Lajme

Preshevës i duhet Shqiprimi

Me fytyrë të ngrisur, me turinj të varur, me halle deri në fyt dhe me nje lugë makiato në gojë duket një preshevar tipik në këto ditë Marsi të ftohtë. Stoik ndaj rrymave të kohërave që nuk ia pa hajrin pushteteve kurrë por asnjë herë nuk u tundua që ta lëshojë këtë vend. Edhepse me vite të tëra kishte ngecur në vend ky vend dhe çdo gjë duke e shty me gjoks asnjëherë nuk e humbi besimin dhe durimin se ky vend do të ecë mbarë dikur. Gati gati ishte të besoje në mrekulli aq sa të mendoje se gjërat do të përmirësoheshin, por dashuria ndaj atdheut i përmbysi të gjitha vështirësitë e jetës.

Ndërrime pushtetesh ndodhnin, por gjithmonë i njejti avaz, shkonte Jonuzi vinte Domuzi, përfitonin vetëm grupe individësh e preshevarit – luginasit, asnjëherë nuk iu hoq thesi nga shpinda. Vitet iknin rrudhat shtoheshin, dërdëllitje politikanësh pa pikë turpi që vinin të pa brekë dhe bëheshin me xhepa plot, të cilët fabrikonin vetëm bashi buzukë e dibiduzë dhe patriotizëm fallco, edhepse luginasi asnjëherë nuk u besoi broçkullave por prapëseprapë nuk e humbi besimin se ky vend meriton që një ditë të ngrohet nga rrezet e Diellit.

Dhe vjen një ditë kur vjen një person i quajtur Shiprim, i panjohur për shumicën, me një aparencë ndryshe por karizmatik, mbledh disa djem të rinj zotohet për të ndryshuar gjërat në Preshevë. Një pjesë e panë me dyshim, por shumica i besuan me një arsyetim të thjeshtë, sepse duke u nisur nga përvoja e kaluar e pushteteve ku pushtetarët vinin e pasuroheshin, tek ky djalë i ri nuk ishte ky fenomen dhe mjaftonte kaq për t’i besuar, që t’i jepnin mundësinë, sepse po ndodhte për herë të parë.

Vështruar nga këndi i përgjithshëm ishte e habitshme se si u radhit e dyta në zgjedhje kur ishin dy parti të tjera që kishin kaluar nëpër pushtete, ky ishte një tregues se luginasi ishte lodhur nga e kaluara dhe këtë djalë të ri e pa si një kandil në fund të tunelit.
Shqiprimi u bë i pari i vendit me një entuziazëm të pashoq si nga vetë ai, poashtu edhe nga ata që ishin me të. Dëshira për të ecur para këtë vend i kishin qorruar sytë sa që kishte harruar se kishte një partner koalicioni që duhet parë me llupë.

Gjërat dukej sikur filluan mbarë, por njëanësia e mbarë vajtjes se gjërave karshi partnerit të koalicionit vërehej ashiqare. Në këto momente partneri nuk përpiqej qe edhe ai të bënte si kryetari dhe inatin ta shprehte me përmirësimet e digastereve që zotëronte, por ai filloi të veprojë se si të zhbëjë ecurinë e mbarësisë. Dhe duke njohur politikën e mbrapshtë nga eksperienca e vjetër, partneri, poashtu gjen disa individë të luhatur dhe të lakmitarë për pushtet të cilët pa pikë turpi shkelin subjektin nga e cila morrën mandatin dhe tërhiqen e futen për të formuar numra ulësesh për të përmbysur interesat e përgjithshme karshi atyre grupore.

Gjërat u përmbysën po ora si do ecë tani për Preshevën?

Dhe qytetari stoik i cili ka ngulur sytë në një pikë dhe ashtu zhytur aq thellë në mendime përpiqet të gjej shkakun:

Shqiprim të tradhëtuan? Të shkelën? Të eliminuan për ta shpëtuar veten, duke i eliminuar shpresën qytetarit?

Ka shumë pyetje që sjell vetëm një proverb latin: sa më shumë hulumtime për të vërtetën aq më shumë mjegullohet e vërteta.

Por bindu se ftesa e tyre kur ta bënë për partneritet më kujton një fabulë të La Fontenit kur dhelpra ftoi lejlekun për darkë, lejleku pa menduar shumë shkoi në darkë por dhelpra i kishte përgatitur supë ne një pjatë ku lejleku për shkak të sqepit të gjatë nuk mundi ta çojë as edhe një pikë në grykë, por lagu vetëm majen e sqepit.

Shqiprim, veprove me korrektësi, transparencë, me vullnet për të shtyer gjërat përpara, në mënyrë dinjitoze, por nuk mjaftuan këto, ndoshta harrove se je kthyer nga Manhajmi në Ballkan ku gjithmonë duhet të përgatitesh për ditë të vështira.

Në vend që të sorollateshe kafeneve apo rrugëve të Preshevës duke u treguar qytetarëve për thjeshtësinë tënde, më mirë do ishte të kishe një plan B, të merreshe pak me pergatitje për menaxhim krizash. Efekti i petkut të pushtetit ndoshta të dalldisi, pa e kuptuar fare.

Por besimin nuk e ke humbur tek qytetari yt, kjo ka shumë rëndësi. Ai të uron një rikthim dhe të shtysh gjërat që le përgjysmë, qoftë realitet shprehja: rikthimi më i fuqishëm se hera e parë! Ti do të rikthehesh, ti duhet të rikthehesh!

Ti, ose një Shqiprim!
Por ama ta mbash mend se kameleoni ndërron ngjyrën e lëkurës sipas ambientit dhe Jul Cesarin e vrau Bruti, andaj kujdes! /Shkruan: V.P/

Related Articles

Back to top button