Musliu: Pranojmë t’i ndërrojmë territoret me Serbinë, por pa Ujmanin
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptarë të Luginës së Preshevës, Jonuz Musliu pranon idenë e këmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, por me kushtet që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës me Korridorin e 10-të dhe qasjen në hekurudhë dhe Serbisë t’i jepet një pjesë e veriut pa Ujmanin dhe Mitrovicën.
Ish udhëheqësi i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, gjendjen e shqiptarëve në tri komunat shqiptare e vlerëson tejet të vështirë, pasi veç spastrimeve etnike që ka bërë dhe është duke bërë vazhdimisht, Serbia është duke u përgatit edhe për një luftë, sepse ka filluar pozicionimin e ushtrisë në pikat strategjike, pranë kufirit me Kosovën.
Deri sa Serbia vazhdon spastrimin dhe përgatitjet për luftë, Kosova dhe Shqipëria kanë lënë nën mëshirë të fatit shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke mos u ndalur në ndihmë në asnjë moment. Sipas Musliut presoni që mesë shumti i ka borxh Luginës, është Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Këto dhe shumë probleme tjera me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginën e Preshevës, mund t’i lexoni në intervistën që Musliu ka dhënë për KosovaPress.
Në përvjetorin e 17-të të daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, Musliu kujton se atë kohë ishte një dimër i ftohtë si tani në vitin 2017 dhe pas dhunës dhe represionit që vazhdonte shteti serb ndaj shqiptarëve, kulmin e kishte arrit me vrasjen e vëllezërve Saqipi.
“Pas përfundimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tërheqja e forcave serbe në Luginë të Preshevës, dhuna, terrori, shpërnguljet, sepse Kosova monitorohet nga forcat ndërkombëtare, atëherë Presheva, Medvegja dhe Bujanovci u bën një çerdhe e kriminelëve. Forcat e policisë dhe xhandarmërisë, ato që kanë bërë krime në Kosovë, ato ishin në Luginë të Preshevës. Serbia çdoherë ka menduar që ta pastrojë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin nga shqiptarët dhe ta kolonizojë me serbë, kjo veç filloi me ndodh në vitin 99, me ndërrimin e shtëpive, me largimin e qytetarëve nga Bujanovci, sepse Bujanovci si dalje në Korridorin e 10-të dhe në hekurudhë, ju dashke më shpejt me lëviz popullin shqiptarë, pastaj do ta kishte më lehtë për Preshevën. Pastaj e mbërrini kulmin me vrasjen e vëllezërve Saqipi, më 18 janar janë vra dy vëllezërit Saqipi”, thotë Musliu.
Ai tregon se më 26 janar vendosën që të shfaqeshin publikisht në Dobrosin si Ushtri Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit dhe kujton reagimin e Beogradit, të cilët kishin thënë se “do të bëjmë shkrumb e hi” dhe po ashtu kujton fjalët e tij që ishte përgjigj se “më mirë shkrumb, se sa shka”.
Musliu pohon se misioni ishte drejtë bashkimit kombëtar, duke i marrë armët që të dalin e t’i mbrojnë të drejtat e njeriut në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc, ashtu siç është bërë luftë edhe më 1912. Edhe pas luftimeve në Luginë të Preshevës dhe marrëveshjes së Konçulit, Musliu nuk është i kënaqur me proceset që kanë ndodhur, ndërsa kujton se kjo marrëveshje nuk është implementuar, si në aspektin e integrimit, policisë, gjyqësisë, lëvizja e lirë dhe nuk është formuar as njësiti që do të mbante emblemën e Luginës së Preshevës.
“Serbia nuk është e interesuar për me i zgjidh problemet e shqiptarëve, Serbia është e interesuar me marrë territor. Dhe e kanë në mendje ta pastrojnë Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin dhe ta popullojnë me popullatë jo shqiptare. Ky është ai misioni i mëhershëm i Vaso Qubrilloviqit”, tha ai.
Ai e she të vështirë mbijetesën e 75-mijë shqiptarëve në Luginë të Preshevës, përball një shteti të organizuar mirë politikisht dhe ushtarakisht, nëse shqiptarët nuk ndihmohen nga Kosova dhe Shqipëria.
