Në xhamin e fshatit Raincë u mbajt duaja e hatmës (Foto)
Të dielën , më datë 15 tetor të vitit rrjedhës , pas faljes së namazit të drekës nga ora 13,30 minuta filloi programi i mbajtjes së Duasë së Hatmës të 22 nxënësve dhe nxënëseve të cilët përfunduan suksesshëm leximin e Librit të Allahut xh.sh,., Kur’anit Famëlartë.
Këtë program e udhëhoqi imami i Xhamisë “Mulla Sulejmani” të fshatit Raincë dhe njëherësh mual-lim i kësaj Xhamie , Bejtulla ef. Veseli.
Xhamia ishte e mbushur përplot me xhematë të cilët kishin ardhur qysh para faljes së namazit të drekës.
Në fillim fjalën përshëndetëse në emër të Bashkësisë Islame të Preshevës e mori kryeimami Abdulla ef. Abdiu. Ai lartësoi fjalën e Allahut xh.sh. duke thënë se Pejgamberi a.s në një hadith të tij ka thënë : “Më i miri prej jush është ai i cili e mëson leximin e Kur’anit dhe këtë ua mëson të tjerëve”. Ai tha se imami i kësaj Xhamie ka shumë merita siç kanë edhe nxënësit të cilët me plotë përkushtim kanë ndjekur mësimet gjatë gjithë kohës sa kanë qenë duke mësuar leximin e Kur’ani Kerimit.
Më pastaj të gjithë nxënësit një nga një kënduan nga një pjesë prej Kur’anit të Madhërishëm me të cilën freskuan xhematin e pranishëm . Pos kësaj , këta nxënës kënduan edhe disa ilahi dhe kaside shumë melankolike .
Duanë e Hatmës e bëri Zekirja ef. Kurtishi , imam i Xhamisë së fshatit Bukuroc dhe njëherësh profesor pranë Medresesë së Luginës së Preshevës.
Gjatë zhvillimit të këtij programi, para përfundimit me një fjalim përshëndetës para masës doli kryetari i Bashkësisë Islame të Preshevës , myftiu Fikret ef. Limani.
Në fund të Duasë së Hatmës imami dhe mual-limi i kësaj Xhamisë Bejtulla ef. Veseli dhe kryeimami i Bashkësisë islame të Preshevës , Abdulla ef. Abdiu , secilit nxënës dhe secilës nxënëse personalisht ia ndanë nga një Certifikatë për mbarimin e suksesshëm të leximit të Kur’anit Famëlartë .
Njofton Sektori për informim pranë Bashkësisë Islame të Preshevës