Tetovë: Prindi i nxënësit dhuron shkollës sistemin gjeneral për nxehje
Funksionimi i trekëndëshit nxënës-prindër-shkollë dhe bashkëpunimi i sinqertë i të tirja këtyre elementeve në sistemin arsimor, çdo here sjellin rezultate në dobi të gjitha palëve, shkruan gazeta KOHA. Si për çështje pedagogjike, apo të organizimit të shkollës, ashtu edhe për çështje të përmirësimit të standardeve dhe kushteve për mësim, roli i prindërve është tepër i rëndësishëm. E këtillë është edhe historia e suksesshme e shkollës periferike “7 Marsi” në fshatin Miletinë të Komunës së Bërvenicës, ku jo shumë kohë më parë, prindi Jetmir Mustafi, dhuroi nxehjen e re të shkollës. Tani e tutje, rreth 110 nxënës të shkollës periferike të atij fshati, nuk do të kenë problemin e nxehjes, pasi koftori i ri me kapacitet nga 100 deri 130 Xhaul (J), është duke i shërbyer shkollës në mënyrën më të mirë të mundshme sa i takon ndemjes së hapësirave.
“Me vendosjen e ngrohjes qendrore në shkollë sigurisht që do të përmirësohet dukshëm niveli i kushtet për mësim, por do të jetë edhe për neve shumë më e lehtë të menaxhojmë nxehjen e atij objekti” , pohon Xhevahir Abduli, drejtor i SHF “7 Marsi”. Për lëndë djegëse, do të përdoret përsëri druri, por tani me lidhjen e re, përveç efiçencës më të madhe pritet të jenë edhe më ekonomike harxhimet në këtë drejtim, plotëson drejtori. Ai, tregon gjithashtu se për realizimin e këtij donacioni janë respektuar të gjitha rregullat e parapara me ligj. Është formuar në kuadër të shkollës një komision, i cili ka mbikëqyrë të gjitha procedurat dhe punët deri në lëshimin në përdorim të ngrohjes, të gjitha shpenzimet të cilat u mbuluan nga prindi Mustafai, kapin vlerën e rreth 9 mijë eurove. Mustafai, me punë të përkohshme në Norvegji, është prind i dy fëmijëve që janë nxënës mjaft krenarë me donacionin e të atit për shkollën periferike “7 Marsi” në fshatin Miletinë. Këtu janë shënuar edhe më herë donacione të tjetra, si ai i një prindi tjetër për sigurimin e veshjeve të personelit teknik të shkollës apo i një prindi tjetër që pajisi shkollën me dy makina dhe mjetet të tjera për mirëmbajtjen e pastërtisë në shkollë. Kohë pas kohe ka pasur donacione të ndryshme, pohon drejtori, ndërsa vëren se gjithë kjo është falë bashkëpunimit dhe raportit të sinqertë që është ndërtuar mes shkollës dhe prindërve.
Shkolla e fshatit Miletinë është relativisht objekt i ri, me pesë klasë, kabinetin e arsimtarëve dhe hapësirat shoqëruese të vendosura në katin përdhes dhe në katin e parë. Mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe dhe gjuhën maqedonase, nga klasa I deri V. Janë gjithsej 7 paralele të ndara në dy turne, të cilat realizojnë arsimin në dy ciklet e para të arsimit nëntë vjeçar. Përveç se në Miletinë, SHF “7 Marsi”, ka edhe dy shkolla të tjera periferike në fshatrat Çollopek i ri dhe Bllacë. Kjo e fundit ka edhe shkollën më të vogël, ku mësimi organizohet në dy paralele të kombinuara. Në Çollopek të ri, sikurse shpjegon drejtori, kushtet për mësim janë gjithashtu në nivele shumë të kënaqshme, pasi objekti u lëshua në përdorim në janar të vitit 2017 dhe sistemi i nxehjes është gjithashtu i ri. Në tre shkollat periferike dhe në shkollën qendrore, e cila gjendet në fshatin Çellopek, gjithsej mësojnë 678 nxënës.