Nuk e kuptoj se çfarë të ardhme kërkojmë ne! Jam i hidhëruar me fatin që na ndërlidh për të jetuar në këtë vend, të çuditshëm siç do të thoja unë.
Në ndërkoh që ec në rrugët e qytetit tim, shoh gjërat e kundërta me atë se çfarë realisht dua të shoh. S’e besoj se ndonjë bashkmoshatar i imi të dëshirojë të vërej bastore e kazino të shpërndara në çdo rrugicë, në vend qe ato të jenë të zëvendësuara me diçka produktive dhe të kënaqshme për syrin.
Janë fjalët si Kazino dhe bastore, ato që vërehen më së shumti, të cilat në fakt nuk duhet as të ekzistojnë për të zymtuar bukuritë e vendit tim. Do të më pëlqente më shumë të lexoja emra autorësh botëror nëpër biblioteka të shpërndara në çdo cep, apo të shihja ndonjë pushimore apo park fëmijësh. S’do të ishte keq të paktën një kinema për të zëvendësuar kafenetë, që kohëve të fundit frekuentohen më shumë se shkolla. Të gjitha këto mbesin në ajër, sepse nuk kam shpresë për realizimin e këtyre ëndrrave të përbashkëta me bashkëkohasit. Janë ata qe na flasin për edukim, ata që japin leje për vendosjen e vendeve antiedukuese, dhe joproduktive, dhe kështu humbet dhe shpresa për të ndërtuar një të ardhme në këtë vend kumarësh./Presheva.AL/