Mblidhen në Tiranë 5 kryetarët e kryeqyteteve: nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina!
Në prag të festave të Nëntorit, Tirana është kthyer në kryeqytetin e gjithë shqiptarisë. Me ftesë të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ajo ka mikpritur sot kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, kryetari i Bashkisë së Ulqinit, Nazif Cungu, dhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, të diskutojnë rreth bashkëpunimit të bashkive shqiptare në rajon dhe do të nënshkruajnë një marrëveshje mes 5 kryetarëve të bashkive shqiptare. 4 kryetarët e bashkive nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës që drejtohen nga shqiptarë, të cilat i janë bashkuar të parat Unionit të Bashkive Shqiptare në Rajon.
Ata janë pritur sot në një takim të veçantë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj me të cilin kanë diskutuar mbi mundësitë e bashkëpunimit, por edhe shkëmbimit të përvojave më të mira për zhvillimin dhe mirëqenien e faktorit shqiptar në qytetet ku drejtojnë.
Më pas ata kanë dhënë dhe një konferencë të përbashkët për mediat, ku kanë vlerësuar nismën e krijimit të këtij Unioni dhe bashkëpunimit mes bashkive shqiptare. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa falenderoi të ftuarit, theksoi se ky takim, por edhe ata që Konferenca e Unionit që do mbahet nesër do mundësojnë shkëmbimin e eksperiencave dhe praktikave më të mira.
“Ky nuk është një projekt nacionalist, siç mund të komentohet nga dikush, ky në fakt është një projekt praktik, një mënyrë fantastike që të jemi në Tiranë, 5 bashkitë kryesore. Fati i Shqipërisë është se rrethohet nga shqiptarë të tjerë, ndaj dhe besoj se është shumë e rëndësishme që të mësojmë nga njeri tjetri. Ajo që po funksionon mirë në Prishtinë ose në Tetovë, ose në Ulqin, ose në Preshevë dhe çfarë Tirana mund të mësojë, por edhe mund të japë në shkëmbim, ndaj sot, do të kemi një ditë kryesisht vizitash në Tiranë, për të parë disa nga projektet aktive, siç është sheshi “Skënderbej”, këndi i lojërave, mënyra se si po konceptojmë stadiumin e ri dhe shumë prej projekteve gjigande të Tiranës, që do të shënjojnë Tiranën e këtij shekulli të ri”, tha Veliaj në fjalën e tij. Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se ky është hapi i parë i krijimit të rrjetit të kryetarëve të bashkive dhe komunave të të gjitha qyteteve të rajonit që drejtohen nga shqiptarët.
“Ky është vetëm fillimi, duam që pas këtyre 5 bashkive kryesore, rrjeti të zgjerohet në të gjitha bashkitë e komunat shqiptare në rajon, por besoj si takim i parë, kjo është vetëm një bërthamë themeluese e unionit të bashkive shqiptare në rajon e cila do të pasohet në të gjithë bashkitë e komunat që gjenden në të gjitha vendet tona dhe shumë shpejt do të botojmë edhe një agjendë, ku do të kemi të gjithë aktivitetet dhe mbledhjet e tjera të Unionit, për të filluar më pas disa projekte konkrete. Unë besoj me gjithë zemër që ky është shekulli i shqiptarëve dhe ky është shekulli i shqiptarëve të mirë që punojnë dhe që kanë fokusin tek puna dhe tek arritjet konkrete”, shtoi kryebashkiaku Veliaj.
Rëndësinë e këtij rrjeti e ka vlerësuar edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e cila theksoi se ky takim i parë merr një vlerë edhe më të madhe tashmë në prag të festës së Pavarsisë. “Mendoj se mënyra se si e kemi kuptuar këtë ide dhe këtë nismë është në fakt ai patriotizmi modern, patriotizëm i cili përveç elementit deklarativ, ka të bëjë me punën të cilën ne në baza ditore të gjithë, kemi për detyrë ta bëjmë për vendet tona, qytetet tona. Logjika e diskutimit për çështjet e përbashkëta, për sfidat ditore që i kalojnë qytetet tona të cilat në thelb janë qytete shqiptare, jo vetëm për nga numri i popullatës, por edhe për nga fryma të cilën ata të gjitha si qytete prezantojnë, në fakt na jep një detyrim të madh të gjithëve”, tha kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ndërsa shprehu kënaqësinë për konkretizimin e kësaj nisme, theksoi se takime të tilla i shërbejnë drejtuesve të komunave dhe bashkive, por edhe stafeve të tyre drejtuese për të vlerësuar drejt problematikat me të cilat përballen sot qytete shqiptare. “Problematika e qyteteve shqiptare, pajtohem që është problematikë e veçantë, e cila na detyron, na sfidon që të bashkëpunojmë, në mënyrë që këto çështje t’i shkëmbejmë edhe si përvoja, edhe si zgjidhje dhe pse jo, edhe nëse diçka ka që e kemi provuar dhe s’ka ecur, t’i themi të tjerëve që mos e provoni, sepse nuk funksionon kjo. Kemi çështjen e legalizimeve pa leje, ku Kosova në përpjekjen e parë ka dështuar dhe mund të themi gjëra që nuk duhet të bëhen në asnjë komunë dhe në asnjë shtet, sepse e dimë ku është problemi, apo ku qëndron problemi me legalizim apo gjëra të tilla. Ky është vetëm takimi i parë, shpresoj që komunat e tjera sa më shpejt të jemi nikoqirë të takimeve të radhës dhe të fillojmë dhe të shtojmë komunat e tjera, që edhe komunat e tjera të bëhen pjesë e këtij rrjeti, pra vazhdimisht të shtojmë komuna të reja”, tha Ahmeti.