U nisën në këmbë për në Bruksel nga Kosova, shikoni çfarë u bënë serbët në Graçanicë
Katër të mitur nga Graçanica janë duke u përballur me aktakuzën e Prokurorisë se ndalën dhunshëm rrugëtimin për në Bruksel të “Shtegtarëve të Lirë”.
Në prill të vitit 2014, pesë gjilanas në shenjë proteste për mosliberalizimin e vizave ishin nisur këmbë drejt Brukselit.
Në kilometrat e parë, anëtarët e grupit u rrahën nga një grup serbësh të Graçanicës, të prirë nga S.M. I njëjti pretendohet se duke bërë thirrje nacionaliste udhëhoqi grupin i cili i sulmoi shtegtarët.
“Më saktësisht në Graçanicë kur kemi mbërri rreth orës 8:05 aty një grup i serbëve prej mbi 15 veta, të cilët kanë qenë në kafiterinë përballë stacionit policor, kanë dalë dhe na kanë sulmu fizikisht, ku edhe ishim nën përcjellën e dy patrullave të policisë”, tha për Kallxo.com një prej viktimave të këtij rasti, Jahi Mustafa.
Të akuzuarit e rastit janë ngarkuar nga Prokuroria me veprat penale sulm e lëndime të lehta trupore, derisa Mustafa rrëfen se sa rëndë janë rrahur nga ata, duke vënë dyshime mbi kualifikimin e veprës penale.
“Aty ka qenë një kërcënim i jetës sonë. Kemi qenë të rrezikuar me jetë. Dy anëtarët e grupit, Ekrem Avdiu, tanimë i ndjerë, dhe Nazim Ajdini, pjesëtar i grupit tonë është sulmuar me thikë, është i therur në dorën e djathtë, ende i ka plagët, kurse aty thuhet se është një lëndim i lehtë trupor, a jeta jonë ka qenë në rrezik. Po të mos kishte qenë atë ditë policia në përcjellën tonë çka do të kishte ndodhë me jetën tonë”, thotë Mustafa.
Derisa viktimat pretendojnë se aty kanë qenë 15 persona, Prokuroria ka akuzuar vetëm katër të mitur për këtë vepër penale.
Mustafa tha se personat prej të cilëve janë rrahur nuk kanë qenë këta që janë akuzuar.
“Kurse sot flitet në gjykatë krejt ndryshe për ne dhe kërkojmë nga trupi gjykues që të merren masa më me detaje, të hulumtohet edhe njëherë ai rast si ka ndodhë. Ekzistojnë edhe xhirime të kamerave të ndryshme ku edhe vet në atë kohë policia e EULEX-it ka deklaruar që ne nuk kemi provoku, kemi qenë duke ecur normalisht dhe na kanë rrezikuar jetën tonë duke na sulmuar edhe fizikisht”, tha ai.
Procesi gjyqësor ndaj katër të akuzuarve është mbyllur për publikun me arsyetimin se të njëjtit janë të mitur.
Më 30 prill 2014, katër gjilanasit Nazim Ajdini, Jahi Mustafa, Xhevdet Shabani dhe Liridon Basha ishin nisur në misionin e tyre për ta sensibilizuar Bashkimin Evropian që t’ua lehtësojë kosovarëve udhëtimin drejt shteteve anëtare- duke ua hequr vizat.
Udhëtimi i tyre i gjatë 2,557 kilometra zgjati 78 ditë.