Daçiq i reagon Mustafës për Luginën e Preshevës
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit kosovar Isa Mustafa, i cili e kishte quajtur komunën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës si komuna të Kosovës Lindore.
Daçiq këtë e ka quajtur si provokim nga ana e Mustafës. Por, ai ka reaguar edhe ndaj zyrtarëve ndërkombëtarë duke i pyetur se përse nuk kanë reaguar ndaj kësaj deklarate.
“Kjo është dëshmia më e hapur e politikës për Shqipërinë e madhe që paraqet kërcënimin më të madh për stabilitetin në rajon. Pse kanë heshtur tash zyrtarët botërorë dhe evropianë, të cilët këto ditë ishin të angazhuar me kujdesin e tyre për Haradinajn? A do të heshtnin kur dikush nga Beogradi do të thoshte se Banja Lluka është Serbi Perëndimore”, ka thënë ai. “Serbia po angazhohet për paqen dhe stabilitetin në rajon, por nuk do të mundet më të durojë pafytyrësinë dhe standardet e dyfishta”, është shprehur ai.