Kjo është mësuesja e parë në qytetin e Preshevës (Video)
Në çdo hap reflekton butësinë e një gruaje të dashur dhe intelektuale.
Ajo ishte mësuese e shumë brezave por edhe nënë e dytë për ta.
Është kjo mësuesja e parë në qytetin e Preshevës, Refiqe Hajrullahu.
Mësuesja Refiqe pas shumë vitesh, vizitoi shkollën ku ka punuar për 30 vjet dhe nga e cila kanë dalë shumë breza.
Vendlindja e saj është Presheva dhe një jetë të tërë e ka kaluar në këtë qytet ku edhe shkollimin fillore e ka përfunduar. Por ajo nuk është ndalur me kaq, ka vazhduar shkollimin edhe në vendet tjera.
Hajrullahu kujton edhe mësimdhënësit që i kishin pasur në këtë vend, të cilët vinin nga Shqipëria apo vise tjera shqiptare, pasi që Presheva nuk kishte kuadër të mjaftueshëm.
Fillimet e shqipes në këtë qytet janë zhvilluar në disa objekte private, kudo që gjenin vend.
Shkolla shqipe në Preshevë nuk kishte mësuese deri në vitet e 60-a dhe ardhja e mësueses Refiqe ishte një shembull për edukimin e arsimimin e brezave të rinj nga një femër.
Vullneti për të punuar si mësuese nuk i është ndalur asnjëherë, përmallohet shumë kur sheh nxënës dhe nuk kalon asnjë moment pa u dhënë këshilla.
Për këto vite punë nuk ka klasë që nuk e ka kaluar në këtë objekt.
Asnjëherë nuk u largua nga ky qytet për të cilin flet me shumë dashuri. Kujton momentet kur në kohë krizash shqiptarët largoheshin nga ky vend dhe zvogëlohej numri i nxënësve.
Krahasuar me punën e atëhershme të një mësuese, sot gjithçka është ndryshe për një mësimdhënës, si nga ana e literaturës, ashtu edhe nga përgatitja e fëmijëve për në klasën e parë.
Në çdo shëtitje asaj nuk i mungojnë përshëndetjet nga gjeneratat e ndryshme.