Lajme

“Sekretet” prapa dorës së shtrirë të disa lypsarëve në Prishtinë

Të zbathur, e me rroba të leckosura ecin rrugëve të Prishtinës… Dhe, veç kur i sheh para këmbëve tua, me dorën shtrirë në drejtimin tënd, herë duke lëshuar nën zë një lutje, e herë pa fjalë të zënë rrugën të bindur se ti e di ç’po kërkojnë…
E, kështu me shpirt të këputur herë i zbraz xhepat para tyre, herë më shumë e herë më pak, por sinqerisht ndodh që edhe i kalon pa lëshuar asgjë në grushtin e tyre të vogël, sepse edhe sikur të kishe pasurinë e dynjasë nuk mund t’i ngopësh gjithë ato duar që i sheh çdo ditë të shtrira në drejtimin tënd. Megjithatë, edhe nëse nuk arrite kësaj radhe të ndash monedhat e fundit të xhepit tënd, për të cilat ti ose familja jote, aq jeni djersitur, zemra dhe mendja do të ngelin aty… aty ku buzëqeshjen ta zënë në kafaz.

Edhe pse duhet pranuar se kemi dëgjuar shpeshherë tingujt e monedhave kur ndesheshin në mes vete të fshehura në pantallonat e leckosur, edhe pse kemi parë herë pas here, duke të refuzuar bukën e në vend të saj të kërkojë para, prapë s’mund ta fshihni që nuk ju është djegur zemra, para asaj dore të vogël të shtrirë para jush.

Kemi dëgjuar edhe për trafikim, por më thoni i keni besuar…?!

Duke kujtuar ato pamje që para syve më shfaqen harrova të përmend për kë po shkruaj, por besoj se e kuptuat që fjala është për fëmijët lypës të komunitetit rom.

Por, ashtu siç nuk i harroj dot ata, duke kërkuar lëmoshë, tani më besoni nuk mund t’i harroj as ato fotografi që i pashë në postimin e një qytetari të frustruar.

Qytetari, Besnik Limaj, ka shkruar një postim të përcjellë me fotografi në “Facebook”, ku tregon se ka qenë dëshmitar që “Për çdo ditë lypsat romë, të importuar nga Shqipëria, e përfundojnë orarin në orën 16:00h në shesh. Orarin e kanë si me punu në institucione publike. Në shikim të parë ta merr menja që i kanë kushtet e vështira, dhe të vjen keq për ta, por pasi që e përfundojnë orarin, 6-7 prej tyre (shumica fëmijë) hypin në këtë VW Polo me tabela AA 46 BBC, ndërsa “kapoja” i tyre i përcjell nga mbrapa me motoçikletë (Motocross)”.

E përfundojnë orarin në 16:00?! E, kur e mendon që shumica në Kosovë punojnë për një euro në orë apo as edhe për atë. Hmm… dyshoj që ata fitojnë më shumë, sepse sa zemrat humanitare ecin rrugëve…

Megjithatë, prapë nuk do të më kishte frustuar kjo sikur të ishin mbathur ato këmbët e zbathura, e sikur të ishte ngopur ai barku i fëmijëve… sepse askush s’po mund të më garantojë që ata fëmijë kanë kushte të jetesës… Ata po hyjnë në veturë, por prapë të nesërmen po shfaqen në rrugë… Nëse prindi do ta donte fëmijën ose pronari i xhipit t’i donte ata, ia kishin dhënë së paku ndonjë ditë pushim… Por, kur s’kanë pushim a thua kanë për të ngrenë… paratë tona apo përfundojnë në tavolinën e lypsarëve, apo në gushat e trafikanteve të pashpirt që s’dinë të ngopen?!… /21Media/

Related Articles

Back to top button