Arifi, priti në takim ambasadorin e Shqipërisë dhe të Mbretërisë së Bashkuar
Sot patëm kënaqësinë të kemi në vizitë dy Ambasadorë, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, shkëlqësinë e tij z.Ilir Boçka si dhe Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, shkëlqësinë e tij z. Denis Keefe.
Të dy Ambasadorët përfaqësojnë dy shtete mike të popullit shqipëtar në Luginë të Preshevës.
Si përfaqësues së politikës së jashtme të këtyre dy shteteve, ambasadorët shfaqën një interesim të theksuar për situatën politike në Komunën tonë, u interesuan për situatën sociale të popullatës, situatën e krijuar nga ana e institucionit Enic-Naric mbi nostrifikimin e diplomave të resurseve më të vlefshme njerëzore në Komunën tonë – rinisë sonë si dhe funksionimin e Organit të përkohshëm.
Ishte një takim shumë konstruktiv e parasegjithash konsultativ. Mora mbështetjen për iniciativat që kam marrë e posaçërisht krijimin e teatrit të Komunës së Preshevës si tempull të kulturës si dhe për përmirësimin e infrastukturës dhe hapjes së vendeve të reja të punës në Komunën tonë.
U diskutua edhe për mundësitë e përfitimit të projekteve për shkak të kontributit të dhënë nga popullata e komunës sonë gjatë krizës së refugjatëve dhe për këtë u morën garanca për asistencë dhe lobim të përbashkët.