Lajme

Shkolla fillore e Bujanocit pjesmarrëse në “Festën e Abetares” në Prishtinë

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) ka organizuar manifestimin kombëtar “Festa e Abetares”, i cili kësaj radhe u mbajt në Pallatin e Rinisë në Prishtinë dhe organizohet çdo vit në kohën kur nxënësit e klasës së parë kanë mësuar tashmë shkrim-lexim.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami me këtë rast ka theksuar se, kjo festë është shumë e rëndësishme për fëmijët, pasi ata hyjnë në rrugën e shkrimit dhe leximit.

Ndërsa, ai i ka uruar të gjithë nxënësit e klasave të para të Kosovës për këtë festë të veçantë, për të cilën ka theksuar se e ka zbukuruar kryeqytetin e Kosovës. “Abetarja është një libër i shenjtë. Ajo ka rezistuar dhe është ajo që na bashkon e na bënë krenarë. Ajo përmban 36 shkronja të arta, me të cilat fatosat tanë mësojnë gjuhën e shenjtë, gjuhën shqipe”, ka deklaruar ministri Bajrami, ndërsa ka shprehur respekt për të gjithë prindërit dhe mësimdhënësit që kanë punuar me fëmijët.

Ministri Bajrami ka shtuar se fëmijët janë e ardhmja e popullit shqiptar dhe Abetarja është libri që i bashkon trojet shqiptare. “Abetarja të jetë një shembull i mirë për ndërtimin e shtetit dhe trojeve shqiptare”, është shprehur ai.

“Festa e Abetares” si manifestim tradicional, ka filluar të shënohet në vitin 2009 dhe ka karakter mbarëkombëtarë, prandaj edhe në këtë festë morën pjesë nxënës nga qytete të ndryshme të Kosovës, Shqipërisë e Bujanocit.

Related Articles

Back to top button