LajmeOpinione

Letër e hapur Riza Halimit – moshizmit politik shqiptarë!

I nderuari zotri Halimi;
mora të të drejtohem publikisht, duke qenë se tanimë në Preshevën tonë të dashur dhe Luginën e saj, zhvillimet e fundit të dekadës së tretë të jetës tuaj politike nuk më lënë dot rehat pa mos e bërë këtë! Fillimisht, e kam një kërkesë të thjeshtë e të mirëfilltë! Ju lutem të më kuptoni drejtë e qartë si një bashkëvendas “që jetojmë nën të njëjtat halle” dhe nën të “njëjtën kupolë”, poashtu. Po u keqkuptuam, tanimë s’kemi bërë gjë. Shpresoj se mund t’ja dalim në këtë drejtim!? Fillimisht, dua të besoj se e mirëpritni këtë mesazh qytetarë, intelektual e politik?
Përmes juve, letra le ti përcillet edhe “të vjetërve” tjerë në politikën shqiptare, sepse ju mendoj se e përfaqësoni atë që mund ta quaj “moshizmin politik” te shqiptarët në ballkan sepse jeni më i vjetri në këtë pozitë.
Shkak i thjeshtë për këtë “bashkëbisedim në distancë” u bënë zhvillimet e fundit në pushtetin vendorë-lokal, kalkulimet makiaveliste dëmsjellëse, ndërrimet e shpeshta që në një nivel Komune e kanë kuptimin e një oligarkie dhe klanizmi banal mbi tre dekadash dhe më në fund, dorëhaqjet që pasuan këto ditë të fundit nga Kuvendi Komunal, dhe nga strukturat e PVD-së, pra subjektit politik që juve e drejtoni që nga themelimi, si rezultat i antidemokracisë që mbizotëron në partinë tuaj ( edhe në të tjerat gjithashtu).
Që nga viti 2006 kur dhe kam punuar si gazetarë në Televizionin e sapo hapur ALDI këtu te ne në Preshevë, kisha rastin për herë të parë të të intervistoja, dhe që nga ajo kohë s‘të kam takuar më, madje as që kemi pasur nevojë për njëri tjetrin! Sa për kurreshtjen e lexuesit mund ta theksoj se intervista ishte tepër e stërzgjatur, në të vërtetë përgjigjet ishin pa përfundim të qartë logjik, që të lënë përshtypjen se ke kuptuar diç me rëndësi, të paktën unë edhe sot e kam këtë bindje!? Nga ajo kohë, kam ardhur në një përfundim të thjeshtë, se juve i nderuar jeni mjeshtri i makiavelizmit politik në politikbërjen këtu!? Këtu, ju i krijoni proceset politike, i drejtoni ato dhe jeni politikan, për ndyshim nga tjerët që ju shkojn pas rrjedhave që krijoni ju!? Mirëpo me këtë makiavelizëm keni “rrëshqitë” nga idealizmi (një idealizëm pa kornizë të qartë filosofike-politike) deri në një “real politikë” që në emër të saj keni shkapërderdhë gjithë atë ideal, që na kanë lënë amanet trashëgimia e pluralizmit politik këtu?! Shpresoj ta kemi gabim, por realiteti është kështu.
Dhe “takimin” e dytë e kemi pasur diku në vjeshtë të 2008-tës për një konsultim të thjeshtë studimor që mendova se mund të më ndihmosh. Për dhuratë kisha një libër për Evrointegrimet dhe të kërkova materiale studimore që në atë kohë kisha nevojë për studimin tim që deri tani ende se ka marrë formën përfundimtare: “Organizimi Politik i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës”. Sa për studimin nuk më lë përshtypje se të intereson fare, por madje të gjithë bashkëbisedimin tonë e shpenzuam duke marrë infromacione nga unë se: kush jam e nga jam! Të kuptoj, kjo është domosdoshmëri për politikën! Që nga ajo kohë, si gjithmonë të kam ndjekur si një qytetarë i thjeshtë por dhe studiues i ri?!
