Lajme
Arifi: Votimi blanko i Qeverisë kërkon analizë, Bujanoci po ngec me projekte
Kryetari i Partisë Demokratike, Nagip Arifi ka thënë se qeverisja lokale në komunën e Bujanocit nuk ka punuar ndonjë projekt të vetin.
Ai në një intervistë për Titulli.com është shprehur se ka pasur mjaft simpoziume, konferenca, vizita, seminare, ngjyrosje të pllakave në shesh, blerje të orendive, por asgjë për qytetarët. “Votimi blanko dy herë i Qeverisë në Beograd është mjaft i habitshëm dhe kërkon analizë të thellë, sepse nëse qëllimin e kanë ta rehatojnë Riza Halimin me ndonjë post republikan pa e zgjidhur edhe një problem të vetëm të popullatës, mund të konstatoj se kjo marrëveshje është shumë degraduese”, ka deklaruar Arifi. Ai numëruar dhe sukseset e partisë së tij në kohën që ka qeverisur me komunën e Bujanocit.
Pas 6 viteve të themelimit të partisë suaj, cili është suksesi më i madh që keni arritur si subjekt politik në qeverisjen lokale në Bujanoc?
Arifi: Partia Demokratike e cila është themeluar para gjashtë viteve si rrjedhojë e imperativit të kohës, pasi që në subjektin PVD ishin ngushtuar të gjitha hapësirat e veprimit për shumicën e veprimtarëve, sot mundet të krenohet me rrugëtimin e saj. Për vetëm dhjetë muaj ne arritëm që në zgjedhjet lokale të vitit 2012 të dalim si partia më e madhe në komunën e Bujanocit dhe të jemi bartës të pushtetit lokal në periudhën 2012-2016. Gjatë kësaj periudhe, përkundër një fushate të egër dhe denigruese të PVD-së, me një vetëmohim të pashoq, në fillim duke përmirësuar defektet e krijuara nga pushteti i mëparshëm, e më vonë me një kreativitet të madh arritëm që me buxhet komunal dhe donacione të bëjmë investime të mëdha në komunën e Bujanocit. Po i përmendi vetëm disa projekte asfaltimi i rrugës Tërnoc – Breznicë, ndërtimi i objektit për shkollim të lartë Universitar në Bujanoc, ku është duke u zhvilluar mësimi në Fakultetin Ekonomik nga Subotica, rregullimi i rreth rrotullimit në hyrje të qytetit të Bujanocit e në drejtim të Gjilanit, rregullimi i rrugës qarkore nga Bujanoci në drejtim të fshatit Tërnoc, e shumë projekte të tjera në të gjitha vendbanimet e komunës sonë, ku për qëllim ka qenë ta lehtësojmë jetën e qytetarëve, por edhe të krijojmë kushte për një zhvillim ekonomik.
Kemi disa lëvizje të këshilltarëve komunal e lëkundje të koalicionit qeverisës në komunën e Preshevës, a planifikoni ta shtriheni partinë edhe në Preshevë?
Arifi: Sistemi zgjedhor në Serbi mundëson që këshilltari të jetë bartës i mandatit dhe të gjitha këto që kanë ndodhur në Preshevë janë produkt i këtij oportuniteti, ku një numër këshilltarësh të pamoralshëm tradhtojnë së pari votuesit e tyre e pastaj partinë, për motive të ndryshme,por kryesisht personale ku bëjnë veprime që Preshevës i kanë hedhë një hije të zezë. Sa i përket shtrirjes së PD-së në Preshevë jemi duke e shqyrtuar këtë mundësi, oferta kemi në këtë drejtim.
Si e vlerësoni punën 1 vjeçare të qeverisjes në komunën e Bujanocit?
Arifi: Është vështirë të përgjigjem në këtë pyetje, sepse pasi që pos që janë realizuar pjesërisht disa projekte të parapara me buxhetin e vitit 2016, e të cilin ne e kemi aprovuar dhe i kishim siguruar edhe mjetet financiare deri sa ishim bartës të pushtetit, pushteti aktual nuk ka pasur kurrë njëfarë aktiviteti brenda një viti (mos) pune. Në këtë njëvjeçar ka pasur mjaft simpoziume, konferenca, vizita, seminare, ngjyrosje të pllakave në shesh, blerje të orendive, por asgjë për qytetarët. Këto pra janë aktivitetet kryesore që e kanë përcjellë pushtetin aktual, duke mos harruar edhe dështimin e madh në menaxhimin e shpërbërjes së ndërmarrjes publike “Direkcioni për Ndërtim, ku u bë seleksionimi nepotist, partiokratik të të privilegjuarve dhe lënia jashtë e gjysmës së punëtorëve më pak të privilegjuar.
