Haradinaj në Gjilan: Shteti i Kosovës është rezultat edhe i Preshevarëve
I nominuari për kryeministër të Kosovës nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, sot ka zhvilluar takim bashkëbisedues me qytetarë, në kryeqendrën e rajonit të Anamoravës, Gjilan.
Haradinaj ka thënë se shteti i Kosovës është rezultat edhe i preshevarëve.
“Nuk ka logjikë që shteti ynë i Kosovës sot të mos i kuptojë drejt preshevarët. Nuk mund t’i lësh në vendin e vet, duke ua refuzuar shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Tutje ai ka thënë se “duhet t’ua japim shtetësinë [preshevarëve], se dyshtetësia sot ekziston, e me këtë dyshtetësi mbesin në vatrat e veta, por edhe këtu jetojnë si i ka hije, me dinjitet”.
“Një ditë, një Kosovë tjetër, kjo punë është një minutë, një vendim. S’do të lejojmë të sillemi jodrejt ndaj jush. Ketë e keni vendim të marrë. Kur vjen dita, do të ndodh”, u ka thënë atyre Haradinaj.