Reportazh: Të rinjtë Preshevar u dalin në ndihmë refugjatëve
Ftohti i madh, pikat e shiut dhe vapa e verës , më nuk do t’i gjej refugjatët nëpër rrugët e Preshevës, të cilat dikur ishin të vërshuara nga ata në çdo cep të saj . Ata sot kanë kampin në të cilin gëzojnë kushtet mesatare të jetesës së tyre . Kampi është ndërtuar në vitin 2014 për vendstrehimin e refugjatëve , të cilët tanimë kanë braktisur shtëpitë e tyre duke ikur nga trazirat e luftës që po zhvillohen në vendet e tyre .Studentja Njomza Arifi e cila gjatë kohës së lirë punon pranë kampit të refugjatëve, nga komunikimi që ka pasur me ta ajo tregon për rrugëtimin e tyre të vështirë.
“Në vendet e tjera nuk i kanë trajtuar mirë refugjatët, gjatë rrugëtimit të tyre shumica ishin me familje dhe disa prej tyre i kanë ndarë nuk i kanë lënë të udhëtojnë së bashku . Dhe meqë tani janë në Preshevë thonë se këtu ndjehen më të sigurtë”, ka thënë zonjusha Arifi.
Edhe pse shumica e refugjatëve duan të shkojnë në vendet evropiane, ka prej tyre që iu ka pëlqyer ngrohtësia dhe ndihmat që ua kanë dhënë banorët e Preshevës.
“Pra, nga përshtypjet që u kemi lënë atyre , ata pretendojnë të bëhen banorë të Preshevës” , është shprehur ndër të tjerash flokëkaçurrelja Arifi. “Ndihmat që ua kemi ofruar ne si puntorë , ata thonë se kanë qenë ndihmat më të mira prej të gjitha kampeve tjera nga ku kanë kaluar”.
Tani që kampi është i rregulluar , fëmijëve të posa ardhur nga lufta iu është kthyer buzëqeshja sepse atyre u është hapur një shkollë enkas për ta, ku mësojnë disa lëndë mësimore.
“Për fëmijët e refugjatëve është hapur një shkollë në të cilën mësojnë gjuhën angleze dhe serbe si dhe lëndën e matematikës , artin figurativ dhe kanë parkun e lodrave të ndërtuar aty”, ka potencuar studentja e psikologjisë Njomza Arifi.
Një Kamp, Një Shpresë, Një Jetë
Nëse brenda atij kampi gjendet një shkollë, brenda asaj shkolle gjendet edhe një mësuese-psikologe e cila vazhdimisht punon për fëmijët refugjatë. Psikologia Mimoza Fazliu është ajo e cila vazhdimisht përkujdeset për gjendjen emocionale dhe shpirtërore të atyre fëmijëve . Ajo për momentin e ka në mbikëçyrje klasën e tretë në të cilën janë gjithsej 20 nxënës dhe punon nga 8 orë në ditë.
Pavarsisht se vendet e tyre tashmë janë të shkatërruara tërësisht, fëmijët prap se prap nuk e kanë harruar vendlindjen e tyre. Ata çdo ditë e më shumë ndjejnë nostalgji të madhe për folen e tyre ku kanë lindur, këtë e dëshmon vet fakti se ngado që sillen shumica prej tyre mbajnë flamurin e vendit përkatës afër vetes.
“Shumica e fëmijëve mbajnë flamurin e vendit të tyre në çdo vend si në varëse, nëpër celular si dhe gjatë artit figurativ vizatojnë gjërat tradicionale që kanë”, ka deklaruar psikologia Fazliu.
Ajo thotë se tanimë fëmijët janë ambientuar mjaft me vendqëndrimin në kamp dhe ndjehen të lumtur , pasi që janë familjarizuar me tërë stafin punonjës aty. “Thjesht jemi me ta si një familje”.
Cfarë do të thotë të kesh një shtëpi dhe një nënë ?
Tu dalësh në ndihmë nevojtarëve dhe të pastrehëve është gjëja më fisnike që mund ta bëjë një njeri. Një punë të këtillë me refugjat e ushtroi edhe Antigona Imeri deri para një viti teksa ishte në shkollë të mesme . Si gjimnaziste ajo në shkollë qëndronte 7 orë dhe më pas pa pushuar fare merrte rrugën drejtë kampit të refugjatëve. Antigona punonte në ndihmes të tyre si përkthyese , çdo ditë nga 8 orë e ndonjëherë edhe me orar të tejzgjatur.
Antigona bukur qartë i kujton momentet e para kur u gjend përballë para një turme njerëzish refugjatësh të grup moshave të ndryshme të cilët kërkonin ndihmë .Ata bërtisnin me një zë të lodhur e të rraskapitur duke kërkuar që secili nga ta të mund të hynte në radhë i pari për të përfunduar procedurat e dokumenteve për në kamp.
“Disa zëra më kujtohen ende teksa bërtisnin : mikja ime të lutem më radhit mua të parën sepse kemi hecur shume gjatë , jemi të lodhur kemi fëmijë të vegjël , gruaja ime është shtatzënë . Habibi të lutem , unë jam i plakur nuk mund të pres këtu në diell , oh po vdes për ujë … Oh Zot ishte shumë e vështirë nuk dija kujt t’i jepja përparësi në këto momente , imagjinojeni ” , rrëfeu Antigona me kokë ulur duke ofshuar.
Përgjatë kohës që kaloi ajo me refugjatët, ajo e kuptoi qartë se çfarë është jeta në të vërtetë .
Gjatë kësaj përvoje, ajo mësoi në realitet tri përgjigje nga jeta : se çfarë do të thotë të kesh një shtëpi , një nënë dhe çfarë do të thotë të jesh një 18 vjeçare!
“Kuptova se çka do të thotë të kesh një shtëpi të ngrohtë përderisa njerëzit të cilët më rrethonin çdo ditë jetonin në një mot jashtzakonisht të ftohtë.
Kuptova se çka dmth të kesh një nënë e cila rri zgjuar deri në orë të vona të natës për të më pritur mua derisa kthehesha nga kampi , përderisa para meje shpesh kishte fëmijë refugjatësh të cilët nuk kishin kujt t’i drejtohen me emrin nënë” , tha ajo me një zë drithërues e mallëngjyes .“Kuptova sot se çfarë dmth të jesh një 18 vjeçare dhe të punosh me ta duke sakrifikuar nga vetja , përderisa miqtë e mi të së njejtës moshë ishin duke shijuar jetën nëpër kafene”.
Ajo tha se disa nga këto fragmente kujtimesh janë më të bukurat për të sado që janë pikëlluese , por ato bëhen në mënyrë të denjë humane .Me punën të cilën e ka bërë, ajo vazhdon të ndjehet krenare , sepse nga këto situata ajo ka bërë një përvojë të begatshme jetësore nga arriti të bëjë shumë miq dhe kultivoi një pjekuri të humanitetit njerëzor.
Shkruan: Eljesa Behluli dhe Nexhati Shabani