LajmeOpinione

Beteja e humbur publike e opozitës në Luginë të Preshevës

Dëbora e parë që erdhi një ditë pas festës së Flamurit Kombëtar, në Luginë të Preshevës, flladiti emocionet e trazuara të opozitës ndaj ngjyrës kuq e zi, të cilën e mbajnë nga jashtë si dekor, kurse nga brenda i përngjajnë thesit të qymyrit.
Opozita, mjerisht, shqiptare në Luginë të Preshevës, nuk ishte pjesëmarrëse aktive nëpër manifestimet kulturore kushtuar ditës së Flamurit Kombëtar, simbolit historik e identifikues të shqiptarëve, por bënte “sehir” nga dritaret publike, duke përqeshur, tallur e nënçmuar veprimtaritë e tanishme e duke i himnizuar të shkuarat, kur ata ishin dikur në pushtet.

Kur gjithandej viseve shqiptare, valonin flamujt kombëtarë e buçiste kënga dhe vallja e bukur shqipe, me mesazhet më të ngrohta miqësore “Urime Dita e Flamurit Kombëtar!” Urime 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë!, duke reflektuar bashkim shpirtëror e fizik, opozita në Luginë, ndjell lemerinë, përçarjen, urrejtjen dhe hasmërinë ndërshqiptare.

Madje, ç’është më e keqja, kjo opozitë ogurzezë, sajon skenare të kobshme për drejtuesit e ndërmarrjeve publike, duke ushqyer inspektorët e kriminalitetit shtetëror me letra anonime, kinse në emër të “shqetësimit të qytetarëve”, për veprimet e paligjshme të tyre.
Dora e zezë opozitare, nuk ndalet në hedhjen e gurit dhe fshehjen e dorës, në adresë të institucioneve, nga të cilat marrin paga dhe nga na tjetër mundohen t’i shkatërrojnë ato, për tu kthyer dhunshëm në pushtet, të cilin e humbën për të mos u kthyer kurrë.

Beteja e humbur publike e opozitës për ta rrëzuar pushtetin, madje edhe në ditët e gëzimeve të shqiptarëve, në festat nacionale, tregon qartë se në çfarë niveli ka rënë përpjekja djallëzore e ish pushtetarëve, pozita e të cilëve, gjithnjë po zvogëlohet, rrudhet dhe katandiset si më keq.

Përplasjet opozitë – pozitë në Luginë të Preshevës, thellon edhe më shumë hendekun në të cilën ka rënë shoqëria shqiptare e cila, gëzimin që zgjat një ditë, madje vetëm disa orë rreth Ditës së Flamurit, të kthehet në një Gur Sizifi, i cili rrokulliset lart e poshtë pa gjetur një zgjidhje institucionale për simbolet kombëtare.

E gëzimet që zgjatin më pak se një ditë rreth festës së Flamurit Kombëtar, i cili nuk është i rregulluar me ligj, të kujtojnë vargjet popullore:

“Fjalë e urtë devollçe:
– Si të bëjmë e si të themi,
Bir, o Muço kokëdemi,
Dasmë bëjmë dhe nuse s’kemi?!

Shkruan: Sevdail Hyseni

Related Articles

Back to top button