Haradinaj reagon ndaj deklaratave të Beogradit
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i ka reaguar Beogradit, pas thirrjeve të këtyre të fundit që serbët në Kosovë ta votojnë Listën Srpska.
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, iu bëri thirrje serbëve në Kosovë që të dalin në zgjedhjet lokale të 22 tetorit dhe të votojnë për Listën Serbe. Vetëm në këtë mënyrë siç u shpreh ai, mund të ketë ndikim në Kosovë.
Por Kryeministri Haradinaj thotë se ai dhe Qeveria e dënojnë fuqishëm aktin e ndërhyrjes së institucioneve të Serbisë në fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale në Kosovë.
“Aktet e tilla, bien ndesh me parimin e fqinjësisë së mirë, dhe cenojnë në mënyrë thelbësore qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Mirëintegrimi i serbëve të Kosovës është interes reciprok, dhe çdo përpjekje për të dëmtuar këtë qëllim do të konsiderohet si mosrespektim i vullnetit politik të tyre. Serbët e Kosovës kanë të drejtë të zgjedhin, dhe zgjedhja e përfaqësuesve të tyre, pa ndërhyrje, do të respektohet nga autoritetet e Republikës së Kosovës”, ka shtuar Haradinaj.
Ministri serb, Vulin, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të votojnë për Listën Serbe, të dalin në numër sa më të madh që të jetë e mundur në votime dhe të mos lejojnë askënd të vendosë në vend të tyre.
“Ata jetojnë në Kosovë dhe Metohi dhe ata e dinë më mirë se Lista Serbe ka lidhje me Qeverinë serbe, ajo garanton se Qeveria do të vazhdojë të financojë jetën në Kosovë dhe do të vazhdojë të jetë një faktor përcaktues”, deklaroi Vulin.