Shqetësues zvogelimi i numrit të nxënësve në shkollat shqipe në Luginë
Mungesa e teksteve mësimore dhe mos njohja e diplomave të Universiteteve të Kosovës, po ndikon drejtpërdrejt në largimin e popullatës shqiptare nga Lugina e Preshevës.
Pasojat më të mëdha po i përjetojnë shkollat, në të cilat sivjet janë regjistruar 100 nxënës më pak se në vitin e kaluar.
Përfaqësues të arsimit në kuadër të Këshillit Kombëtar Shqiptar, kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me zvogëlimin e numrit të nxënësve nëpër shkollat me mësim në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc e Medvegjës.
Gjatë regjistrimit për vitin shkollorë 2017/2018, në shkollat fillore janë regjistruar 100 nxënës më pak se në vitin e kaluar.
Zejni Fejzullahu, kryetar i Komisionit për Arsim, ka ftuar përfaqësuesit politik shqiptarë që të unifikohen për tejkalimin e problemeve që me decenie po i përjetojnë shqiptarët e kësaj zone, në mënyrë që siç është shprehur të ruhet substanca kombëtare në këto treva.
Fejzullahu, ka tërhequr vërejtjen se me zvogëlimin e numrit të nxënësve do të shuhen disa paralele, ndërkohë që do të rritet numri i tepricave teknologjike e me këtë edhe numri i të papunëve.
Një intervenim i shpejt i faktorëve relevant për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe asaj politike është më se i domosdoshëm në mënyrë që shqiptarët të qëndrojnë në këto troje thonë në Këshillin Nacional.