mëshifej megalomania euforike që realisht lexohej e kuptohej si mospërvojë e mosdije, se sa si një “revolucion demokratik” që me çdo kusht trumpetohej e premtohej gjatë fushatës parazgjedhore, që realisht e solli Alternativën për ndryshim në pushtet, në një afat rekord.

Sa duket, votuesit e Luginës së Preshevës, dmth në Bujanoc e sidomos në Preshevë ishin stërngopur e irrituar me arrogancën plaçkitëse e mafioze e banditeske të PD-së së Nagip Arifit në Bujanoc dhe të Ragmi Mustafës me satelitët e tij në Preshevë, prandaj edhe ishin të uritur dhe të disponuar që t’i besojnë premtimeve të tyre, që për hirë të së vërtetës, një pjesë e madhe e atyre premtimeve, ishin megalomane dhe utopiste.

Por, ajo që bie në sy, ishte “Kundërkonferenca” për shtyp e 27 shtatorit 2016 dhe reagimi kapriçioz, tekanjoz e banditesk i Ragmi Mustafës, si kokë e krimit dhe “plaçkitjes patriotike” e dallaverave, mallverzimeve e abuzimeve, 12 vjet me radhë në pushtetin vendor të Preshevës, i cili nuk hezitoi që kryetarin e tanishëm të komunës së Preshevës ta quaj “sharllatan”!

Në stilin e tij të “oratorisë pa pikë e pa presje”, ose siç thonë preshevarët “dond e kurrëkund hiç”, duke ngatërruar terma e fraza vend e pa vend, Ragmi Mustafa paraqiti “brengën” e tij se “në duar të kujt ka mbetë komuna e Preshevës”, pa iu trembur syri fare, ose siç themi ne, “pa ujë në sy”, na derdhi “lotë krokodili” për fatin e kësaj komune e të këtij pushteti lokal.

Natyrisht, Ragmi Mustafa këtë paturpësi e shprehi pasi që, i “ka marrë erë” pushtetmbajtësve të ri, të cilët në Raportin e 100 ditëshit e parë të qeverisjes, nuk kishin nuk kishin identifikuar dhe adresuar e faktuar abuzimet e pushtetit lokal në 12 vitet e kaluara, madje, siç theksoi kryetari Arifi, ata shumë dokumenta reth abuzimeve nuk kishin arritur t’i gjejnë! Natyrisht, kjo nuk është detyrë e kryetarit të komunës.

Por shija e keqe e kësaj pune është krijimi i bindjes se z.Arifi, sa duket, nuk ka arritur t’i mësoj se cilat janë realisht detyrat, kompetencat dhe obligimet e tij si kryepushtetar vendor i Preshevës.
Pasojë e drejtëpërdrejt e mosangazhimi të një agjencie auditimi, që me kompetencë e profesionalizëm do e kishte kryer zbardhjen e të gjitha abuzimeve e keqpërdorimeve dhe që fajtorët të vihen para drejtësisë.
Kjo nuk është bërë dhe frazat e fajësimit të pushtetmbajtësve të mëparshmit nga këta të tanishmit, normalisht se pa u dëshmuar e faktuar, duken joserioze, sharllatane dhe joproduktive.

Si pasojë e këtij lëshimi amatoresk dhe të papërgjeghshëm të tyre, opozita ose abuzuesit dhe autorët e veprimeve kriminale janë trimëruar dhe janë egërsuar aq keq, sa që me arrogancë, sharje e fyerje të paskrupullta e bllokojnë vazhdimisht, në mënyrë banditeske siç ishte rasti i Seancës së gjashtë të Kuvendit Komunal, ku u arrit kulmi i destruktivitetit të tyre që realisht ka bllokuar punën e pushtetit ligjvënës apo legjislativ të komunës së Preshevës.

Gjithësesi se përgjegjësia për mosefikasitetin dhe mossuksesin e mbarëvajtjes së pushtetit vendor i faturohet opozitës destruktive e tekanjoze, por në instancë të fundit i faturohet koalicionit aktual qeverisës APN-PVD, kryetarit Arifi dhe PVD-së dhe kryetarit të saj, Riza Halimit, nënkryetarit të komunës Xhelal Arifit dhe kryetares së Kuvendit, Ardita Sinanit dhe të tjerët.

Askush nga këta nuk mund të arsyetohet para popullit duke ia hedhur fajin opozitës.
Sepse, tek e fundit, këta e kanë marrë votën e qytetarëve me premtimet se do ta “ndryshojnë” gjendjen e padurueshme dhe se do ta “shpëtojnë” këtë komunë. Kurse, në 100 ditët e para të qeverisjes së tyre, nëse vlerësojmë se “dita e mirë shihet në mëngjez”, nuk kemi vërejtur se, realisht, diçka e tillë ka filluar dhë se është duke ndodhur?!

Related Articles

Back to top button