Propagandat e pushtetit lokal dhe mashtrimet me hapjen e vendeve të punës
Hapja e një reparti prodhues të kompanisë „Metalka Majur“ në Preshevë ishte farsë që nga fillimi. Këto propaganda të pushtetit lokal janë përdorur në kontinuitet për mashtrimin e qytetarëve duke propaganduar aktivitete të suksesëshme lidhur me zhvillimin ekonomik të Komunës së Preshevës.
Afera „Metalka Majur“ është përdorur edhe për të arsyetuar prishjen e koalicionit qeverisës APN-PVD, nga kryetari i PVD-së Riza Halimi, gjithashtu më vonë e tëra është përsëritur nga kryetarja e Komunës Ardita Sinani, duke akuzuar partnerin e koalicionit se ka penguar kompaninë në fjalë nga Jagodina të hapet reparti prodhues në Preshevë. Ndërsa ish-zv.kryetari Xhelal Memeti ka propaganduar me muaj të tërë se kompanija nga Jagodina do të hapë së shpejti fabrikën, duke specifikuar numrin e punëtorëve (deri 100 persona, kryesisht femra) si dhe rrogën mesatare të punëtorëve nga 300 Euro deri 500 euro varësisht kualifikimit profesional.
Presheva.com ka publikuar informatat se „Metalka Majur“ është afër fazës së falimentimit pasi ishte bllokuar numri i xhirollogarisë bankare për probleme financiare. Gjithashtu investitori Vladimir Cuka është përfshirë në një afërë ku është akuzuar se ka mashtruar një invalid me 7000 euro për kinse shërimin e tij në Serbi. Këto informata ishin të njohura për kryetarën Ardita Sinani si dhe zv.kryetarin Memeti. Por kjo nuk i pengoi që të vazhdojnë me propagandat politike lidhur me rastin „Metalka Majur“.
Kryetari i APN-së Shqiprim Arifi ka kritikuar në mbledhjen e Kuvendit Komunal, kryetarën Ardita Sinani për keqpërdorimin e postit të kryetarit pasi sipas Arifit, kabineti i kryetarës është shëndrruar në zyre notariati. Ndërsa anëtari i kryesisë së PDSH-së, Shpat Aliu në një konferencë për shtyp të transmetuar javë më parë, Vladimir Cuken e kompanisë „Vizion 21 Albania“ nga Shqipëria e ka quajtuar investitorë mashtrues ordinerë, i cili ka ardhur në zyrën e kryetarës Sinani për të mashtruar qytetarët e komunës së Preshevës. Sipas Aliut, kryetarja e komunës Ardita Sinani së bashku me mashtruesit ka dalur para kamerave për të mashtruar Preshevën. Presheva.com ka publikuar më parë informacione nga burime të sigurta që kontrata e nënshkruar në mes të palëve „Vizion 21 Albania“ si dhe „Metalka Majur“ nga Jagodina dështoi.
Në Preshevë nuk do të hapet fabrika, ndërsa pushteti aktual ka heshtur lidhur me aferën „Metalka Majur“. Kjo aferë cilësohet si një mashtrim eklatantë i qytetarëve të Komunës së Preshevës për larjen e hesapeve politike, dhe si e tillë është e papranueshme.