Partia kryesore që po qeverisë në Bujanoc erdhi me moton “Për shqiptarët” sipas jush kush po përfiton më shumë nga buxheti komunal?
Arifi: Motoja kryesore e partisë në pushtet shumë më herët, por edhe gjatë fushatës ka qenë “Për shqiptarët me shqiptarët” me vija sinkronizuese të kuqe për drejtorin shqiptar të Shtëpisë së Shëndetit mbi minimizimin e rolit të Stojança Arsiqit në vendimmarrje” dhe të gjitha këto janë bërë në sheshin e proklamuar “Skënderbeu”. As nuk është emëruar drejtori shqiptar dhe as nuk iu është ndërruar emërtimi sheshit i cili në të vërtet tash ka marrë emërtimin “Sheshi i Kafiterive”. Stojança Arsiqi nuk ka qenë kurrë në karrierën e tij më vendimmarrës se sot, çka rezulton mbi ndarjen e buxhetit 50 – 50% në shqiptaro – serbë dhe ky buxhet mund të cilësohet si buxhet joparimor.
Çka mendoni për dorëheqjet që në kohët e fundit bëjnë zyrtarët në administratën komunale, siç është rasti i kryeshefit të administratës Ismail Pajazitit e tash së fundi edhe Reuf Bajramit ?
Arifi: Derisa kam udhëhequr me ekzekutivin 2006 – 2008, që të dy kanë qenë në administratën komunale dhe pa marrë parasysh bindjet e tyre politike, në profesionin e tyre mund të them lirisht se kanë qenë të përgatitur profesionalisht. Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2016,Ismal Pajaziti,nga pushteti aktual është emëruar kryeshef i administratës komunale, njëherit edhe kryetar i Komisionit komunal për prokurime publike, në dy detyra shumë me përgjegjësi dhe të ndjeshme, por për një kohë shumë të shkurtër ka dhënë dorëheqje dhe vetëm ai mund të thotë pse dhe si ka dhënë dorëheqje, kurse Reuf Bajrami ka qenë kryetar i Komisionit për plane pranë vetëqeverisjes lokale i emëruar nga përbërja e mëparshme,edhe pse nuk ka qenë anëtar i Partisë Demokratike e as anëtar i LPD-së,por ka qenë anëtar i PVD-së, kemi menduar se është profesional në atë detyrë dhe e kemi emëruar në komisionin me shumë përgjegjësi. Pushteti i tanishëm Reuf Bajramin e ka emëruar edhe me një detyrë tjetër, edhe atë kryetar të komisionit për mbikëqyrje të projekteve,një detyrë me shumë përgjegjësi, po ja Reuf Bajrami, erdhi koha që të jep dorëheqje nga dy funksionet. Prapë po them se më mirë është që ata të prononcohen për çfarë arsye japin dorëheqje. Arsyeja që ata përmendin se kinse për shkaqe familjare nuk qëndron.
Po flitet se partia qeverisëse në Bujanoc po pret që të bëhet pjesë e qeverisë qendrore në Beograd me inkuadrimin në Trupin Koordinues. Çfarë mendimi keni për këto zhvillime?
Arifi: Neve asgjë nuk mund të na befasojë kur është në pyetje kryetari i PVD-së Riza Halimi. Sidoqoftë, ata janë autonom në veprimet e tyre, por ata në Beograd munden të përfaqësojnë vetëm elektoratin e tyre e jo të gjithë shqiptarët e Luginës, sepse ata përbëjnë 25% të elektoratit dhe vetëm PVD-ja ka marrë pjesë në zgjedhje parlamentare. Votimi blanko dy herë i Qeverisë në Beograd është mjaft i habitshëm dhe kërkon analizë të thellë, sepse nëse qëllimin e kanë ta rehatojnë Riza Halimin me ndonjë post republikan pa e zgjidhur edhe një problem të vetëm të popullatës, mund të konstatoj se kjo marrëveshje është shumë degraduese kur dimë se ende nuk njihen diplomat nga Republika e Kosovës,nuk kemi tekste shkollore,ndalohet përdorimi i simboleve kombëtare, na merret shtetësia,etj. Të gjitha këto janë kushte dhe të drejta elementare dhe ky votim blanko të bëhet për interesa personale, për mua është mjaft i palogjikshëm dhe i paarsyeshëm.