“Kosova edhe Shqipëria kanë bërë sehirë deri më tani ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ne kemi kërkuar herë pas here, që të ulemi dhe të bëjmë një projekt të përbashkët, çka me popullin shqiptar të Preshevës, duke e ditë se një pjesë të madhe të mjeteve Serbia e ndanë për serbët e Kosovës, diku 40 milionë euro publikisht nga Kuvendi, kurse interesimi i Kosovës nuk është, asnjë cent nuk e ndanë për Luginën e Preshevës”, thotë Musliu.
Ndërsa kujton se takimet që kanë pasur me krerët e Kosovës, kryeministrin, presidentin dhe kryeparlamentarin, kanë marrë vetëm përkrahje verbale, pasi nuk është ndihmuar më asgjë Lugina e Preshevës, madje as kërkesa për një gazetë nuk u është plotësuar, por as aspekte tjera kulturore.
Edhe mos nostrifikimi i diplomave të Republikës së Kosovës, po u nxjerr probleme të mëdha kuadrove të diplomuara në Kosovë.
“Porosi dhe mesazh i popullit shqiptar është që të bëhet një platformë e përbashkët, të bëhet një strategji për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të bëhen investime në Luginë të Preshevës. Këtë e kanë të drejtë dhe nuk mundet me ua ndal askush. Që të mos lëvizin populli shqiptar nga Lugina e Preshevës, sepse diku 70 për qind janë të pa punë në Luginë të Preshevës. Të bëhet nostrifikimi i diplomave të Republikës së Kosovës. Një mjek që punon në gjimnaz, paguhet si gjimnazist, edhe pse e ka kryer fakultetin, e ka diplomën e Mjekësisë, mos të flasim edhe për profesorë të tjerë të lëmive të ndryshme, paguhen si gjimnazist edhe pse janë profesionistë të lëmive adekuate”, tha ai, dhe shtoi se Kosova dhe Shqipëria mund të bëjnë të njëjtën gjë me investime, ashtu siç bënë Serbia në veri të Kosovës, me ndërtime dhe hapje të bizneseve.
Musliu tregon se lidershipi i Luginës së Preshevës ka kërkuar çdo herë të jenë pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, por që asnjëherë kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh.
“Ne kemi kërkuar çdo herë si lidership i Luginës së Preshevës, që të jemi pjesë e delegacionit të Kosovës, të jemi së paku prezent në bisedime, për shkak të dialogut Prishtinë – Beograd. Në moment që je prezent me delegacionin e Prishtinës, je në përbërje e sipër, je në zgjidhje e sipër, dhe këtë nuk e ka paraparë delegacioni i Prishtinës asnjëherë, as në Rambuje, as në Vjenë, as në Bruksel”, tha ai, dhe shtoi se tani ministri i Punëve të Jashtme kërkon që të marrë dikë nga Lugina e Preshevës dhe të jetë prezent, por sipas tij tash pas 17 viteve “punët janë më të vështira”.
“Tash kemi ardhur në zgrip dhe unë mendoj se është dashur shumë më herët të jemi pjesë e delegacioneve, atëherë edhe faktori ndërkombëtar ndryshe do ta kishte trajtuar Luginën e Preshevës krahas serbëve të Kosovës”, tha ai.
Ai kujton edhe bllokadën që autoritetet serbe u bënë vitin e kaluar 125000 teksteve, vetëm pse ishin tekste të Republikës së Kosovës dhe të cilat ishin të dedikuara për nxënësit e Luginës. Musliu kërkon një reciprocitet në arsim, që edhe Kosova t’ua ndalë tekstet serbëve të dërguara nga Beogradi.
Duke treguar për zhvillimet e fundit në rajonin e Luginës, ai thotë se ka a lëvizje të ushtrisë serbe në drejtim të kufirit me Kosovë, ndërsa njofton se janë pozicionuar në pika strategjike dhe sipas tij “Serbia nuk është duke nejt duarkryq e duke bërë serhirë, ata kanë projekt” dhe për këtë kërkon urgjent një platformë të përbashkët shqiptare të të dy qeverive dhe Luginës.