Kam pasur përshtypjen se jeni një nivel politik i vyer, por jetëgjatësia juaj në këto procese mëse tridekadëshe të stërgjatura pa asnjë ndërrim e ndryshim, më ka bërë që në kohë të fundit ta rishqytoj këtë bindje, edhe atë seriozisht! Pse kështu? Sepse mendësia politike menaxheriale e punëve të përdishme kërkon që një politikan ta rishqyrton kohëpaskohe veprimtarinë e vetë, e madje kohëpaskohe dhe ti vë afate skadimi veprimin politik të tij. Nuk është e thënë që “proceset që krijohen apo nisen” me një politikan apo prijës partie, ato dhe të mbarojnë e të marrin fund po me atë figurë politike.
Derisa brezi ytë është ai brezi i politikanëve të fillimrrënimit të ish Jugosllavisë dhe tri Federatava Socialiste, mendoj se të pushosh është shumë e domosdoshme dhe mëse e kërkuar, e sidomos kur pushimi bëhet domosdoshmëri si rezultat i gabimeve fatale e të pakthyeshme për shoqërinë?!
Në rajon kanë qenë dhe kanë shkuar shumë e shumë figura më të rëndësishme politike, që kanë bartur procese të mëdha të kohës e që i kanë sjellë popujve apo komuniteteve të tyre, o liri, o një korpus më të gjërë të lirive dhe të të drejtave humane e njerëzore. Edhe pas gjithë këtyre kthesave të mëdha në rajon ju ende jeni në pushtet dhe nuk e merrni guximin që ta lironi partinë dhe proceset nga zgjedha e mendësisë së moshizmit politik (the political ageism, die politische alternizmus) e karrieristë.
Kanë qenë ish Presidenti dhe lideri Kroat Stjepan Mesić e Franjo Tuđman, ish Presidenti e profesori Bosnjak Alija Izetbegovic, ish Presidenti e diktatatori Serb Milloshevic, Presidenti i vrarë Gjingjiq, ish Presideni Sllavo-Maqedonas Gligorov, ish Presidenti Shqiptarë i Republikës së Shqipërisë doktor Sali Berisha, pasandej vdiq ish Presidenti Shqiptarë i Kosovës doktor Ibrahim Rugova, ish profesori Sabri Godo si konstitucionalisti zyrtarë i parë shqiptarë dhe sa e sa figura tjera. Me këtë rast duhet ta përmendim se nuk janë më në skenën politike ish lideri i ditëve të para të pluralizmit shqiptarë në Mali të Zi zoti Bardhi, ish lideri i PPD-së Abdulmenaf Bexheti, ish lideri i PDSH-së filosofi politik Arbën Xhaferi, ish lideri Ali Aliu, duke dalë përsëri në Kosovë me ish profesorin e filosofin Ukshin Hoti, ish profesorin Agani, e shumë figura tjera të cilat tanimë kanë vdekur e disa prej tyre janë gjallë, por që veprimtarinë e tyre politike e kanë pushuar, sepse despotizmi nuk ka variante tjera përpos jetëgjatësisë dhe përjetësisë në parti dhe politikë!
Madje, në këtë drejtim, duhet ta themi se në këtë tri dekadëshin tuaj politik kanë qenë dy pyetje – çështje shumë të rëndësishme e që juve si organizim politik shqiptarë kejtësisht keni dështuar në këtë drejtim – çështja e demokracisë plebishitare (referendumi i vitit 1992) dhe ajo e konfliktit të armatosur (kryengritjes luftarake të UÇPMB-së), me të cilat çështje krejtësisht keni dështuar në krijimin e proceseve politike të mirëfillta që i kishin nisur këto dy momente të mëdha politike për këtë popullatë. Këto kanë qenë kthesa historike që politikbërjen e juaj e kanë “zënë përfundi” proceset dhe nuk arritët dot ti krijonit institucionet komunitare të mirëfillta që tamam duhet të kishin dalur nga këto procese të kthesave. Tani, koha ka ikur dhe jemi krejtësisht në një realitet politik e gjeopolitik tjetër?
