Reagon u.d. drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, dr. Reshat Ymeri
Duke i marrë parasysh deklaratat që po paraqiten në opinion lidhur me zyren e zëvendës drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit, më duhet t’i paraqes sqarimet vijuese.
Prej themelimit të saj Shtëpia e Shëndetit në Preshevë e ka vetëm zyren e drejtorit, që ka mjaftuar për t’a drejtuar këtë institucion shëndetësor, natyrisht në bashkëpunim të drejtorit me zëvendësin e tij.
Pas zgjedhjes së Driton Salihut për zëvendës drejtor ai menjëherë kërkoi zyre të veçant. Propozimi i tij ishte që kjo zyre të ndërtohet në hapësirën e koridorit para zyres së sekretarit, hapësirë ku palët e interesuara presin për t’u takuar me udhëheqjen e Shtëpisë së Shëndetit.
Meqenëse kjo kërkesë ishte e papritur nuk isha në gjendje t’i jap përgjigje definitive. Sikur që gjer më tani nuk kam mund t’i përgjigjem edhe kërkesës për sigurimin e një hapësire për nevojat e Barnatores së Preshevës, që ishte e natyrës edhe më urgjente. Mirëpo, në kohën kur unë isha duke i zhvilluar konsultimet e domosdoshme për këto kërkesa, të shtunën, më 20.10.2016 më informuan se kishin filluar punimet në koridorin e Shtëpisë së Shëndetit pa asnjë leje paraprake.
Në situatë kur punëtorët nuk e ndërprenë punën edhe të dielën, unë e kërkova ndihmën e policisë.
Nuk po e shof të arsyeshme këtë nguti dhe interesim për politizim të kësaj çështje, kur dihet se ekzistojnë procedura ligjore që duhet të rrespektohen lidhur me këtë kërkesë. Fillimisht është e domosdoshme që kërkesën t’a shqyrtojnë organet kompetente të Shtëpisë së Shëndetit. Mirëpo, gjithashtu është e domosdoshme që edhe në resorin e urbanizmit të komunës të sigurohet leja përkatëse, meqenëse objekti i Shtëpisë së Shëndetit është ndërtuar me projekt të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Lidhur me akuzat për punën e drejtorit, mendoj se është shumë herët të vlerësohet kjo punë, kur dihet se në gjithë botën, madje edhe kur janë në pyetje qeveritë shtetërore për vlerësime pritet afati 100 ditor. Megjithatë mund të vërehen përmirsimet e para që janë bërë në Shtëpinë e Shëndetit edhe atë në dhomën e intervenimit të praksës së përgjithshme, në një pjesë të nyjeve sanitare, dhe në mirëmbajtjen e pastërtisë. Ndërsa pritet së shpejti edhe realizimi i donacionit të qeverisë së Norvegjisë në vlerë prej 100.000 eurove.
Sa i përket angazhimit në komisionin për verifikimin e vdekjeve është e domosdoshme të sqaroj se këshilli komunal pas shkarkimit të komisionit të mëparshëm ende nuk e ka njoftuar Shtëpinë e Shëndetit me përbërjen e re të këtij komisioni.
Përkohësisht gjersa këshilli komunal t’a bie vendimin përkatës, unë si drejtor me një mjek tjetër jemi duke e kryer këtë obligim, sepse në bazë të ligjit Shtëpia e Shëndetit është e obliguar që të lëshoj vërtetimet e vdekjes dhe nuk guxon në këtë drejtim të krijoj ndonjë vakum.
Në situatë kur Shtëpia e Shëndetit në tri vitet e fundit nuk e ka pranuar asnjë mjek, në praksën e përgjithshme aktualisht janë të angazhuar vetëm 9 mjekë duke më përfshirë edhe mua.
Meqenëse me këtë numër të mjekëve duhet të mbulohen të gjitha stacionet shëndetësor në nivel komunal aktualisht për kujdestari janë në disponim vetëm gjashtë mjekë, andaj edhe është e domosdoshme që të angazhohem jo vetëm për kujdestari, por edhe në ordinancën e praksës së përgjithshme, paralel me punët e drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit.
Problemet e shumta që me vite janë grumbulluar në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë mund të zgjidhen në mënyrë graduale me ndihmë konkrete të pushtetit lokal, të ministrisë së shëndetësisë, por edhe të donatorëve ndërkombëtar, të cilët vetëm po tregojnë interesim konkret.
Preshevë, 04.11.2016 u.d. Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit
Reshat Ymeri