Lajme

Kryeministri Rama tjetër “Provokacija” në zemër të Serbisë

Trepça ishte ajo që përplasi Edi Ramën dhe Aleksandër Vuçiç në mes të Beogradit. Në forumin për sigurinë ku ishte ftuar të diskutonte bashkë me homologun serb, Kryeministri i Shqipërisë theksoi se Trepça është një minierë në territorin e Kosovës dhe i përket asaj.

Rama: Trepça është minierë në tokën e Kosovës. Çfarë do bëni, do e transferoni në Beograd? Trepça është një minierë në tokën e Kosovës dhe i përket Kosovës. I përket qytetarëve të Kosovës, si shqiptarë ashtu edhe serbë. Bëhet fjalë për ekonomi. Pyetja është: a duhet të vendosë ekonomia nëse kjo minierë funksionon apo duhet të vendosë politika?

Aleksandër Vuçiç këtë herë nuk u ankua për “provokacia”, por i tha Edi Ramës se po shfrytëzonte çështjen për të bërë politikë.

Vuçiç: “Kur vura re prezencën e medias kosovare e kuptova që Edi do e shfrytëzonte për politikë ditore. Ai është politikan më i mirë se unë. Guxoj të them se di më shumë se Edi për Trepcën. Nëse ai thotë se është cështje ekonomie, Prishtina bëri lëvizjen më të keqe përsa i përket ekonomisë dhe zhvillimit të Trepcës. Thoni se bëhet për të mirën e shqiptarëve e serbëve. A mund të gjesh një serb që do të binte dakort me këtë? Jo, nuk folën fare me serbët që jetojnë e punojnë atje. Nuk u kujdesën për këtë por u kujdesën për arsyet e tyre politike të brendshme. Kur e analizoj nga pikëpamja racionale nuk e kuptoj përse e bënë këtë.”
Arrestimi i Nehat Thaçit ishte një tjetër temë e prekur nga Rama, ndonëse Kryeministri i Shqipërisë nuk ia përmendi as emrin as funksionin drejtorit të policisë së Mitrovicës.

Rama: “Si dëshirojmë të ecim përpara pa pastruar këtë listë të të kërkuarve? Sepse mund të kuptoj argumentat por kur dikush kalon kufirin për herë të 10 dhe njëherë në 10 arrestohet, çfarë është kjo?! Në Kosovë dhe në Serbi jam i bindur se prioritet kur mendojmë për njëri-tjetrin është që të bëjmë njerëzit të lumtur. Të ketë sa më pak hapësira për idiotët. Kur u largova nga Tirana për në Beograd më thanë se isha tradhtar, kur u ktheva më thanë se isha hero. Nuk jam as njëri, as tjetri por pas shekujsh ndarje nga një lum gjaku, e ardhmja është këtu dhe duhet ta kapim”.
Nga ana tjetër, Vuçiç shpjegoi se arrestimi i Nehat Thaçit nuk kishte motivim politik por është bërë mbi bazën e një urdhër-arresti të vitit 1997, gjë që bëri Ramën t’i kërkonte homologut serb pastrimin e listave të të kërkuarve.

Vuçiç: “Nehat Thaci… se besoj për atë e kishe fjalën… nuk di asgjë për këtë rast. Kemi hapur kapitullin 23 dhe jam njoftuar nga BE edhe për raste më të vogla. Nuk është arsye për të ndaluar dialogun, sic nuk ka ndodhur kur është arrestuar Oliver Ivanovic. Nuk e kemi dëgjuar nga unë si argument për t’u zënë me dikë për të ndaluar dialogun. Mendoni se u arrestua për arsye politike?

Rama: Politike jo, por…

Vuçiç: Ishte një mandat arresti i vitit 1997…

Rama: Ne duhet ta pastrojmë këtë listë sepsë vijojmë t’i kthehemi asaj.

Vuçiç: Jam dakort me ju se duhet t’i shikojmë të gjitha, por duhet ta bëjmë në mënyrë të përbashkët dhe duhet të keni të njëjtin qëndrim kur flisni për serbët.
Edhe gjatë këtij forumi Rama deklaroi se sa më shpejt që Serbia ta njohë Kosovën aq më mirë do të jetë për të gjithë rajonin. Këtë herë Vuçiç e priti më qetë kërkesën, duke komentuar se Beogradi dhe Tirana kanë dy mendime të ndryshme mbi çështjen.

Related Articles

Back to top button