Mjaft keni trumbetuar për autonomi kulturore (me thmelimin e Këshillit Nacional) pas dështimit të asaj politike -territoriale administrative, por edhe sot e kësaj dite jeta kulturor institucionale këtu është e ngulfatur dhe pak e rregulluar me Korniza Ligjore të shtetit të Serbisë që të lë për të dëshiruar. Fëmijët tanë ende kanë probleme të thjeshta me sigurimin e teksteve mësimore e lëre më për institicione të mirëfillta kulturore – edukative e akademike për këtë komunitet, gjë që është larg saj.
“Ai që i di të gjitha përgjigjet, nuk ju kanë bërë të gjitha pyetjet” e kishte thënë filozofi i lashtë Kinez Konfuçi, dhe si duket e paska pasur në mendje një veprimtari të tillë dekadëshe të stërgjatur. E di se nuk i ke dhënë të gjitha përgjigjet politike, “edhe pse i ke ditur të gjitha ato” sepse dhe nuk të janë bërë të gjitha pyetjet?!- mirëpo, kjo nuk është e mundur praktiksht sepse shoqëria e komuniteti kanë shumë pyetje (politike) dhe nuk mendoj se mund ti jepni përgjigje deri në fund.
“E vetmja mënyrë mbijetese në një botë të çmendur, është; të çmendësh njerëz! – kishte thënë me një rast shkrimtari i famshëm Mario Sota, që të na lënë të kuptojmë se “e vetmja mënyre mbijestese (politike) në këtë kaos, kontradiktë dhe konflikt politik” që po mbizotëron tek shqiptarët përgjithësisht dhe tek ne këtu veçanarisht, është që edhe më shumë të na cmendni me thellimin e kaosit, kontradiktave dhe krizave të “status quajova” të pakuptimta dhe qorrsokake. Koha e ka dëshmuar se nuk keni formula të qarta politike për ti avancuar pyetjet politike, e lëre më ti zgjidhni ato përfundimisht.
Në fund, mund ta themi edhe një gjë; në këtë shkrim kam përdorur shumë pikëçuditje në mbarim të fjalive apo dhe paragrafëve, varësisht prej strukturës së narracionit! Pse vallë kështu? Sepse “gjithkush” tanimë ka ngelë i habitur nga jetëgjatësia juaj politike (në një komunitet të vogël) pas gjithë këtyre proceseve të rënie ngritjeve marramendëse dhe ndryshimeve e kthesave në rajon, ndërsa juve ende jeni “vital” dhe nuk e shihni të arsyeshme një gjë të tillë! Kjo është për pikëpyetje, por ja që gramatika është kokëforte dhe nuk e lejon një gjë të tillë edhe po ta duam.
Merrni guximin politik dhe hapjani derën demokracisë partiake (edhe breda të tjerëve parti), zgjedhjeve të lira brenda tyre, konkurrencës së ndershme dhe cilësore, avancimit të kuadrove të mirëfillta por dhe qytetarëve, kontributi i të cilëve duhet të çmohet.
Luginës së Preshevës i duhen parti politike të forta, organizimin politik të të cilës do ta intelektualizojn dhe ta mbështjellin me mendimin filosofik-politik, vizioni i së cilës të reflekton përtej klaneve, lokalizmave, familjarizmave e dogmave të çimentosura që nuk ndyshojn edhe nëse ndryshojn kohërat. Globalizimi politik sot, kërkon jo ndoshta shumë “dije të gjërë sa deti e të thella sa gishti” por thellësi e imtësi veprimi politik që komuniteti të përjeton një mirëqenie të gjithmbarshme.
Me respekt;
Shkodran H. ISMAILI – Preshevë
LL.MA.sc i se Drejtes Nderkombetare aktualisht student i doktoratures PhD ne UNIVERSITET TE VJENES

Related Articles

Back to top button