Çfarë është 8 dhjetori për shqiptarët dhe thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”
Qeveria ka shpallur “8 dhjetorin” si festë zyrtare në Shqipëri, ditë kjo që simbolizon nisjen e protestave të studentëve për rrëzimin e regjimit komunist.
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të universiteteve të Tiranës, banues në qytetin “Studenti”, u bënë iniciatorë të protestave paqësore që sollën pluralizmin, rënien e komunizmit dhe lindjen e demokracisë.
“E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ishte shprehja kyçe e 8 dhjetorit, kur të rinjtë kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës, integrimin në Evropë dhe garantimin e pluralizmit politik.
Por sot pas 25 vitesh të rinjtë e Forumit Rinor të PD, do të protestojnë para 4 institucioneve qeveritare për tu bashkuar më pas para Kryeministrisë.
Në orën 11:00 të rinjtë nga i gjithë vendi, do të mblidhen para Ministrisë së Arsimit, kundër reformës në arsimin e lartë, gjithashtu një grup tjetër do të jetë para Ministrisë së Shëndetësisë, për korrupsionin dhe kontrata koncesionare të firmosura nga Ministri Ilir Beqaj.
Gjithashtu të rinjtë do të protestojnë në të njëjtën kohë para Ministrisë së Brendshme për situatën e drogës dhe para Bashkisë së Tiranës, për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj, në landfillin e plehrave në Sharrë.
Pas Ministrive, në orën 12:00 të rinjtë do mblidhen para Kryeministrisë në tubim kundër kryeministrit Edi Rama, për t’iu drejtuar më pas Qytetit Studenti në të njëjtin intinerar që ndoqën studentët në vitin 1990.