Fondi Humanitar i KL: Shkarkimi i Shqiprim Arifit dhe Xhelal Memetit eshte shkelje e rregullave demokratike
D E K L A R A T Ë
Fondi Humanitar për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë prej 20 vitesh realizon misionin e tij human në ndihmë të popullatës shqiptare në Serbi. Situata e rënduar politike, ekonomike dhe sociale në vendlindjet tona është një shqetësim i vazhdueshëm i yni. Udhëheqësit politikë lokalë shqiptarë që pas referendumit të marsit 1992 kanë punuar më shumë për interesa personale se kombëtare, duke sjellë dëmë të konsiderueshme dhe të pariparueshme për popullatën shqiptare, që sollën ngadalësimin e zhvillimit të komunave shqiptare në Serbi.
Fondi Humanitar për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë i shqetësuar për kushtet e vështira të jetesës së qytetarëve shqiptarë dhe duke parë dështimin e vazhdueshëm të klasës së vjetër politike, e pa të udhës që për të përmirësuar gjendjen e popullsisë në këtë komunë shqiptare, të mbështesë ish-kryetarin e Fondit zotin Xhelal Memetin në kyqjen e tij të drejtpërdrejtë në politikë. Në të njëjtën kohë, Shqiprim Arifi po ashtu një i ardhur nga Diaspora filloi karrierën e tij politike në Preshevë. Të dy zotërinjve ju kërkua që në angazhimin e tyre politik të punonin në të mirë të qytetarëve shqiptarë në vendlindjen ton; për të sjellë një politikë të re, perendimore dhe në dobi të shqiptarëve; për të përmirësuar ekonominë e lodhur dhe për të respektuar të drejtat legjitime të shqiptarëve.
Fondi Humanitar për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë gjen rastin të falenderojë zotërinjtë Xhelal Memeti dhe Shqiprim Arifi për punën e tyre në dobi të qytetarëve në Preshevë e më gjerë.
Situata e tensionuar politike e ditëve të fundit në Preshevë është ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të madh nga Fondi. Shkarkimi nga detyra e dy drejtuesve legjitim të komunës Preshevë Kryetarit Shqiprim Arifi dhe Zv.kryetarit Xhelal Memeti është shkelje e rregullave demokratike, është tjetërsim i të drejtës së votës qytetare, gjë e cila solli rikthimin në skenën politike dhe drejtuese të komunës Preshevë klasën e vjetër politike, e cila është shkaktare e gjendjes së vështirë të shqiptarëve në Serbi, sidomos në Preshevë. Kundështarët e djeshëm politikë që me gjuhën e urrejtjes akuzonin njëri-tjetrin për korrupsion dhe shantazh, që me veprimet dhe mos veprimet e tyre u bënë faktorë kryesorë destabilizues mes shqiptarëve dhe shkaktarë të zbrazjes së Preshevës, u rikthyen në drejtimin politik dhe ekzekutiv të komunës së Preshevës përmes një marrëveshjeje konjukturale dhe për interesa personale që çoi në shkarkimin e dy drejtuesve legjitim të komunës së Preshevës. Ky akt është i papranueshëm dhe dënohet forcërisht nga ne.
Fondi Humanitar për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë i bën thirrje klasës politike në Preshevë që të mos keqpërdorë votën e lirë të qytetarëve tanë dhe të ndalë manipulimin e këshilltarëve lokalë të Kuvendit Komunal të Preshevës. Fondi mbështet çdo zgjidhje demokratike që forcat politike do të ndërmarrin në të mirë të popullatës shqiptare të komunës së Preshevës.
Me respekt
Kryesia e Fondit Humanitar për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë-Zvicër
Dega e Fondit Humanitar për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë – Austri
Dega e Fondit Humanitar për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë – Preshevë