Lajme

PDSH: Shumica e kuvendit per perfitime personale, familjare, grupore dhe klanore

Në mbledhjen e mbajtur më, 10 mars 2017, Kryesia e Partisë Demokratike Shqiptare, në bazë të diskutimeve rreth situatës së krijuar në Pushtetin Lokal pas krijimit të shumicës së re të Pushtetit Lokal në Preshevë, lëshon këtë:

K O M U N I K A T Ë

Partia Demokratike Shqiptare pas formimit të Pushtetit Lokal në Preshevë, i dalur nga zgjedhjet e 24 prillit 2016, elektorit të saj por edhe tërë qytetarëve të komunës së Preshevës ua ka shpjeguar se ky Pushtet Lokal i përbërë nga dy partnerët qeverisës APN dhe PVD është i prirur që të dështoj, gjë e cila ditëve të fundit u dëshmua meqë në bazë të paaftësisë së tyre erdhi deri te shpërbërja e marrëveshjes së arritur mes partnerëve të koalicionit.
Komuna e Preshevës gjegjësisht qytetarët e saj me këtë qeverisje nëntë mujore, pati humbje të mëdha nga qeverisja e partnerëve të këtij koalicioni. Ushtrimi nëntë mujor i Pushtetit Lokal në Preshevë, u karakterizua me dështime të njëpasnjëshme në të gjitha sferat e udhëheqjes, madje disa prej institucioneve të Pushtetit Lokal në periudhë të caktuar kohore pothuajse u paralizuan, siç ishte rasti me Qendrën për Punë Sociale, RTV Presheva, OKF, investimet kapitale, Shtëpia e shëndetit, arsimi fillor e i mesëm si dhe Kuvendi Komunal me mos organizim të seancave që nga fundi i vitit 2016.
Seanca e sotme e Kuvendit komunal e thirrur nga kryetarja e Kuvendit si seancë e parë e rregullt për vitin 2017 ishte në kundërshtim me Rregulloren e punës së Kuvendit Komunal dhe statutit të Komunës Preshevë sepse e njejta ishte thirrur vetëm një ditë para mbajtjes. Nga kjo seancë e Kuvendit Komunal Partia Demokratike Shqiptare si dhe i tërë opinioni qytetar kuptuan se kemi të bëjmë me marrëveshje të fshehtë qeverisëse ku si partner janë Partia për Veprim Demokratik, nëntë këshilltarët e NDARË nga Partia Demokratike Shqiptare, Bashkimi Demokratik i Luginës dhe Unioni Demokratik Shqiptar.

Nga ana tjetër, si shkelje e dytë flagrante e Rregullores dhe Statutit të Kuvendit Komunal Preshevë është edhe zgjedhja e kryetarit të komunës pa zëvendëskryetar dhe pa Këshill Komunal. Prandaj, PDSH vlerëson se edhe ky koalicion qeverisës i ndërtuar me copëza e arrna me një siguri të madhe nuk do të jetë jetëgjatë dhe i prirur të dështoj shumë shpejt.

Partia Demokratike Shqiptare njofton opinionin e gjerë e në veçanti elektoratin e saj se nuk është pjesë e kësaj marrëveshje enigmatike, pjesë e së cilës ishin edhe nëntë këshilltarët e kuvendit komunal nga radhët e Partisë Demokratike Shqiptare që nuk u binden organeve të saja. Këta këshilltarë të PDSH-së, sot në mënyrë më flagrante të mundshme shkelën statutin e partisë duke shfrytëzuar mandatet e sovranit të PDSH-së formuan shumicën e re të Kuvendit komunal Preshevë për përfitime të veta personale , familjare, grupore dhe klanore.
Marrëveshja enigmatike e qeverisjes së re, pjesë e së cilës ishin edhe grupi i ndarë i këshilltarëve nga Partia Demokratike Shqiptare në seancën e sotme të Kuvendit komunal pa bekimin e asnjërit nga organet e partisë, dëshmon se ky grup i ndarë i këshilltarëve është duke keqpërdorur mandatet e elektorit të PDSH-së, ku me këtë veprim dhe me këtë marrëveshje të fshehtë, ky grup këshilltarësh ka shkelur dinjitetin e votuesëve të Partisë Demokratike Shqiptare si subjekti më i madh politik i dalë nga zgjedhjet lokale të mbajtura më 24 prill të vitit 2016.
PDSH edhe njëherë konfirmon se grupi i nëntë këshilltarëve me mandatet e elektorit të PDSH-së si partner i qeverisjes së re të Pushtetit Lokal Preshevë, nuk përfaqësojnë Partinë Demokratike Shqiptare dhe vullnetin e elektorit të saj.
Partia Demokratike Shqiptare mbështet fuqishëm aktivitetin e sotëm të Forumit Rinor në objektin e Kuvendit Komunal në komunën e Preshevës dhe njëkohësisht reagon ashpër ndaj ndërhyrjes së policisë në pengimin e aktiviteteve politike dhe demokratike, aktivitetet të cilat do të jenë të vazhdueshme dhe aktive ndaj grupit të nëntë këshilltarëve të NDARË të PDSH-së, deri në DORËZIMIN e mandateve zgjedhësve të tyre përkatësisht organeve të Partisë Demokratike Shqiptare.

Shërbimi për informacion dhe komunikim me publikun i Partisë Demokratike Shqiptare

Related Articles

Back to top button