“Është koha, momenti që me u ulë dy qeveritë, edhe liderët e Luginës së Preshevës, edhe me bërë një projekt të përbashkët, një planprogram, një strategji, çka nëse shpërthen një luftë, ku do të jetë Shqipëria, ku do të jetë Kosova, ku do të jetë populli shqiptar, sepse vetëm ne si popull nga Lugina e Preshevës nuk mundemi me ia dal”, tha ai dhe shtoi se në këtë lojë është e përfshirë edhe Rusia, e cila përmes Serbisë, Greqisë dhe Maqedonisë do të krijojë korridorin për dalje në det.
Musliu thotë se Lugina e Preshevës pas Luftës së Dytë Botërore u aneksua dhunshëm, duke iu marrë Kosovës pa u pyetur shqiptarët nëse dëshirojnë të jetojnë nën Serbi dhe Kosovës ju dha një pjesë që nuk i ka shërbyer asgjë Serbisë, Leposaviqin dhe Zubin Potokun.
Lidhur me idenë për shkëmbim të territoreve, ai thotë se për fat të keq tani për tani Kosova dhe shqiptarët nuk e kontrollojnë as Luginën e Preshevës dhe as veriun e Kosovës dhe në këtë situatë, sipas Musliut shqiptarët nuk janë në gjendje të hynë në Pazar. Por ai mbështet idenë që të këmbehen territoret, por që Lugina e Preshevës të përfshi të tri komunat shqiptare me dalje në Korridorin e 10-të dhe në hekurudhë, kurse në këtë këmbim nuk bën të hynë Ujmani dhe Mitrovica.
“Ne po kërkojmë bashkim me Republikën e Kosovës, sepse kemi luftën, kemi referendumin, kemi 28 dëshmorë që kanë ra për Luginën e Preshevës nga të gjitha trojet shqiptare, Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës. Unë jam me u bashku në bazë të vërdiktit të popullit, në bazë të referendumit, të luftës dhe pjesa e Bujanovcit që dalin në korridorin e 10-të. Ato tri komuna si janë, pa Ujmanin, pa Mitrovicë dhe këto mund t’i bëjë vetëm faktori ndërkombëtar, këto mund t’i bëjnë Amerika dhe NATO-ja, pasi ato i kontrollojnë kufijtë e Kosovës”, thotë ai duke këshilluar që të kemi kujdes nga politika që bënë Ivica Daçiqi ndaj shqiptarëve, duke pretenduar që shqiptarëve t’u jepen vetëm disa kodra të Luginës së Preshevës dhe t’i merret një pjesë e madhe e territorit të Republikës së Kosovës.
Për gjendjen e krijuar në Luginë ai fajtor i bënë të gjithë udhëheqësit në Kosovë dhe Shqipëri, por sipas tij përgjegjësinë më të madhe ndaj shqiptarëve të Luginës e ka Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Mendoj se të gjithë i kanë borxh, por më shumë i ka borxh Hashim Thaçi. Sepse Hashim Thaçi ka hëngër bukë dhe ka pirë ujë në Luginë të Preshevës në ditët më të vështira, ka lëvizë e ka parë situatën. Në vitet 98-99 kemi qenë të njëjtë, tani ka ndryshuar situata, por ai duhet me ia kthyer borxhin Luginës së Preshevës, me thënë se unë jam prezent në Luginë të Preshevës. Edhe nëse nuk mundet me ardhur me vizituar Luginën e Preshevës, së paku ta ndihmojnë Luginën e Preshevës me forma të ndryshme, sepse është edhe President, ka obligim kombëtar t’i ndihmojë shqiptarët”, tha Musliu.
Për të gjitha këto shqetësime, ai thotë se kanë kërkuar që të kenë një zyrë të Luginës së Preshevës në Prishtinë, apo edhe që Kosova të ketë një zyrë në Preshevë apo në Bujanovc, por asnjëherë kërkesa nuk u është pranuar, ndërsa thotë se vetëm nën qeverisjen e ish kryeministrit Çeku ka funksionuar një zyrë për Luginën tre muaj, e cila është mbyllur pastaj.
Musliu ndjehet i lënduar dhe i fyer nga mos interesimi i Kosovës për ta ndihmuar Luginën e Preshevës, e në veçanti pasi Kosova e fitoi pavarësinë në vitin 2008. Ndihmën që është dhënë nga Kosova dhe Shqipëria për Maternitetin e Preshevës në vlerë prej 100-mijë eurove, e quan shaka, kurse kujton se Sali Berisha i ndau rreth 700 mijë euro për serbët e Kosovës, për Graçanicën.