KDNJ: Ky vit nuk shënoi asnjë proces serioz për përfaqësimin adekuat të shqiptarëve
Me rastin e 10 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut; e cila shënon nismën më serioze të institucionalizimit të mbrojtjes të të drejtave të njeriut, Deklarëtn Universale për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të miratuar më 1948; Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës vlerëson se edhe gjatë vitit 2016; nuk ka pasur përmirësime thelbësore të gjendjes të të drejtave të njeriut në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Përkundër faktit se Serbia gjindet në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe si rrjedhojë të këtij procesi, ajo edhe ka hapur bisedat edhe për Kapitujt 23 dhe 24, të cilët drejtpërdrejtë kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe pakicave, edhe këtë vit nuk janë shënuar lëvizje të rëndësishme pozitive për t’i zgjidhur problemet jetike të të drejtave të njeriut në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Ky vit nuk shënoi asnjë proces serioz për përfaqësimin adekuat të komuniteteve pakicë në organet shtetërore, sidomos të nivelit rajonal dhe republikan, ku ata mbeten skjashmërisht të nënpërfaqësuar, në shpërputhje jo vetëm të standardeve të Bashkimit Evropian, por edhe të vetë Kushtetutës së Republikës së Serbisë dhe legjislacionit përcjellës.
Diskriminimi në sferën e arsimit, me mungesën e teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë dhe mosnjohjen e diplomave të Kosovës, mbeten probleme urgjente të pazgjidhura edhe gjatë këtij viti. Ndonëse hap pozitiv, zhvillimi i mëtejmë i degës së fakultetit të Suboticës në Bujanoc, nuk zgjidh çështjet e problemit të arsimit për qytetarët shqiptarë në Serbi.
Në sferën e gjyqësorit, nuk pati as iniciativë për ta realizuar të drejtën e kthimit të Gjykatës themelore në Preshevë. As gjatë këtij viti nuk është zgjidhur në organet e drejtësisë ndonjë rast i vrasjeve enigmatike ose i zhdukjes së civilëve gjatë njëzetvjeçarit të fundit.
Rajoni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës vazhdoi të mbetet i militarizuar me njësi të jashtëzakonshme të forcave speciale të policisë dhe me pjesëtarë të ushtrisë; sidomos pjesa e Malësisë së Bujanocit, Karadakut të Preshevës dhe e brezit kufitar në Medvegjë; që e vështirëson qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave, si dhe krijon një frymë të pasigurisë në mesin e popullatës vendore.
Në organet e policisë lokale, gjatë këtij viti janë shënuar disa raste të suspendimit të pjesëtarëve të komunitetit pakicë, të cilët nuk janë zëvëndësuar pastaj me pjesëtarë të të njëjtit komunitet, duke ndikuar kësisoj për së keqi në përfaqësimin proporcional etnik të strukturës së policisë lokale. Po ashtu, KDNJ nuk ka shënuar ndonjë rast i përfshirjes së pjesëtarëve të komunitetit rom në strukturat e policisë lokale. Për më keq, nuk kanë munguar sërish praktikat dhe presionet e thirrjeve në biseda informative, edhe në forma private, nga ana e organeve policore, kundrejt qytetarëve kryesisht të komuniteteve pakicë.
Viti 2016 është karakterizuar gjtihashtu me vazhdimin e praktikave të pasivizimit të vendbanimeve, sidomos në komunën e Medvegjës, ku statistikat e pergjithshme të zbatimit të kësaj urdhërese ligjore dëshmojnë se kjo dispozitë është duke u aplikuar në mënyrë më aktive tek komuniteti shqiptar. Si pasojë, këta qytetarë po humbin edhe një sërë të drejtash tjera të cilat normalisht i gëzojnë me vendbanim (shërbimet sociale dhe mjekësore, shkollimin), si dhe mund t’iu rrezikohet edhe e drejta e votës, duke ia mohuar në të ardhmen të drejtat edhe si shtetas i Republikës së Serbisë.
Përndryshe, iniciativa e fundit për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen dhe liritë e pakicave kombëtare mbetet një rast i mirë për të ndryshuar dhe për t’i plotësuar normat e caktuara ligjore që pengojnë realizimin e disa të drejtave të caktuara thelbësore të pakicës kombëtare shqiptare në Serbi.
Mbetet sidomos jetike që Qeveria e Republikës së Serbisë të rifillojë dialogun me përfaqësuesit institucional dhe politik të Luginës së Preshevës lidhur me implementimin e marrëveshjeve qeveritare për Luginën e Preshevës; aq më tepër që ky vit është simbolizuar edhe me rënien e dinamikës së interesimit dhe pranisë të përfaqësuesve diplomatik dhe joqeveritar ndërkombëtar në Luginën e Preshevës.
Preshevë-Bujanoc, 10 Dhjetor 2016
Shërbimi për Informim i Këshillit për të Drejtat e Njeriut